Sinodi mbi familjen dhe “sinodi” i ardhshëm i Kishës në Shqipëri.

Sinodi mbi familjen dhe “sinodi” i ardhshëm i Kishës në Shqipëri.

Nga Gjergj Meta

Është mbyllur java e parë e punimeve të Sinodit të Jashtëzakonshëm të Ipeshkëvinjëve në Romë. Është i treti i Sinod i Jashtëzakonshëm që është thirrur nga Papa në historinë e Sinodeve ipeshkëvore. Në vetvete Sinodi është një mbledhje e Ipeshkëvinjëve të cilët, të zgjedhur nga pjesë të ndryshme të botës, mblidhen në kohë ta caktuara për të ndihmuar në bashkimin e ngushtë ndërmjet Papës dhe vetë Ipeshkëvinjëve. (Kan 342).

Përvoja e këtyre ditëve, nga informacionet që janë dhënë nga Salla e Shtypit e Vatikanit, ka qenë ajo e një ballafaqimi të hapur të ipeshkëvinjëve katolikë mbi çështjet që brengosin sot familjen. Sikurse kanë thënë disa nga Ipeshkëvinjtë e pranishëm në Sinod, përvoja e një ndërkombtariteti të pranisë dhe të këndvështrimeve ka qenë vërtet një vlerë. Janë trajtuar tema nga më të ndryshmet, pa asnjë tabu, nga bukuria e martesës sakramentore, qëndrueshmëria dhe vlerat e saj, te problemet e divorcit, nga çështja e poligamisë te vështirësia e të rinjëve për të lidhur martesë, lidhjet homoseksuale dhe çështja e adoptimit të fëmijëve nga ana e çifteve homoseksuale dhe çështje të tjera që kanë ardhur si shqyrtim i pyetësorit që është bërë në të gjithë Kishën Katolike në gjysmën e fundit të vitit 2013 dhe që është dorëzuar në fillim të vitit 2014.

Sikurse dihet tashmë ky Sinod i Jashtëzakonshëm i paraprin atij tjetrit që do të mbahet në vitin 2015. Nuk priten ndoshta vendime të mëdha në këtë Sinod, sidomos për disa çështje kyçe sikurse është kungimi për personat e divorcuar dhe të rimartuar apo çështja e deklarimit të nulitetit të martesave nga ana e autoritetit kishtar. Por sigurisht që pritet një reflektim i gjithmbarshëm, në nivel sidomos lokal, por edhe universal, mbi çështjen e familjes në perspektivë të Sinodit të ardhshëm të Zakonshëm të vitit 2015.

Përvoja që do të sjellë me vete sigurisht edhe Arqipeshëvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, i cili është atje në emër të eipiskopatit shqiptar, do të duhet të na shtyjë si Kishë lokale që të reflektojmë të gjithë së bashku në këtë drejtim.

Fatmirësisht duhet të konstatojmë se familja shqiptare, me gjithë vështrësitë që po kalon, ende ruan të paprekur vlerën e bërthamës familjare të mbështetur mbi martesën. Martesa ndërmjet një burri dhe një gruaje është ende një realitet që kremtohet dhe ka një dimesion të sajin shoqëror të rëndësishëm. Janë të shumta familjet që çojnë përpara misionin e tyre dhe përpiqen të ruajnë unitetin dhe vlerat e respektit e ndihmës reciproke, përgjegjësinë e prindërve ndaj fëmijëve e gjithashtu kujdesin ndaj të moshuarve.

Por familja shqiptare dhe martesa ka gjithashtu probleme në Shqipëri. Në horizont duken shenjat e një lodhjeje kjo si pasojë e disa faktorëve. Divorcet në Shqipëri sipas INSTAT-it janë rreth 15 % e të gjithë martesave ndërkohë p.sh. që në Itali janë rreth 50 %. Por pavarësisht kësaj diference, ne asistojmë në këtë fenomen, në mënyrë të veçantë në zonat urbane. Kjo me pasojat që sjell mbi fëmijët dhe mbi vetë personat që kalojnë nëpër këtë fenomen. Ndërkohë që është ulur numri i martesave për çdo vit është rritur numri i divorceve. Në vitin 1990 ishin 28.992 martesa dhe vetë rreth 9 % e tyre mbaronin në divorc, ndërsa në vitin 2013 janë 23840 martesa dhe rreth 15 % e tyre përfundojnë në divorc.

Vështirësitë ekonomike janë një problem tjetër i familjeve shqiptare që shpesh I detyrojnë e I kanë detyruar në këto vite të jetojnë në emigrim ose edhe të ndarë. Por këto vështirësi kanë ndikuar sigurisht edhe në qetësinë e brendshme të familjes.

Po ashtu një lloj tranzicioni kulturor që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, një koncept antropoligjik shpesh i keqkuptuar i një lloj emancipimi, apo të paktën mungesa e një shoqërimi të duhur drejt këtëij emancipimi, ka sjellë që në shumë familje të ketë krisje shpesh tragjike.

