Festa e Trinise, Festa e dashurise!

Festa e Trinise, Festa e dashurise!

Nga Atë Armando Ceccarelli s.j.

Më kujtohet se si një herë në tren, u zhvillua një bisedë mes dy udhëtarëve, njëri prej të cilëve qëlloi një i krishterë ‘i thekur’ e tjetri besimtar mysliman. Biseda vërtitej rreth misterit të fesë së një Hyji të vetëm në tre persona. Megjithë vullnetin e tij të mirë, i krishteri nuk po ia dilte ta bindte bashkëbiseduesin e vet se nuk kishte kurrëfarë kundërshtie në atë fill të menduari që pajton numrat tre dhe një (një natyrë hyjnore – 3 veta) kur flitet për Hyjin që, – sipas tjetrit – duke qenë përsosmëri absolute s’ka si të jetë njëherazi shumësi: përsosmëria kërkon njësi, ndërkohë që shumësia është fryt i një bashkimi copëzash, pra mospërkryerje.

Duke më parë mua, ulur aty pranë tyre, prift dhe jezuit, ishte e pashmangshme të mos më bënin pjesë të bisedës së tyre. Thashë, menjëherë e pa i ardhur rrotull, se neve na është zbuluar ç’është më thellë në vehten e Hyjit, që Ai është dashuri, dhe se dashuria prej natyre është burim bashkimi, ku ndryshueshmëria dhe njësia nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Dashuria s’mundet veçse të dojë, prandaj Dashuria nënkupton aty për aty dy të Dashur: një që jep dashurinë e tjetri që e merr. Kështu, ne themi At e Bir, ku Ati s’mundet veçse ta dojë e të japë gjithë vetveten për të dashurin e vet, të Birin, i cili duke mos qenë asgjë më pak se Ati, i përgjigjet kësaj dashurie duke e dorëzuar krejt jetën e vet tek Ati. Dashuria në Hyjin pajton në mënyrë të përkryer ndarjen dhe bashkimin, shumësinë dhe njësinë. Dhe ajo lidhje që mban të bashkuar Atin me Birin është aq reale sa të quhet Shpirt i Shenjtë, Vetë e tretë. Ati dhe Biri janë pole që nuk mund t’i ngatërrosh njëri me tjetrin dhe pikërisht për këtë arsye janë të tillë që i jepen realisht dhe tërësisht njëri-tjetrit, në Shpirtin Shenjtë.

Kështu na shfaqet realiteti i thellë i dashurisë së vërtetë. Edhe aty ku ne shohim pengesa faqe dashurisë, dashuria vazhdon të dojë. Na është thënë se dashuria dhe sakrifica shkojnë dora-dorës, madje ta mendosh dashurinë pa sakrificë – thotë një i urtë indian, Tagore – s’është veçse një iluzion. Mirëpo, ajo çfarë na habit e mrekullon është fakti se kjo dashuri  shfaqet pikërisht sepse i dhurohet në një masë të pazakontë njeriut nga Perendia, bash këtij njeriu që dashurinë nuk e vë në themel të vlerave të veta, përkundrazi e mohon dhe e banalizon.

“Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën saqë e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që secili që beson në Të të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gv 3, 16). Neve as që na e rrok mendja se pa dashuri të vërtetë, kemi marrë shtegun e vdekjes, çdo vlerë tjetër jashtë dashurie na shpie drejt kundërshtive, dënimit dhe kurrësesi drejt jetës: “Kush beson në Të nuk dënohet”. E në këtë prizëm, Ati dhe Biri janë aq të bashkuar sa Biri është  i gatshëm t’i dorëzohet vdekjes për të na shpëtuar ne të gjithëve prej saj. Nëse dashuria nuk ka natyrën e një lidhjeje të tillë hyjnore, për Jezusin Nazarenas gjithçka do të ishte një dështim absurd, e pakuptimtë dhe e kotë; por ama nëse kemi hirin të zbulojmë se pikërisht këtu qëndron thelbi i gjithçkaje, atëherë e kemi kuptuar se me të vërtetë dashuria ka fituar në Jezusin dhe ka fituar përgjithnjë. Nëse njeriu nuk beson në dashuri dhe nuk e mirëpret atë, jeta e tij është me të vërtetë në rrezik. Ja përse Hyji dashuri na zbulohet në një masë të pazakontë dhe na dhurohet me gjithë veten e vet, si dhuratë e Birit dhe e Shpirtit Shenjtë, duke na vënë të gjithëve në rrethin e bashkimit trinitar.   

Por ky zbulim sjell një sërë pasojash, të dish do me thënë të bëhesh i përgjegjshëm. Një mister kaq i ndritshëm e themeltar është i padukshëm për njeriun, por vjen e shfaqet nëse ne, edhe pse të ndryshëm mes nesh, bashkohemi si një gjë e vetme në sajë të dashurisë së ndërsjelltë, e cila i bën ballë çdo pengese. Thotë Gjoni në letrën e tij të parë: “Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e Tij në ne është e përkryer” (1 Gj 4, 12).

Pra duke e mirëpritur misterin e Trinisë së Shenjtë, ne para së gjithash përmbushim çka më së shumti dëshirojmë, ta realizojmë plotësisht jetën tonë dhe të kemi paqe e mirësi, po ashtu i japim lavdi të pamasë Hyjit duke ua bërë të njohur të gjithë atyre që nuk besojnë për shkak se nuk dinë e nuk shohin. Ne jemi të thirrurit për të paraqitur fytyrën e vërtetë të Hyjit Dashuri, Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjtë. Nëse rrimë bashkuar, Hyji është mes nesh. Të rrimë pra së bashku, të vazhdojmë të duam gjithnjë, në familje, mes bashkëshortësh, mes bijsh dhe prindërish, në shoqëri, në punë, gjatë kohës së lirë. Jemi të thirrur për të dhënë dashuri e jo për të gjykuar e dënuar. Sigurisht, dashuri është edhe ta kritikosh vëllanë tënd, por kjo duhet bërë me dashuri dhe jo i rrëmbyer nga zemërimi dhe inati. Nëse jemi bij të Hyjit, e në fakt të tillë jemi me anë të Pagëzimit, nuk mund të reshtim së dashuri, përtej gjithçkaje, pavarësiht mendimit ndryshe që kemi për partitë, për klasat shoqërore etj.

“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Dashuria bashkon të kundërtat, ndriçon marrëdhëniet njerëzore, ndihmon në përballimin e çdo lloj vetmie. Asnjë njeri nuk është ishull më vete: të gjithë gjendemi brenda bashkimit të Hyjit që është At, Bir dhe Shpirt i Shenjtë

 

Previous Boterori i padrejtesise!
Next Papa në Europë nëpërmes Shqipërisë

Sugjerime