Zoti nuk është rastësisht i mirë

Zoti nuk është rastësisht i mirë

 

Fra Zvjezdan Linić

Ka vuajtje në botë. Ka të këqija të mëdha. Ndodh një numër i madh aksidentesh, tragjedish. Nuk zbresin nga ekranet tona televizive skenat e viktimave të pafajshme. Ndodhemi përballë problemit të së keqes dhe vuajtjes në botë. Duam përgjigje. Nuk e gjejmë dot. Nuk është e lehtë ta gjesh një përgjigje të drejtë dhe të vërtetë. As besimtari s`ka përgjigje. Edhe besimtari është një njeri në kërkim. As Jezusi nuk përgjigjet.

Por jep udhëzime, e tregon rrugën. Është ai vetë. Edhe Jezusi kalon nëpër dramë, tragjedi, padrejtësi që i ndodh atij. Bie në errësirë​​, e kaplon nata e braktisjes së plotë. Megjithatë, mbetet i kushtuar Atit.

Unë s`e di përgjigjen se pse e keqja dhe vuajtja, pse të pafajshmit vuajnë, prej nga vijnë të gjitha këto. Por unë e di se Zoti është i mirë. Unë e njoh Atin. Unë besoj se ai më do. Unë besoj se ai e do çdo njeri. Unë besoj se ai është i interesuar për të mirën e çdo njeriu. Unë nuk i kuptoj të gjithat. Prandaj besoj.

Shpesh i lutemi Zotit. Kemi me qindra pyetje e qindra qëllime. Kemi nevojë për ndihmën e Zotit. Kemi nevojë për dritën e tij, për forcë. Ndezim qirinj dhe i drejtojmë lutje. Njeriu që lutet në mënyrë të sinqertë gjithmonë merr, fiton. Shumë shpesh është kjo një dritë e brendshme në ndonjë nevojë apo para një problemi. Nganjëherë është ky një ngushëllim. Ose ndjehemi të qetë.

Megjithatë, shumë herë besimtari e ndien se kërkesa e tij me të vërtetë ka gjetur jehonë në zemrën e Zotit. Shumë vetë e ndiejnë se gjithçka po shkon më mirë dhe që mund ta falënderojnë vetëm Zotin për ndonjë ndihmë konkrete.

Megjithatë, besimtarët jo rrallë ndiejnë edhe frustrime të caktuara. Sikur Zoti s`po i dëgjon. Ose iu duhet të presin gjatë për një gjë të tillë. Kurse ata që dëshmojnë se kanë marrë ndonjë hir, i shikojnë si njerëz që paskan marrë fitime të pasura lotarie, sepse e paskan blerë biletën e duhur.  

Dhe, në njëfarë mënyre, në zemrat tona hyn ideja se Zoti po vepruaka vetëm ndonjëherë, se qenka punë lotarie t`i kërkosh të ta japë ndihmën dhe forcën e tij, që ai për hir të vërtetës mund të bëjë gjithçka, por këtë e bëka në mënyra të çuditshme të qejfit të vet. Pra, sikur Zoti mundet të bëjë gjithçka, po, por nuk e bën këtë gjithmonë. E ndiej se ekziston këtu një rrezik në lidhje me imazhin/idenë tonë të Zotit. Në fakt, unë besoj fuqimisht se Zoti s`është vetëm herë pas here i mirë, se s`i dëgjon lutjet tona vetëm kur ia do qejfi. Unë besoj se atij gjithmonë i pëlqen t`i dëgjojë dhe t`iu përgjigjet lutjeve tona. Dhe unë besoj se Zoti është gjithmonë i mirë.

Zoti nuk është si një çështje lotarie. Ai nuk dëshiron t`i bëjë të lumtur vetëm disa, edhe atëherë rrallë. Ai është i mirë për të gjithë dhe dëshiron, le të qëndrojmë te ky imazh, që të jetë “bingo” (fati) i lumturisë dhe paqes për çdonjërin dhe në çdo moment. Megjithatë kërkon prej nesh që t`i besojmë, që të kemi besim në një dashuri dhe mirësi të tij të tillë. Nuk mund të themi që Zoti është i mirë sot, e nesër s`është më i tillë. Ai është i pandryshueshëm në mirësinë e tij dhe zemra e tij s`i nënshtrohet tekave të një humori (disponimi) të mirë apo të keq.

Po të kishim besuar më thellësisht në Zotin e mirësisë dhe dashurisë, do ta kishim ndier bekimin dhe fuqinë e pranisë së tij. Nuk do ta kishim matur dashurinë e tij me përmasat vetjake, por do t`i lëshoheshim udhëheqjes së tij. Ai sigurisht i dëgjon gjithmonë lutjet e besimtarëve të vet, por i dëgjon ata në mënyrën e vet hyjnore, edhe më mirë dhe më përsosur se sa ne mund ta mendojmë.

 

(Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Previous Papa në Europë nëpërmes Shqipërisë
Next Buka e jetës

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore