Mosqenia e qetë

Mosqenia e qetë

Ekzistojnë momente në jetën tonë të lutjes kur ndjehemi si të ishte Hyji i papranishëm, ose luftojmë për ta ndier a për ta dëgjuar Hyjin në lutje. Këto periudha “të thata” të lutjes janë jashtëzakonisht sfiduese, sidomos kur përpiqemi të shoshitim/dallojmë, për të marrë vendime. Dhe vlerën e heshtjes së Hyjit fillojmë ta kuptojmë  vetëm kur përfundon periudha e thatësisë.

 

Një herë pata biseduar me një atë shpirtëror lidhur me përfundimin e një thatësire të tillë të lutjes. Kur e shpalosëm atë thatësirë, thashë: “Ishte një mosqenie e qetë, megjithatë ishte gjithçka.”

Mosqenia e qetë ishte ajo që e ndieja në lutjen time. Pat disa ditë kur isha mirënjohës vetëm për të qenë në gjendje ta kisha mendjen time të qetë. Kur erdhi qetësia, nuk dëgjoja asgjë nga Hyji. Jo vetëm që s`ndieja dhe s`dëgjoja asgjë nga Hyji, unë s`mund ta ndjeja Hyjin as në lutje. Isha i inatosur dhe i zemëruar me Hyjin. Më shumë se kurrë, kisha nevojë ta dëgjoja zërin e Hyjit. Më shumë se kurrë, kisha nevojë ta ndieja tërheqjen e fortë të Shpirtit Shenjt në një drejtim të caktuar. Por, nuk kishte asgjë.

Megjithatë, mosqenia e qetë ishte gjithçka. Vetëm tani, duke shikuar prapa, mund të shoh se ka mbetur dëshira, malli im për Hyjin. Me ndihmën e një ati të jashtëzakonshëm shpirtëror qëndrova i patundur në lutje. Derisa s`mund ta ndieja apo ta dëgjoja Hyjin në lutje, isha në gjendje ta vëzhgoja jetën time personale dhe gatshëm ta shihja dorën e vlefshme të Hyjit duke vepruar nëpërmjet të tjerëve dhe natyrës. E njoha që Hyji kishte qenë me mua kur i kisha shërbyer të tjerët dhe me të tjerët. Kisha qenë i rrethuar nga frytet e lutjes, shenjat e pranisë së Hyjit të gjallë.

Mosqenie qetë më çoi në një vend të besimit, një vend ku e përjetova Hyjin duke më ftuar dhe duke më dhënë zemër për të shoshitur dhe për të bërë zgjedhje pa dhuratën e vazhdueshme të ngushëllimit. Vetëm tani, duke qëndruar në anën tjetër, e shoh se Hyji nuk ishte gjithë ajo heshtje; Hyji po më ftonte ta përjetoja marrëdhënien tonë në një mënyrë ndryshe. Dhe ky kuptim do të thotë gjithçka për mua.

(www.ignatianspirituality.com; Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Previous Jo replikë, por një farë sqarimi*
Next Prania çliruese e Hyjit

Sugjerime