Mungesa pothuasje totale e një strategjie në ndihmë të familjes, qoftë nga ana e një baritorje kishtare, por po ashtu edhe e mbështetjeve shtetërore, ekonomike apo formative, i ka shtyrë shumë të rinj që ose të vonojnë vendimin e tyre për martesë ose ta shohin atë me frikë. Martesat në Shqipëri kanë një trend të tillë që duhet të na bëjë të reflektojmë.

Po japim disa shifra të tjera që kanë lidhje direct apo indirekte me familjen dhe martesën. Nuk ka ndryshuar p.sh. trajtimi i femrës se mitur për martesën. Nga viti 1990 deri në vitin 2012 vajzat nën moshën 19 vjeçe që martohen janë pothuajse në të njëjtin numër me një mestare pothuajse prej 5000 në vit. Kjo krijon mjaft problem, sepse ndërkohë që adoleshenca psikologjike zgjatet gjithnjë e më shumë, përsëri vazjat shtyhen drjet martesës ende pa i mushur 18 vjeç.

Popullsia po plaket vazhdimisht. Nëse në vitin 1990 shtesa natyrore, pra raporti ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, ishte 63.932 njësi në vitin 2013 është vetëm 15.308 njësi. Me këto hapa pas njëzet vejtësh do të jemi një popullsi e plakur. Sigurisht kjo nxjerr problemin e madh të lindshmërisë në çift. Gjithnjë e më shumë çiftet bëjnë pak fëmijë. Pse kjo?

Çuditërisht, edhe pse duhet studjuar më mire, aborti në vitin 1994 ishte 434/1000 linjde, në vitin 2012 është 190/1000 lindje. Patjetër duhet të vërejmë se në vitin 1994 kishim 72.179 lindje ndërsa në vitin 2012 kemi 35.473 lindje pra rreth 50 % më pak.

Të gjitha këto reflektojnë situatën e familjes. Mund të lexohen si shenjë rritjeje ekonomike dhe përgjegjësie planifikuese të familjeve, por edhe si mosmundësi për të mbajtur fëmijët për shkak të problemeve ekonomike. Atëherë ose nuk lindin fëmijë ose shkojnë drejt abortit. Nuk është qëllimi im të jap vlerësime morale, por vetëm të ngre pyetje.

Sa i përket martesave në Kishën Katolike edhe pse ende nuk kemi numra të saktë për sa I përket ndarjeve, por nga Gjyqi kishtar mund të themi se ka shumë kërkesa për anullim të martesës. Edhe ku nuk ka kërkesa për anullim ka gjithsesi ndarje ose situata afër ndarjeve ose moskomunikimi toal.

Shumë çifte kërkojnë martesën në Kishë, por përgatitja që ata marrin për sakramentin e martesës ka shumë probleme që lidhen me mospranimin e një kohe përgatitjeje nga ana e çiftit nga njëra anë, dhe me mospasjen e një strategjie të qartë kishtare nga ana tjetër për formimin dhe shoqërimin e të rinjëve që duan të martohen.

Po ashtu familjet në nevojë, martesat në krizë dhe me problem, nuk gjejnë kudo një ndihmë profesionale që të ndikojë në pajtimin e tyre. Shpesh i lihet turpit faji, dmth që shumë familje e çifte nuk flasin për këtë gjë, por shpesh edhe mospërgatitjes së neve meshtarëve në administrimin e situatave të krizës kur çiftet trokasin në derën tonë.

Duke shpresuar që një reflektim serioz do të ndjekë këtë Sinod edhe në Kishën Katolike në Shqipëri më vjen të them se ka ardhur momenti që Kisha Katoloike të investojë seriozisht në formimin e atyre çifteve që kanë dëshirë të jetojnë martesën e tyre dhe të jenë formues për më të rinjtë. Për këtë nevojiten shtigje reflektimi dhe formimi në të gjitha famullitë dhe dioqezat me krijimin e grupeve të këshillimit dhe sidomos trajnimin e këtyre të fundit. Martesa si çdo zgjdheje tjetër kërkon impenjim. Ne meshtarët sado të përgattitur të jemi, mund të jemi vetëm një ndihmë ndaj atyre laikëve që duhet të marrin në dorë punën për formimin e të rinjëve për martesë dhe jetë familjare.

 

Në Kishën Katolike në Shqipëri, në muajt në vijim, është shpallur edhe mbajtja e një Takimi kombëtar, ta quajmë kështu një minisinod kishtar që duhej të ishte bërë tashmë, por Vizita e papritur e Papës e shtyu. Ndoshta ishte një shestim i përtejmë kjo gjë. Atëherë në këtë “sinod” duhet që tema e familjes të jetë në rend të ditës dhe me shumë përparësi. Një familje e shëndoshë rrit dhe edukon gjymtyrë të shëndosha për bashkësinë kishtare  dhe qytetarë të mire për shoqërinë. 

Previous Guri i këndit u bë gur themeli
Next Kur dashurohesha me Terezën

Sugjerime