Vlerat e familjes si berthamë e shoqërisë: perspektiva katolike

Vlerat e familjes si berthamë e shoqërisë: perspektiva katolike

Nga Imzot George Frendo O.P.

Familja sot është e sulmuar… dhe shumë e çuditshëm është fakti si këto sulme po bëhen nën maskim e të drejtave (por jo e të detyrave!): e drejta e burrave të kenë marrëdhënie jo të kufizuara nga angazhime të qëndrueshme; e drejta e grave të jenë të pavarur nga burrat; e drejta e grave të ndërpresin shtatzëninë; e drejta e homoseksualëve të formojnë marrëdhënie që të njihet si “martesë” me të gjitha të drejtat e të martuarve.

Fatkeqësisht, kur mbrojmë disa parime thelbësore etike rrezikojmë të keqkuptohemi ose keqinterpretohemi. Nëse mbrojmë të drejtën për jetën e fetusit paditemi si prapambetur; nëse mbrojmë natyrën e martesës si bashkim heteroseksual paditemi si homofobë.

Panseksualizmi i filozofisë së Freud-it dhe etika e re e mjeteve të komunikimit kanë ndikuar që seksualiteti të shkëputet nga dashuria, dashuria nga angazhimi, martesa nga lindja e fëmijëve, dhe lindja e fëmijëve nga përgjegjësia për rritjen dhe edukimin e tyre. Në çdo kulturë seksualiteti ka qenë konsideruar dhe çmuar në lidhje me jetën martesore. Por në një shoqëri panseksualiste dhe amorale, është ndarë nga koncepti i martesës dhe si pasojë, janë në rritje marrëdhëniet seksuale paramartesore dhe jashtëmartesore, kështu që janë rritur shumë raste mosbesnikërie martesore.

Flitet për të “drejtën” e gruas të ndërpresë shtatzëninë por jo për të drejtën për jetën e re që është ngjizur në të; flitet për të “drejtën” e homoseksualeve për një “martesë” dhe atëherë edhe për të drejtën të birësojnë fëmijë por jo për të drejtën e fëmijës që të rritet brenda një martese të vërtetë dhe prandaj heteroseksuale.

Duhet të vlerësojmë, patjetër, gjëra pozitive që në shoqërinë e sotme kanë ndihmuar goxha për një jetë më të rehatshme familjare. Ashtu mund të përmend, për shembull, atë që në anglisht quhet welfare state, domethënë shteti që angazhohet t’i ndihmojë shtresat më të varfra (si janë jetimët, vejushat, invalidët, të moshuarit, të papunësuar, etj).

Gjithashtu pozitiv është fakti se sot familja nukleare apo bërthamore ka zëvendësuar familjen patriarkale, në të cilën burri dhe gruaja edhe pse kishin krijuar familjen e tyre të re, nuk ishin mjaft të lirë për të marrë vendime për familjet e tyre, por ishin të detyruar të kërkonin këshillën dhe lejen e gjyshërve e të kunetërve. Në këtë mënyrë jeta familjare sot është bërë më “demokratike”.

As mund të harroj të përmend lëvizjen për emancipimin e gruas, që ka ndihmuar në vlerësimin e jetës martesore si bashkim i dy personave të barabartë. Në lutjen e ritit të martesës në Kishën Katolike lexojmë se vetë Hyji ka dashur që martesa të jetë një lidhje mes dy personave të barabartë në dinjitet. Në fakt Shën Pali ka shkruar: “Të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin… Nuk ka më: mashkull-femër! Të gjithë ju jeni Një në Krishtin Jezus!”

Pikërisht këtu shohim rolin e besimeve për mbrojtjen e familjes. Besimet nuk mund ta zëvendësojnë shtetin dhe t’i zbatojnë detyrat e shtetit. Por familja ka nevojë për diçka që politika, vetëm, nuk mund ta realizojë. Politika ka pushtet, por besimi ka diçka më të fortë: ndikim. Politika mund t’i ndryshojë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat. Politika mund të përkufizojë, mirë apo keq, konceptin e martesës, por vetëm besimi mund të krijojë tek bashkëshortet atë ndërgjegje që mund t’i ndriçojë që të arrijnë vlerat thelbësore të jetës familjare dhe t’i aftësojë për të zbatuar besnikërisht angazhimet martesore.

