Përballu me të metat e tua

Përballu me të metat e tua

 

Gerald M. Fagin SJ

 

Ne nuk kemi marrë gjithmonë vendime që na kanë çuar të lëvdojmë, adhurojmë dhe t`i shërbejmë Hyjit. Nuk kemi vepruar gjithmonë në atë mënyër që të besonim se jemi të dashur. Nuk jemi sjellë gjithmonë me çdo gjë në jetë si me një dhuratë.

Ne arrijmë te një vetëdije modeste që qenkemi mëkatarë, që shpesh paskemi qenë mosmirënjohës dhe të pabesë. Nuk paskemi qenë në gjendje t’i përgjigjemi ofertës së dashurisë së Hyjit duke dështuar ta duam Hyjin dhe të afërmin. Mëkati është mungesë dashurie. Mëkati nuk është vetëm ajo që ne bëjmë, por edhe ajo që me lëshime nuk e bëjmë. Injaci gjithë këtë ia atribuon mungesës së mirënjohjes, falënderimit: lëshimit/dështimit për të njohur çdo gjë si një dhuratë që duhet të kultivohet, vlerësohet dhe të ndahet me të tjerët. Për Injacin, mosmirënjohja është mëkati më i madh dhe rrënja e të gjitha mëkateve të tjera. Në fund, ky edhe është lëshimi/dështimi për të dashur Hyjin sikurse Ai na do ne.

Një njohje e tillë na çon në keqardhje. Injaci na fton të lutemi për të na ardhur keq dhe turp, për një njohje të thellë të brendshme të mëkatarshmërisë sonë, të çrregullimit në jetët tona dhe të mosmirënjohjes dhe mungesës për t`iu përgjigjur ofertës së jetës të Hyjit. Një keqardhje e tillë na çon në pendim dhe kërkim të faljes – t`i kthehemi Hyjit të cilin e paskemi fyer. E kuptojmë se paskemi qenë larguar nga ai të cilin më së shumti e dëshirojmë.

Ne jemi mëkatarë, por jemi të falur. Të dyja janë të lidhura. Vetëm kur e rrëfejmë mëkatshmërinë tonë dhe qëndrojmë me keqardhje para Hyjit, mund ta përjetojmë mëshirën e Hyjit. Jemi mëkatarë të dashur. Hyji na do edhe kur jemi mëkatarë. Vetëm kur e kuptojmë thellësinë e mëkatit tonë, do ta kuptojmë edhe thellësinë e mëshirës së Zotit. Nuk jemi aq të mirë sa ne mendojmë, por jemi të dashur më shumë se ne do të jemi në gjendje ndonjëherë ta imagjinojmë.

 

(Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Previous Buka e jetës
Next Dashuri pa dallim

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore