Sulmi mbi të krishterët në Lindjen e Mesme

Sulmi mbi të krishterët në Lindjen e Mesme

 

Robert Barron SJ

Edhe pse, për shkak të sasisë së vogël të mbulimit në shumicën e lajmeve mediale, kurrë nuk do t`ju shkonte mendja, ekziston një persekutim i egër i të krishterëve që është duke ndodhur në Lindjen e Mesme. Në Egjipt, manastiret dhe kishat janë duke u djegur deri në themel dhe Koptët, anëtarët e një prej bashkësive më të lashta të krishtera, janë duke u sulmuar, torturuar dhe arrestuar në mënyrë të përhershme. Në Irak, grupi ISIS, duke shpresuar për të ri-krijuar një “kalifat” nëpër sektorin verior të Lindjes së Mesme, është duke i persekutuar brutalisht të krishterët. Pikërisht kohët e fundit, është lëshuar një ultimatum në Mosul, ku të krishterët jetojnë për më shumë se 1.600 vjet, me të cilin kërkohet që ata që besojnë në Jezusin detyrohen të paguajnë një gjobë të rëndë, të largohen nga vendi, ose të dënohen me vdekje. Dhe shoku i dukshëm i këtyre rasteve ekstreme mund të na lejojë ta anashkalojmë faktin se në Mbretërinë e Arabisë Saudite të krishterët nuk lejohen të ndërtojnë kisha ose të ushtrojnë besimin e tyre fetar publikisht në asnjë mënyrë.  

Për më tepër, persekutimi mysliman i krishterimit s`është i kufizuar në Lindjen e Mesme. Radikalët islamikë një kohë mjaft të gjatë janë duke i sulmuar të krishterët në Indonezi, Indi, Filipine. Dhe ndoshta shembujt më ekstrem të këtij persekutimi janë sulmet e nisura nga grupi islamik Boko Haram në Nigeri. Ky sekt terrorist ka djegur kisha, ka vrarë mizorisht të krishterë të pafajshëm që ndodheshin në adhurim, dhe më së fundi, i kanë rrëmbyer qindra vajza të krishtera, krimi i të cilave ishte pse po e ndiqnin shkollën.

Është mjaft lehtë për t`i dënuar këto akte si thellësisht çnjerëzore, por unë do të doja të vazhdoja me kritikën duke tërhequr vëmendjen për punën e dy paraardhësve të drejtpërdrejt të Papa Françeskut. Papa Gjon Pali II ishte mbrojtësi më i zëshëm i të drejtave të njeriut në shekullin e 20-të. Në të gjithë botën dhe në qindra vende të ndryshme, ai këmbënguli se respektimi i të drejtave themelore të njeriut duhet të jetë çelësi për një sistem të drejtë politik. Dhe nga të gjitha të drejtat e njeriut – për jetë, liri, një pagë të drejtë, mundësia për të votuar – më themelorja, mësonte ai, ishte e drejta e lirisë fetare. Kjo është për shkak se aspirata (dëshira e madhe) shpirtërore e zemrës njerëzore është ajo që na definon si qenie njerëzore. Shkelja e kësaj “hapësire” nga më të shenjtat është, pra, nga më fyeset, më të urryerat dhe më ç-njerëzueset. Ta përdorësh kërcënimin e forcës për të detyruar dikë për të ndryshuar bindjet e veta fetare – një gjë që rregullisht jemi duke e parë në Lindjen e Mesme – nuk është vetëm diçka kriminale, por edhe shpirtlige.

Është gjithashtu thellësisht irracionale (e paarsyeshme) – siç e bëri çështje Papa Benedikti XVI në fjalimin e tij në Universitetin e Regensburgut në shtator të vitit 2006. Në këtë fjalim kontrovers, Papa Benedikti tërhoqi vëmendjen për një dialog pak të njohur midis perandorit bizantin të shekullit 14-të Manuelit II Paleologus dhe një bashkëbiseduesi mysliman. Perandori kishte vërë në dukje se ideja e përhapjes së fesë me anë të pushtimeve të dhunshme, e cila është e rekomanduar në Kuran, është skajshëm irracionale, dhe arsyet që i jep ai i paraprijnë Gjon Palit II gjashtë shekuj. Besimi fetar është një funksion, jo i trupit, por i shpirtit, dhe për këtë arsye shtrëngimi nëpërmjet persekutimit fizik s`mund as në parim ta zgjojë besimin autentik fetar. Në vend të kësaj, njeriu duhet qenë i zoti për t`u ballafaquar me argumentet, të cilave do t`i referohej mendja: “për të bindur një shpirt të arsyeshëm, s`nevojitet një krah i fortë, apo armë çfarëdo lloji qoftë, apo ndonjë mjet tjetër për të kërcënuar një person me vdekje.” Me pak fjalë, ideja e luftës së shenjtë nuk është syn logon (në përputhje me fjalën o arsyen). Dhe këtu është pika vendimtare: ajo që është e paarsyeshme është bishtnim që i bëhet natyrës së vetë Hyjit, prej kur Hyji, siç e lexojnë të krishterët, identifikohet me Logos-in: “Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte në Hyjin, e Fjala ishte Hyj.”

Megjithatë, në doktrinën myslimane, natyra e Allahut është aq transcendente (i përtejmë) sa që ajo shkon përtej ndonjë kategorie, përtej të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe atë të arsyes (racionales). Papa Benedikti citon dijetarin e dalluar francez të islamit R. Arnaldez-in, i cili vë në dukje se All-llahu nuk është i lidhur as me fjalën e tij, kështu që nëse e ka zgjedhur, ai mund të rekomandojë idhujtarinë si moralisht të lavdërueshme. Ky lartësim i vullnetit hyjnor mbi mendjen hyjnore, i quajtur “voluntarizëm” në Perëndim, është, për Benediktin, burimi i konfuzionit enorm dhe ligësisë. Më së dukshmi dhe më së rrezikshmi, i hap rrugën idesë së dhunës të sanksionuar hyjnisht. Tani unë e kuptoj plotësisht se shumë të krishterë gjatë shekujve kanë bërë gjëra të tmerrshme në emër të Hyjit dhe se shumica dërrmuese e myslimanëve janë paqësorë dhe jo të dhunshëm. Por unë mendoj se është e qartë se kur të krishterët veprojnë në një mënyrë të tillë, ata janë pa mëdyshje në kundërshtim me konceptimin e tyre të Hyjit. A vlen e njëjta e vërtetë për myslimanët? Unë jam ende duke pritur një përgjigje bindëse nga kampi mysliman që t`i japin pyetjes së parashtruar tetë vjet më parë nga Papa Benedikti. Në atë kohë, natyrisht, radikalët islamikë u përgjigjen duke vrarë një numër të krishterësh të pafajshëm – sigurisht një mënyrë interesante e të hedhurit poshtë të idesë se dhuna hyjnisht e sanksionuar është irracionale!  

Në ndërkohë, unë besoj se të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë duhet të luten për viktimat e të dyja anëve dhe përndjekësit e tyre, sepse mënyra më e mirë për të nderuar Hyjin është nëpërmjet aktit të dhembshurisë. I njëjti Hyj i cili identifikohet me Logos-in, në bazë të Letrës së parë të Gjonit, është i identifikuar edhe me Dashurinë.  

(Robert Barron SJ është rektor i Seminarit Mundelein dhe themelues i “Word on Fire”; Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Previous Zemërim i pafuqishëm
Next Të devotshmit e dhunshëm? Tri pyetje-përgjigje lidhur me fenë dhe dhunën

Sugjerime