Kur flasim për familjen flasim për një realitet dinamik dhe jo statik. Prandaj Papa Gjon Pali II, në dokumentin e tij kryesor mbi familjen, përdor shprehjen: “Familje, bëhu ajo që je!” Kur një çift martohet, shpeshherë, pasi mbaron festa shumë njerëz thonë: “Tani mbaroi edhe kjo punë”. Në fakt, nuk është kështu: dita e martesës shënon fillimin e një jete të re. Është një jetë në ecje, sepse siç thotë i njëjti Papë Gjon Pali II: “Familja ka misionin të bëhet çdo ditë e më shumë ajo që është”, domethënë bashkësi jete dhe dashurie.

Martesa është, së pari, një bashkësi total i dy personave, mashkull dhe femër. Në librin e parë të Biblës, Libri i Zanafillës, shkrimtari i shenjtë e paraqet martesën si një institucion hyjnor: vetë Zoti, në planin e krijimit, ka dashur që burri dhe gruaja të bashkohen në mënyrë që bëhen “një trup i vetëm”. Kjo shprehje nuk duhet të kuptohet kinse martesa është thjesht bashkim i sekseve; është bashkim i personave, në zemër dhe në trup. Bibla thekson dashurinë martesore, dhe kështu seksualiteti bëhet shprehje e bashkimit dashurie mes burrit dhe gruas, dhe nuk është aspak një prirje egoiste, një gjë thjesht erotike. Gjithashtu, në tregimin e krijimit martesa paraqitet si bashkim monogamik dhe i pandashëm, sepse, lexojmë, “Çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë”. Dhe këto fjalë na tregojnë se martesa nuk është thjesht një kontratë para shtetit, por më së pari një realitet i shenjtë.

Por martesa ka edhe një qëllim të veçantë, sepse është një institucion në shërbimin e jetës. Jeta lind brenda bashkimit mes burrit dhe gruas në martesë. Kemi thënë se marrëdhënia seksuale në martesë është shprehje e asaj dashurie që i bashkon si dy persona heteroseksual. Prandaj fëmijët janë fryti i asaj dashurie që u shpreh në marrëdhënien seksuale mes bashkëshortëve. Mund të ndodhë, dhe në fakt ndodh, se një çift i martuar nuk kanë pasur fëmijë. Kjo nuk cenon domethënien e plotë e asaj martese (përveçse në rastin kur ata vetë të kenë vendosur mos të kenë fëmijë). Megjithatë çdo martesë duhet të jetë, parimisht, e hapur për lindjen e fëmijëve.

Por familja nuk është një realitet apo shoqëri e mbyllur. Përsëri i referohem Papa Gjon Palit II, që thotë: “Familjet, si veçmas, ashtu edhe të bashkuara, mund dhe duhet t’u kushtohen veprave të shumëfishta të shërbimit shoqëror, sidomos në dobi të të varfërve, dhe sidomos të të gjithë atyre personave e situatave, që organizimi sigurues dhe asistencial i autoriteteve publike nuk mund t’i arrijë.” Dhe vazhdon: “Detyra shoqërore e familjeve është e thirrur të shprehet edhe në formën e ndërhyrjes politike: pra, familjet duhet të kujdesen të parat që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes”.

Njësitë që e përbejnë shoqërinë nuk janë individët, por familjet. Shëndeti i një shteti matet nga shëndeti i familjes. Familja, pra, ka detyrë të ndikojë për zhvillimin e shoqërisë.

Previous Kur Hyji këndon nëpërmjet jetës sate
Next Ne ditëlindjen e një ipeshkëvi*

Sugjerime