Familja shqiptare: ende e shëndetshme, por ka edhe probleme.

Familja shqiptare: ende e shëndetshme, por ka edhe probleme.

Interviste me Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkev i Shkoder-Pultit

1.  Cila ka qenë risia e këtij Sinodi për sa i përket atmosferës mes ju Etërve Sinodalë?

Që prej fillimit, organizimi i Sinodit ka favorizuar një klimë kthjelltësie që na ka lejuar të punojmë mirë, në vetëdijen se jemi në shërbim të së vërtetës, pa mendjemadhësinë se tashmë e zotërojmë atë, por me përvujtërinë që një kërkim i vërtetë supozon. Ka qenë një përvojë e bukur e Kishës universale. Vetë Papa Françesku ka kërkuar që të jemi të çiltër e të sinqertë pa frikë. E pastaj prania e vazhdueshme, shumë vëllazërore dhe e matur e Papës Françesku ka qenë garancia e këtij Sinodi.

Është interesant fakti se Papa Françesku arrinte në Sinod para shumë vetëve prej nesh për të përshendetur personalisht secilin prej Etërvve Sinodalë dhe të pranishmit e tjerë në Sinod. Prandaj, në kundërshtim me atë që gossip-i gazetaresk i këtyre ditëve ka dashur të përhapë, mendoj se vetëm ne që kemi marrë pjesë aty mund të shprehim një vlerësim të vërtetë mbi atë se si është punuar. Një klimë e kthjellët nuk ekziston prej mungesës së ndryshimeve në opinione, por prej aftësisë për të debatuar kthjelltësisht me vetëdijen se ajo që na bashkon mund të na bëjë të arrijmë më lehtë në një qartësi mbi atë që ende kërkon kohë për t’u përkufizuar. Të gjithë ne Etërit Sinodalë kemi ndjer se Krishti dhe Shpirti Shenjt ishin të pranishëm në sallën e Sinodit.

2.  Sipas jush, çiftet e bashkëshortëve, të pranishëm në Sinod, çfarë ndihmese kanë sjellë?

Ka qenë me të vërtetë e rëndësishme prania e çifteve në Sinod; dhe kjo jo aq për dëshmitë e tyre të bukura të fesë dhe të jetës konkrete, se sa për vetë faktin se ishin aty. Në fund të fundit, ishte një Sinod mbi familjen! Një Sinod është një ngjarje e rëndësishme për jetën e Kishës: është vendi ku Shpirti bën që të dëgjohet zëri i tij dhe kërkon aftësinë për dëgjim e gatishmëri për të shqyrtuar vetveten në mënyrë që Fjala e Hyjit të gjejë mënyra gjithmonë të reja për t’u zbatuar. Prandaj praninë e çifteve të bashkëshortëve në Sinod e kemi konsideruar pikërisht si dëgjimi i duhur që i duhet dhënë Shpirtit. Nëse pastaj dëshmitë e tyre në ndonjë mënyrë kanë ndikuar në debatet e Etërve sinodalë, këtë mund ta thotë vetëm secili prej Etërve në ndërgjegjen e vet. Ajo që ka rëndësi është se u është dhënë zë të interesuarve të drejtpërdrejtë, edhe pse, natyrisht, bëhej fjalë vetëm për një përfaqësi.

3.  Cilat janë risitë më të rëndësishme të Sinodit në temën e Familjes? 

Besoj se është ende e parakohshme të flasim për risi të Sinodit. Ajo që kemi jetuar gjatë atyre ditëve është vetëm një pjesë e punës që do të vazhdojë gjatë gjithë vitit dhe që do të përfundojë në Sinodin e Zakonshëm të vitit 2015, të cilin do ta ndjekë një dokument papnor mbi këtë temë. Edhe kjo metodologji në vetvete përfaqëson një risi. Pastaj, sigurisht që përfshirja e drejtpërdrejtë e Atit të Shenjtë, raportet e përditshme drejtuar mediave si dhe feedback-et që kanë vijuar e kanë përcaktuar këtë Sinod si një ngjarje të vërtetë kishtare dhe jo vetëm si angazhim të njëfarë numri të ngarkuarish.

