Origjina e Krishtlindjes

Origjina e Krishtlindjes

Nga Matias Auge*

Dëshmia më e lashtë e dokumentuar e kremtimit të Krishlinjdes me 25 dhjetor është me origjinë romake. Bëhet fjalë për dokumentin Kronografi i Furius Dionisius Filocalus. Kemi të bëjmë me një dokument të vitit 354 i cili përmban të dhëna të ndryshme të rendit civil dhe dy lista datash varrimesh, njëra e ipeshkëvinjëve (apo peshkopëve) romanë dhe një tjetër e martirëve, me, në të dyja rastet, treguesit e varrezave përkatëse. Secila prej këtyre listave të varrimeve nuk është e sistemuar sipas një rendi historik, por kalendarik dhe data e parë në listën e martirëve është ajo e 25 dhjetorit me këtë shënim: “VIII Kal. Ianuarii natus Christus in Betlehem Iudeae “.

Në Listën e Ipeshkëvinjëve data e parë është 27 dhjetor, dita e varrimit të Papës Dionizi (+268). Lista vijon me muajt e ndryshëm të vitit deri te lajmi i varrimit të Eutikianit më 8 dhjetor e ndjekur nga  varrimi i dy papëve jo martirë: Marku (+336) dhe Juli I (+352). Këto dy lajme të fundit gjenden jashtë rradhës së kalendarit dhe janë në rendin historik. Kjo na lejon të pohojmë se teksti më i lashtë i kalendarit Filokalian është i vitit 336. Mund të përfundojmë duke pohuar se kremtimi i Krishtlindjes në Romë ka ndodhur rreth vitit 330. Duket që më së pari kjo festë është kremtuar vetëm në Bazilikën e Shën Pjetrit, e ndërtuar pak a shumë rreth asaj kohe.

Lind pyetja se si u zgjodh data e 25 dhjetorit për kremtimin e Krishtlindjes. Në lidhje me këtë çështje janë formuluar hipoteza të ndryshme. Janë tre lloj faktorësh të cilëve duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe janë të lidhur në mënyrë të ndërsjelltë: a. i gjithë sistemi i përllogaritjeve, i bërë në bazë të të dhënave biblike dhe jashtë – biblike, për të përcaktuar datën historike të lindjes së Jezusit; b. trysnia e shkaktuar brenda Kishës, në debatin kristologjik, në urgjencën për të dalluar e përjashtuar doktrinat heterodokse; c. ndikimi i kontekstit pagan, i parë qoftë nga pikëpamja e një rreziku për besimin e bashkësisë e qoftë nga pikëpamja e një mundësie inkulturimi.

Sipas një opinion të parë, Krishlindja  ka ardhur si një kremtim i përvjetorit të lindjes së Jezusit. Edhe pse data e vërtetë e lindjes së Jezusit është e panjohur, ajo e 25 dhjetorit vjen nga një traditë e lashtë, sipas së cilës Jezusi është ngjizur në të njëjtën ditë dhe muaj në të cilën ka vdekur, e d.m.th. me datë 25 mars. Të krishterët e parë ishin të bindur se Jezusi kishte jetuar në tokë në një numër të saktë vitesh e pra data në të cilën ka vdekur është e njëjta me atë në të cilën është ngjizur. Megjithatë mendohet se kjo traditë nuk ka përcaktuar origjinën e festës, por vetëm është një përpjekeje për të shpjeguar vetë festën. Në fakt në Kishën e Lashtë përpjekjet e datimit të lindjes së Krishtit janë të ndryshme dhe jo uniforme.

Dy shekuj pas themelimit të festës së Krishtlindjes, rreth vitit 525 pas Krishtit, Dionisi i Vogël (Dionysius Exiguus), një murg shumë i kulturuar i Skythisë i cili jetoi në Romë në gjysmën e parë të shek. VI, mori prej kancelarit të Papës detyrën për të përsosur përllogaritjet për datën e Pashkëve, sipas vendimeve të marrë në kohën e Koncilit të Nikesë. Në bërjen e kësaj pune ai mendoi t’i llogarisë vitet jo më duke ia nisur nga data e shpalljes së Dioklecianit Perandor (283 pas Krishtit), sikurse bëhej në ato kohë, por nga lindja e Jezusit (anno Domini), prej tij e vendosur më 25 dhjetor të vitit 753 nga themelimi i Romës. Në këtë mënyrë murgu euro-aziatik  u bë themeluesi i erës së krishterë.

Një hipotezë e dytë e origjinës së Krishtlindjes, e frymëzuar nga apologjetika dhe nga historia e religjioneve, pohon se Kisha e Romës i ka kundërvënë festës pagane të “Natalis (Solis) Invicti”, e vendosur në vitin 274 nga perandori Aurelian në solsticin e dimrit, Lindjen e Krishtit, dielli i vërtetë i drejtësisë (Ml 3,20), “një diell që lind nga lart për të ndriçuar ata që janë në errësirë dhe në hijen e vdekjes” (Lk 1,78-79). Vihet re se themelimi i një feste të tillë është në sintoni me konceptimin sinkretist të Kostandinit, nën perëdnorinë e të cilit, në viti 321, edhe dita e Zotit, apo dita e diellit (e Diella), u bë ditë pushimi civile. Në përkrahje të kësaj hipoteze citohet një mozaik i krishterë i gjysmës së shekullit III, ai i Mauzoleut të Julëve në varrezën e Vatikanit që paraqet Krishtin si Helios mbi një karrocë triumfuese. Studjuesja Christine Mohrmann ka mbështetur të njëjtin opinion me argumenta të marra nga filologjia, duke vënë re se prej kohësh termi latin “natalis” kishte pranë të krishterëve domethënien e përvjetorit të “ditës së vdekjes”; vetëm një konatkt i përtërirë me përdorimin e gjuhës profane mund të bënte që të lindtte një “natalis” – dita e lindjes, përkarshi “natalis” së krishterë – dita e vdekjes.

 

Një hipotezë ë tretë, më shumë se sa sqaron origjinën e Krishtlindjes, shpjegon shpejtësinë e jashtëzakonshme me të cilën festa, e lindur në Romë, u shpërhap në të gjithë krishtërimin. Lufta lundër herezive ariane nxorri dukshëm në pah personin e Njeriut-Hyj. Një festë e lindjes së Krishtit mund të jepte një shprehje të duhur liturgjike shpalljes së besimit të Nikesë që në 325 dënoi arianizmin. Më vonë, në gjysmën e shekullit V, ajo u pohua nga predikimet e Krishtlindjes të Shën Luanit të Madh, dëshmitari më i kualifikuar i kuptimit zanafillor të Krishtlindjes në liturgjinë romane, përveçse edhe autor i disa teksteve të Krishtlindjes në Sakamentarin Veronez.

*Profesor i Merituar ne Fakultetin e Liturgjise se Shenjte ne Ateneun Anselmian ne Rome

Previous Pritja frytdhënëse
Next Krishtlindja 2014 dhe varferia ne Shqiperi!

Sugjerime