Guri i këndit u bë gur themeli

Guri i këndit u bë gur themeli

Nga Armando Ceccarelli S.J.

E djela XXVII gjatë vitit

Si profeti  Isaia, ashtu edhe Jezusi përdorin imazhin e vreshtës për të përshkruar veprën e Hyjit në histori dhe përgjigjen e njeriut. Hyji përshkruhet si dikush që punon me pasion për të krijuar një kryevepër, porse rezultati është gjithnjë zhgënjyes. Kjo është historia e popullit të Izraelit, e cila vazhdon edhe në marrëdhënien e Hyjit të gjallë me ne, Kishën e Hyjit. Ndërsa tek Isaia arsyeja e zhgënjimit qëndron te frytet e tharta e të egra, që dolën në vend të fryteve të mira, sikurse pritej, në fjalët e Jezusit frytet janë, por nuk janë dorëzuar.

Tek Isaia Zoti priste drejtësi nga populli, sepse i kishte dorëzuar një ligj të përsosur nëpërmjet Moisiut, por gjen gjakderdhje dhe britma të shtypurish. Në shembëlltyrën e Jezusit frytet janë, madje të mira, por vreshtarët, që përfaqësojnë kryepriftërinjtë dhe krerët e popullit, nuk janë korrektë dhe mirënjohës ndaj Zotit të tyre.

Shërbëtorët e dërguar për të marrë frytet e vreshtës janë profetët, të cilët jo vetëm nuk janë pritur mirë, po, përkundrazi, janë torturuar dhe vrarë.

Megjithatë Zoti nuk lodhet duke pritur fryte në vreshtë dhe dërgon vetë Birin e tij, me shpresën se të paktën atë do ta dëgjojnë.

Këtu shembëlltyra e Jezusit bëhet më e drejtpërdrejtë, pasi Ai vetë është Biri, që hyn në histori për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Hyjit. Po vreshtarëve fytyra e Hyjit të vërtetë nuk u intereson; tek Biri shohin trashëgimtarin dhe e vrasin edhe atë, duke pretenduar jo vetëm të mbajnë frytet e vreshtës, por edhe të bëhen pronarë të saj. Me paragjykimet e tyre mbi Hyjin, të cilin e ndiejnë si një pronar që kërkon tepër, vreshtarët, pra, krerët e popullit, mohojnë edhe Hyjin, që në Jezusin zbulohet si një Atë i dashur. Jezusi do të jetë pikërisht epilogu i një historie të trishtë: vreshtarët e njohin si Birin dhe trashëgimtarin që duhet eliminuar, kryepriftërinjtë e gjykojnë si blasfemues dhe sakrileg, që kundërshton Mojsiun dhe Tempullin. “E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.”

Në këtë pikë Jezusi i fton bashkëbiseduesit e tij të përgjigjen: “Kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtareve?”. Këta, edhe pse janë zemërgur, e kanë kuptuar rëndësinë e të keqes së bërë dhe japin një përgjigje po aq të rreptë: “Të keqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtareve tjerë, të cilët do t’i japin frytin në kohën e duhur”.

Një përgjigje e drejtë sipas logjikës së hakmarrjes, me të cilën ne të gjithë priremi të reagojmë përballë së keqes dhe padrejtësisë: ndëshkimin maksimal keqbërësit, dënimin me vdekje keqbërësit dhe rivendosje të marrëdhënies pronar-vreshtë me vreshtarët e tjerë. Të eliminohen ata vreshtarë dhe të kërkohen të tjerë, me të cilët gjithçka kthehet si më parë.

Po kjo nuk është logjika e Jezusit, nuk është logjika e Hyjit, i cili nuk humb kohë duke u hakmarrë e duke shkatërruar të keqin. E as nuk reagon sikur të mos kishte ndodhur asgjë, por ushtron gjithëpushtetësinë e vet për të shndërruar të keqen e pësuar në një të mirë më të madhe. Po, Biri dërgohet dhe vreshtarët do ta vrasin, por ai Bir do të jetë “guri i hedhur”, që do të bëhet guri i këndit i një projekti të ri. Pasi Hyji ynë nuk ndalet përballë mosmirënjohjes, nuk do të ndodhë kurrë që për shkak të mosmirënjohjes njerëzore Hyji të bëhet armik i njeriut.

Jezusi e përfundon shembëlltyrën duke zbuluar një fytyrë të re të pronarit të vreshtit, i cili nuk do ta dorëzojë vreshtën e tij për të marrë fryte, po do t’ia dhurojë atij që do të japë fryte. Hyji pronar bëhet Hyji dhurues. Mbretëria e Hyjit është për ne, nëse jemi solidarë me të varfërit dhe nëse jemi në gjendje të ngushëllojmë ata që qajnë: “Lum të butët, se do ta trashëgojnë tokën!”.

Objektivi i Hyjit është të na japë një zemër të re, si të vetën, jo një zemër hakmarrëse, që mendon vetëm për vete, por një zemër vëllai, një zemër të vëmendshme ndaj nevojave të të tjerëve, si të ishin të tijat. Objektivi i Hyjit është një tokë bijsh që jetojnë si vëllezër: “nuk ju thërras më shërbëtorë, po miq”, domethënë njerëz që duan njëri-tjetrin me një dashuri të tillë që vendos lidhje më të forta se ato të gjakut. Fryti që Hyji pret nga ne nuk është i drejtuar drejt vetes, drejt interesit vetjak – nuk ka nevojë – por është i drejtuar drejt ne të gjithëve, bijve të tij, që jetojmë si vëllezër. “Oh sa punë e mirë e gjë e bukur është kur vëllezërit jetojnë së bashku!”, këndon psalmi 133.

 

Dhe mahnitja që ngjallnin të krishterët e parë ishtë pikërisht se ata “kishin një zemër të vetme e një shpirt të vetëm”, gjithçka e kishin të përbashkët dhe secili merrte atë për çka kishte nevojë. Mes tyre askush nuk ishte i varfër” (Vap 2,44; 4,32).

Previous “Homo religiosus” apo gjakim për jetën e shpirtit
Next Sinodi mbi familjen dhe “sinodi” i ardhshëm i Kishës në Shqipëri.

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore