Drejt Asemblesë Kombëtare te Kishës në Shqipëri

Drejt Asemblesë Kombëtare te Kishës në Shqipëri

Nga Gjergj Meta

Ndoshta e vonuar, por sikurse thotë populli më mirë vonë se kurrrë. E ky është një konstatim i pare rreth eventit që do të shikojë përfaqësues të Kishës Katolike në Shqipëri, ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë e laikë të mbledhur në datat 18,19, dhe 20 qeshor në Shkodër për një asemble me titullin: Ungjillizimi dje, sot dhe nesër. Është një ngjarje shumë e rëndësishme.

Kisha në Shqipëri dëshiron me këtë rast të shohë çka është e bërë mirë apo keq e çfarë mund të bëjmë për të ardhmen. Një moment verifikimi i domosdoshëm në fakt për një ecje të përbashkët komunitare nën udhëheqjen e ipeshkëvinjëve tanë.

Ardhja e Papës Françesku në krye të Kishës na ka hapur të gjithëve perspektiva të jashtëzakonshme reflektimi dhe veprimi. Për dikë ky Pontifikat shënon një hap përpara, madje një hap profetik të afrimit të Kishës me botën dhe të kumtimit të Ungjillit. Por nuk mungojnë edhe zëra të cilët kanë për zemër më shumë qartësinë doktrinore e mendojnë se mënyra e të sjellurit apo e të shprehurit të papës Françesku po krijon pështjelim në zemrat e shumëkujt.

Personalisht jam ndër ata të parët që mendojnë se ardhja e këtij Pape është një shenjë profetike shumë e fortë për Kishën dhe duhet të hapë medoemos një rrugëtim të ri reflektimi për Ungjillizimin, për shpalljen e Fjalës së Mirë midis njerëzve. Në mënyrë të veçantë Papa po na fton të reflektojmë mbi ungjillin e mëshirës për të cilën temë edhe ka vendosur të shpallë një vit të jashtëzakonshëm jubilar i cili do të mbahet në vitin e ardhshëm duke filluar me të Kremten e Zojës së Papërlyer të këtij viti.

Mendoj se në këtë perspektivë të Kishës Universale, e sigurisht duke mbajtur parasysh edhe specificitetin e realitetit kishtar shqiptar, duhet të vendoset edhe Asemblea e Përgjithshme që do të mbahet në qershor.

Piksëpari mendoj se ka shumë rëndësi në këtë assemble, ashtu sikurse Papa Françesku ka kërkuar për Sinodin mbi familjen, që të flitet hapur, me parrezi. Unë shpresoj shumë se nuk do të jetë vetëm një asemeble hozanuese e rezultateve të arritura deri tani, por edhe një vështrim kritik mbi çka është bërë, jo aq për për të kritikuar si qëllim në vetvete, por sikurse thotë vetë etimologjia e fjalës për të dhënë një gjykim dhe vlerësim që do të na ndihmojë për të ardhmen. Sinqeriteti dhe guximi për të vërtetën janë elementë thelbësor që duhet të karakterizojnë Kishën e cila në këtë është dishepulle e Zotërisë së saj i cili përballë të vërtetës kishte një qëndrim autentik e pa dredha. Të flasim hapur do të thotë të shikojmë në sy gjërat, atë çka është bërë në këto vite duke falenderuar Zotin për gjithçka të mirë që është bërë, por edhe duke pasur guximin të bëjmë një mea culpa komunitare apo edhe personale për çka nuk është bërë mirë si fryt i neglizhencës, përtacisë apo dëshirave për protagonizëm.

Së dyti mendoj se një vështrim mbi të shkuarën duhet të na drejtojë drejt së ardhmes duke jetuar të tashmen e Kishës. Shpresoj që organizatorët apo ideuesit e kësaj Asembleje të mos kenë tundimin ta mbyllin sa më shpejt e më pas të nxjerrin konkluzionet. Nuk mendoj se ka nevojë tani për konkluzione e vija pastorale të përbashkëta. Konkluzionet dhe programet baritore mendoj se duhet të vijnë në një moment pak më tutje. Duhet të ketë një follow up të bashkësive mbi atë çka është thënë në asmeble. Rreziku është që nëse dalim me ndonjë dokument, i cili duhet të jetë për të gjithë Kishën në Shqipëri, mund të mbesë letër e vdekur si shumë dokumenta të tjerë. Duhet një reflektim i mëtejshëm e ndoshta edhe një mbledhje tjetër në mënyrë që të përforcohen kushtet për një veprim baritor të përbashkët, por që mban parasysh edhe nevojat e veçanta të çdo ambjenti.

Së treti shpresoj shumë që gjatë asemeblesë t’u jepet hapësirë të gjithëve, sidomos meshtarëve dhe rregulltarëve që punojnë në jetën baritore, që të flasin e të tregojnë e pse jo edhe të shfryjnë krejt lodhjen e tyre, pakënaqësitë, sfidat që kanë, si e mendojnë ata një çështje etj., duke qenë se në këto vite ata janë në kontakt me popullin më shumë se kushdo tjetër. Ata mund të sjellin në këtë asemeble jo vetëm zërin e tyre, por edhe të njerëzve me të cilët punojnë.

Një pikë tjetër që do të doja të ndodhte është mundësia e sa më shumë personave që të marrin pjesë në asemble sidomos laikë dhe të rinj e të kenë zërin e tyre në mënyrë që të rekuperojmë frymën konciliare të një Kishe si popull i Hyjit.

 

Ndërsa i afrohemi kësaj asembleje ka rëndësi të ftojmë besimtarët të gjithë që të luten për mbarëvajtjen e saj. Pa Frymën e Hyjit nuk mund të shkojmë shumë larg e ajo duhet kërkuar me ngulm.

Previous Irlanda katolike dhe vota pro martesave gay
Next Kontakt

Sugjerime