Hyji dhe Cezari

Hyji dhe Cezari

Nga Armando Ceccarelli S.J.

E diela e 29-të A

Cezari apo Hyji? Jezusi përballet me dy pasionet më të mëdha publike të njerëzimit: politika dhe feja. Ne priremi t’i shohim si dy të kundërta sikurse shpirtin dhe materien, qiellin dhe tokën, tempullin ku Hyji banon dhe nderohet dhe qytetin e njerëzve. Nëse Jezusi do t’i shihte në kundërshtim me njëri-tjetrin, ose do të ishte një tradhtar i besimit hebraik, sepse do të bashkëpunonte me Romën, ku ndodhej Cezari, ose do të akuzohej si një rebel. Por me të vërtetë Jezusi dëshmon të jetë vetë Urtia. Ai realisht është “i Vërteti, i cili mëson udhën e Hyjit në të vërtetë.”

Përgjigja e tij na tregon se për ne të krishterë shpirti dhe materia nuk janë dy plane paralele që nuk takohen kurrë, apo nuk kanë asgjë të përbashkët, por janë dy dimensione, njëri horizontal si bashkëjetesa njerëzore dhe tjetri vertikal, që është ecja drejt Zotit dhe drejt thellësisë. Ku takohen ato? Këto përmasa takohen në ndërgjegjen e të krishterit, atje ku ai duhet të bëjë zgjedhjet e tij.

Jezusi e jep përgjigjen duke u nisur nga imazhi mbi monedhën me të cilën paguhej haraçi; kjo mbante imazhin e Cezarit, por me mbishkrimin “Cezarit hyjnor”. Imazhi i ofron Jesusit përgjigjen e parë: “Jepni Cezarit atë që është e Cezarit.” Vlera e shtetit duhet të njihet, ajo duhet të çmohet dhe respektohet sepse shteti ruan pasuritë e komunitetit. I krishteri i pranon detyrat civile si një mënyrë për të jetuar urdhërin e dashurisë, si një shërbim ndaj vëllezërve, për të mirën e të gjithëve.

Por mbishkrimi “Cezarit hyjnor” i frymëzon Jezusit fjalën e dytë: “Jepni Hyjit atë që është e Hyjit!” Kështu Jezusi na kujton se ka një tjetër imazh, që është ai të cilin Hyji Krijues ka shtypur në zemrën e secilit prej nesh, të krijuar “në shembëllimin dhe ngjashmërinë e tij.” Kështu, edhe Hyjit i duhet dhënë çfarë është e Hyjit, pra, krejt vetja jonë. Cezari, pushteti politik, nuk mund t’i zotërojë njerëzit. Prej tyre mund të kërkojë disa gjëra, por identiteti i njerëzve mbetet pronë e Zotit, i cili është i vetmi që mund t’i zotërojë njerëzit duke respektuar lirinë e tyre. Cezarit mund t’i japësh “talentet” materiale d.m.th. para ose rrogë, por Hyjit duhet t’i kthesh talentet e tua njerëzorë, aftësitë e tua profesionale dhe inteligjencen, d.m.th. terë personin tënd.

Në thelb, po ta mendojmë mirë, bëhet fjalë për të kthyer atë që kemi marrë. Ne kuptojmë se çdo gjë e kemi marrë nga Hyji pikësëpari dhe pastaj nga gjithë të tjerët, kështu që jemi të thirrur për të bërë një akt kthimi dhe drejtësie ndaj Hyjit, sigurisht por edhe ndaj shoqërisë civile.

Isaia na thotë në leximin e parë që edhe ata të cilët qeverisin kombet janë pronë e Zotit dhe Pali në letrën e tij drejtuar Selanikasve – që është dokumenti më i vjetër i Besëlidhje së Re i vitit 51- na thotë se bashkëjetesa është një dhuratë e hirit që na bën “kishë”, na thërret dhe na lidh. Ne i përkasim Zotit dhe njëri-tjetrit pa përjetuar ndjenjën e shpronësimit, sepse kjo përkatësi është brenda një marrëdhenje dashurie. Ç’urti e madhe e planit të Hyjit për ne!

Na bëftë gjithnjë e më shumë një familje të bashkuar Fjala e Hyjit që dëgjojmë. Na dhëntë hirin që të ndihemi gjithnjë e më shumë se i përkasin njëri-tjetrin, ne që deklarojmë se jemi katolikë, dhe të na nxisë të ndihmojmë të tjerët më shumë sesa të marrim për vete: “Ka më shumë gëzim kur jep se kur merr” është një nga fjalët që Zoti Jezus më me siguri tha. Deri tani kemi marrë shumë. Tani të fillojmë lëvizjen në anën e kundërt, pra, të japim, të kthejmë. Nëse kemi menduar deri më tani për të mbuluar nevojat tona, tani të fillojmë të mendojmë për të mbuluar nevojat e vëllezërve më në nevojë.

Uroj që fuqia e Ungjillit – si thotë Pali – të veprojë në ne dhe fuqia e Shpirtit të Shenjtë të na bëjë “një zemër dhe një shpirt” si të krishterët e parë. Vetëm atëherë do t’i japim Cezarit, që është jeta civile, çfarë është e drejtë, por edhe t’i lejojmë Hyji të na modelojë gjithnjë e më shumë sipas imazhit të tij, të lumtur dhe të gëzuar që i përkasim Atij, i cili është për definicion dashuri plot respekt.

 

 

Previous Papa Pali VI (1897 – 1978)
Next Kush kujdeset për punëtorët?

Sugjerime