Dashuri pa dallim

Dashuri pa dallim

 

“Hyji është dashuri në të njëjtën mënyrë si një diamant që është i gjelbër.” Kështu thotë Simone Weil. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Hyji është vetë dashuria? Nuk ka asgjë të fshehur pas dashurisë së Hyjit. Pa marrë parasysh atë që bëj, Hyji do të më dojë njëjtë – as më shumë, as më pak! Jezusi e krahason Atin me diellin, i cili thjesht shkëlqen kështu që edhe të drejtët edhe të padrejtët ngrohen nga ai. Sa herë që e shikoj diellin mund të them: “Hyji është si dielli.” Te Hyji s`ka diskriminim në dashuri.

Detyra e të Birit është ta dëftojë natyrën bujare të dashurisë hyjnore dhe t`ua tregojë njerëzve një mënyrë të re të marrëdhënieve: “ta doni njëri-tjetrin si duam Ati dhe Unë”, thotë ai. Prandaj kemi nevojë të gjejmë rrugë të mençura dhe të përshtatshme të bashkëjetesës në të gjitha sferat e jetës. Jeta politike dhe ekonomike, kishtare dhe familjare duhet të jenë një pasqyrë e dashurisë së mençur.

Me fjalë dhe vepra Jezusi e ilustron qartë mënyrën e re të marrëdhënieve. Krahasimet, shëmbëlltyrat e tij tronditnin dhe i vinin në siklet ata që dëgjonin. Çfarë tronditje shkaktoi kur tha se i afërmi i njeriut të plagosur ishte Samaritani! Babai i mirë a duhej ta ketë mohuar të birin e tij të pabindur? A duhej që punëtorët që kishin punuar gjithë ditën të merrnin më shumë sesa punëtorët e orës së fundit?

Jezusi kishte një personalitet të integruar mirë. Ai mund të ishte i sjellshëm, i butë, por edhe sfidues dhe i zemëruar – shkaktonte reagim te të tjerët. Ai përleshet, bie në konflikt me udhëheqësit fetarë dhe i nxjerr këmbyesit e parave nga Tempulli. Dashuria e mençur merr shumë forma: ajo nuk është turpshme as pasive; ajo mund të jetë kërkuese, por edhe e shumëvuajtur.

 

(Përshtatur nga Gerry O’Hanlon SJ: “A Renewed Devotion to the Sacred Heart.” Dublin, Messenger Publications, 1992; Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Previous Përballu me të metat e tua
Next "Dëshira është mendim penal"

Sugjerime