4.  Marrëdhënia mes homoseksualëve dhe bashkësisë së krishterë si duhet të ndryshojë? 

Dëshiroj të saktësoj se ky ishte një Sinod mbi familjen dhe që përballimi i temave “të nxehta” ka qenë vetëm një aspekt i punimeve tona. Përshtypja e përgjithshme është se pritej të flitej vetëm përreth situatave problematike duke harruar se familja nuk është vetëm problematicitet, por edhe një vlerë në vetvete. Thënë kjo, në lidhje me marrëdhënien mes bashkësisë së krishterë dhe personave homoseksuale pak gjë mund t’i shtohet asaj që është thënë tashmë shumë herë dhe është përsëritur në kontekste të ndryshme, përveçse edhe prej vetë Sinodit. Flasim për persona dhe si të tillë ata duhet të konsiderohen në pasurinë dhe veçantinë e tyre, pa u diskriminuar, siç na kujton Katekizmi i Kishës Katolike! Prandaj, bashkësia e krishterë ka detyrën të jetë gjithmonë mirëpritëse dhe respektuese ndaj të gjithëve si dhe të marrë përsipër shoqërimin e çdo anëtari të saj në ecjen e fesë dhe të jetës konkrete. 

5.  Ecja e të divorcuarve të rimartuar çfarë karakteristikash duhet të ketë për Etërit Sinodalë? 

Edhe kjo është një temë e përballuar nga Sinodi dhe rreth së cilës ka pasur shumë propozime si dhe janë vlerësuar shumë ide. Po, është folur edhe për “ecje” për të divorcuarit e rimartuar, por, siç po thosha më parë, nuk ka asgjë të përcaktuar dhe duhet të presim vitin e ardhshëm, sepse duhet koha e nevojshme për të reflektuar, për t’u lutur e për të lejuar që Shpirti Shenjt të na ndriçojë. Prandaj asgjë nuk përjashtohet a priori. Detyra jonë është ajo që të jemi të dëgjueshëm ndaj asaj çka Shpirti do të na thotë.

6.  Në Shqipërinë tonë cilat janë hijet dhe dritat e familjes? 

Në relacionin tim në Sinod mbi situatën shqiptare kam thënë se familja është një vlerë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme. Ideja e martesës që ka shqiptari, cilësdo fe t’i përkasë ai, është shumë në linjë me mësimet e Kishës në lidhje me të. Edhe kur feja është vënë në provë të fortë prej diktaturës komuniste, familja ka qenë mjedisi në të cilën njerëzit kanë vazhduar të luten dhe t’i ruajnë të gjalla traditat fetare, megjithëse fshehurazi. Aq është e vërtetë sa, me shpalljen e ateizmit të shtetit, pikërisht familja qe objekt i shkatërrimit nga ana e diktaturës, duke e minuar atë nga brenda dhe duke favorizuar një klimë dyshimi e mosbesimi të ndërsjellë. Hijet që mund të përmend janë ato të mendësisë divorciste të ndikuar nga komunizmi, si edhe praktika e përhapur e abortit, fryt i mendësisë konsumiste. Ka ende shumë për t’u bërë për ta ringritur gjendjen e femrës, që praktikisht është një gjendje nënshtrimi, dhe problemet e lidhura me përbërjen e familjeve nëpërmjet martesave me shkusi. Pa harruar familjet e ndara për shkak të emigrimit. Së fundi, edhe në Shqipëri është duke u përhapur mendësia perëndimore që, siç e dimë, sjell me vete edhe pasoja serioze për familjen e kuptuar në mënyrën e krishterë.

7.  Kisha në Shqipëri, pas vizitës së kohëve të fundit të Papës Françesku, çfarë ecjeje ka përpara vetes?

Udhëtimi Apostolik i Shenjtërisë së Tij ka lënë një shenjë që vështirë se Kisha Katolike, por edhe krejt popullsia, do ta harrojë. Një ditë e vetme pranie domethënëse që i ka nxitur masat dhe ka ofruar motive për një reflektim serioz! Është e qartë se detyra jonë e parë si bashkësi e krishterë është ajo që të mos lejojmë të humbasin shpejt porositë që Papa Françesku na ka dhënë: na ka ftuar të fluturojmë lart dhe ne do ta bëjmë këtë si për jetën tonë të fesë ashtu edhe për angazhimin në mbështetje të një “fluturimi lart” shoqëror. Pastaj gjestet e tij, zgjedhjet e tij për të takuar kategori të caktuara personash nuk lënë dyshime mbi llojin e qëndrimeve që duhen marrë: dialogu me fetë e tjera dhe vëmendja ndaj të fundëve të shoqërisë, ashtu si edhe kujdesi për vetveten si të krishterë, të kushtuar e meshtarë përcaktojnë përparësitë në të cilat jemi të thirrur.

 

*Pjesemarres ne Sinodin e Jashtezakonshem te Ipeshkevinjeve mbi familjen

 

 

 

Previous Nje fjale diturie nga Jezusi
Next Krijimi nuk është magji ...

Sugjerime