TI KUR TË LUTESH, HYR NË DHOMËN TËNDE

TI KUR TË LUTESH, HYR NË DHOMËN TËNDE

Nga Gjergj Meta

Ju rrëfej sinqerisht se lutja për mua nuk ka qenë kurrë një gjë e thjeshtë. Ndoshta vetëm në disa momente të rralla më ka ardhur në mënyrë krejt spontane dhe pa shumë sforcim. Mund të duket nëj shkandull që një prift e thotë këtë gjë, por mendoj se duhet të jemi të ndershëm në një pike, që të gjithë mësuesit e shpirtit e pohojnë, se lutja është një nga veprimtaritë më të vështira të njeriut besimtar e të njeriut në përgjithësi.

Ndërkohë që ishin me Jezusin e pas tij, dishepujt i kërkojnë Atij që t’i mësojë të luten (Lk 11, 1) ). Ata kanë dëshirë të mësojnë të luten, ndoshta duke parë se si lutej Jezusi e sigurisht duke parë se çfarë efektesh kishte lutja në të. Megjithatë në momentet e vështira të jetës së Jezusit, mësuesit të tyre, dishepujt nuk arritën të luten as edhe një orë bashkë me të (Mk 14,37). Do të thoja me shumë bindje që lutja është një art shpirtëror dhe si i tillë ka nevojë të mësohet e mësimi kalon nëpërmjet mësuesit dhe ushtrimeve. I vetmi mësues (Mt 23,10) i cili mund të na mësojë lutjen është vetë Zotëria, por në rrugën tonë ka edhe njerëz të cilët, më të përparuar në jetën shpirtërore dhe më me përvojë, na mësojnë se si të lutemi.

Në fillim të Kreshmeve, të Mërkurën e përhime, gjatë meshës lexohet një pjesë nga Ungjilli i Mateut (Mt 6,1-6.16-18) në të cilin shpjegohen tre veprimtari shpirtërore që bëjnë pjesë në pasurinë e përvojës shpirtërore të popullit të Izraelit dhe të realitetit biblik në përgjithësi. Por nuk është e vështirë të shohësh se janë tre veprimtari që i përkasin në përgjithësi, pavarësisht ngjyrimeve specifike, të gjitha përvojave religjioze. Madje do të thoja se të treja këto gjëra i përkasin bashkëjetesës njerëzore dhe përvojës së saj të gjatë. Këto janë: agjërimi, lutja dhe lëmosha. Duke vendosur lutjen në mes, duket sikur Jezusi jep mesazhin se ajo shërben si një hallkë që lidh agjërimin me lëmoshën. Etërit e Kishës i shikonin të pandara të trija këto veprimtari. Ja çfarë na thotë shën Pjetër Krizologu në një  pjesë që nga ligjëratat e tij që e lexojmë të Martën e Javës së tretë të Kreshmeve në Liturgjinë e Orëve:

“Tri gjëra janë o vëllezër, tri me anë të të cilave feja mbetet e sigurtë, përshpirtëria përparon, virtyti qëndron: urata, agjërimi, lëmosha. Çka urata kërkon, agjërimi fiton dhe lëmosha e merr. Këto tri gjëra: urata, agjërimi, lëmosha, janë një gjë e vetme dhe i japin frymë njëra-tjetrës. (Liturgjia e Orëve, e Martë , Java e Tretë e Kreshmeve)

 

Për sa i përket lutjes Jezusi u thotë dëgjuesve të tij që “…kur të lutesh hyr në dhomën tënde mbylle pas vetes derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi.” Kjo që kërkon Jezusi është në kundërshtim të hapur me çka bëjnë hipokritët – shtiracakët të cilët luten në këmbë nëpër sheshe që t’i shohin njerëzit (Mt 6,5). Një përshpirtërie të jashtme dhe vetëm sa për dukje, Ai i kundërvendos një përshpirtëri të brendshme, si një dialog intim me Atin.

Çfarë na kujton metafora e dhomës në lidhje me lutjen e çfarë mund të nxjerrim ne si përftim për veten tonë? Dhoma është një hapësirë brenda shtëpisë që na kujton më së pari veçimin. Shtëpia është banesa e të gjithëve, e të gjithë anëtarëve të familjes, ndërsa dhoma është diçka më intime, më e brendshme dhe më e veçuar. Ka momente kur ne lutemi në bashkësi me të tjerët, sikurse është për shembull lutja e ditës së djelë me meshën e shenjtë, apo kur themi rruzaren në familje. Ky është aspekti i dukshëm kishtar i lutjes, ku e gjithë bashkësia e Zotit njëzëri thotë: po i rrëfehem…, besoj… etj etj. Ndërsa dhoma është diçka shumë më personale. Që të lutesh mirë është e nevojshme të veçohesh nga të tjerët. Jo rrallëherë ne e shohim Jezusin që lutej në vende të veçuara, të pabanuara (eremos). Kjo hapësirë është e nevojshme madje e domosdoshme për një lutje të mire, pasi ndihmon në përqendrimin tim të cilin mund ta tundojnë persona të tjerë. Gjithashtu ajo hapësirë kthehet në një “tempull” i kushtuar Hyjit. Lutja personale, ajo në dhomën time, është një përzgjatje e lutjes në bashkësi ose ansjelltas, por është gjithmonë e njëjta lutje, i njëjti komunikim me Hyjin. Duke hyrë në dhomën tënde e duke u lutur ajo hapësirë fizike e dhomës kthehet në një eremos, një vend i pabanuar, i veçantë e kështu unë mund të nisë një bashkëbisedim me Hyjin.

Jo rrallëherë në Bibël marrëdhënia ndërmjet Hyjit dhe njeriut është përshkruar me terma që i përkasin jetës dashurore të një çifti (Kk, Oz). Dhoma martesore është simboli i intimitetit dhe simboli i frutshmërisë. Kështu dhoma kthehet në simbolin e jetës e vazhdimësisë së jetës. Por kjo është e pamundur të ndodhë nëse nuk hyhet aty e nuk mbyllet dhoma nga pas vetes. Aty në dhomë bisedohet, shihet sy më sy, pa vello, pa pengesa e pa turp. Aty qesh, qan, zemërohesh, derdh lot gëzimi e lot hidhërimi.

Duke hyrë në dhomë e duke mbyllur derën pas vetes unë i mbyll derën të tjerëve jo se dua t’i largoj, por se dua te takohem me dikë e gjithashtu u mbyll derën edhe zhurmave të cilat i lë jashtë. Braktisen fjalët, për të dëgjuar Fjalën. Mund të themi se lutja është klithja e heshtjes. Lutja është heshtje. E dhoma garanton pikërisht këtë gjë: heshtjen. Në realitetin tonë heshtja është nga elementët më të munguar. Sot ne e kemi humbur heshtjen. Kemi më shumë dhoma, por më pak heshtje. Ajo na frikëson në të vërtetë, pasi kthehet në një pasqyrë, në një klithje të ndërgjegjes tonë e cila na “padit” jo aq moralisht (sigurisht edhe ashtu), por mbi të gjitha nga pikëpamja thjesht e rritjes njerëzore. Vetëm në heshtje mund të zbulojmë, dëgjojmë e shohim njerëzinë tonë e sidomos kur ajo është e plagosur, apo joautentike (shtiracake sikurse thotë Jezusi). (vazhdon)

Previous E ardhmja e shpirtit
Next ATI TE KA FALUR PARA SE T'I KERKOSH FALJE

Sugjerime