Jezusi, Zoti i jetes

Jezusi, Zoti i jetes

Nga Atë Armando Ceccarelli S.J.

E diela V te Kreshmes

Të gjitha sa tregohen prej Ungjillit të Gjonit janë «shenja» të vendosura “që të besojmë në Jezusin Birin e Hyjit, dhe, që duke besuar, ta kemi jetën në Emër të tij.” (Gjn 20, 31). Pas shenjës së ujit të shndërruar në verë në Kana (Gjn 2), pas shenjës së ujit të gjallë në pusin e Jakobit me gruan nga Samarìa (Gjn 4), pas dritës së syve që i jepet të verbërit që nga lindja (Gjn 9), përmbyllja është gjithmonë një akt solemn i besimit në Jezusin, Shelbuesin e botës.

 

Edhe në shenjën e ringjalljes së Lazrit dishepujt u përgatitën për të pranuar se Jezusi është Zoti i jetës dhe se Ai ka pushtetin për të garantuar jetën në amshim për kë beson në Të.

Ia vlen të evidentojmë disa shënime stili në qëndrimin e Jezusit.

E para është se Jezusi nuk nxitohet të shkojë bri krevatit të Lazrit, kur mori vesht se ishte i sëmurë. Priti dy ditët fatale për shokun që po vdiste. Për këtë mori një qortim të drejtpeshuar, ashtu siç bëhet mes miqve: “Nëse ti do të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur”. Me vonesën e vet, Jezusi jep një mesazh domethënës: ai nuk është dërguar për të ndryshuar ritmet e jetës e të vdekjes apo për ta vonuar në kohë të pacaktuar vdekjen dhe as për ta larguar atë. Përkundrazi ai është këtu për t’i dhënë një kuptim të ri, për të thënë se vdekja nuk është fjala përfundimtare dhe e formës së prerë për jetën. Me ardhjen e Jezusit në tokë, vdekja është bërë hapje për jetën e plotësisë, ku njeriu nuk vdes më. Ajo është si një zonë e hijes, prej së cilës dilet jashtë në diell. “Lazër, dil jashtë!”

Shënimi i dytë, tek Jezusi, vendos së bashku kërcënimin e jetës së tij nga vdekja dhe kuptimin e fortë të miqësisë. Në kakt Judenjtë donin ta zinin dhe ta vrisnin. Jezusi me urtësi tërhiqet në një vend më të sigurtë përtej Jordanit. Por, i kërkuar nga miqësia, nuk druhet të kthehet në vendin e rrezikut, sepse ai mbetet përgjithmonë i dedikuar ndaj njerëzve, ndaj Lazrit si dhe shumë e shumë të tjerëve; e vlerëson si thesarin më të çmuar deri edhe më shumë se jetën e vet dhe për të është i gatshëm të rrezikojë në çdo drejtim.

Një shënim i tretë, bëhen lotët e Jezusit. Duke i parë motrat që qajnë e në të qara deri Judenjtë e ardhur për ngushëllim, edhe ai qan me një trazim të madh. Për të gjithë, vdekja vendos pikëpyetjet e përgjigjeve të vështira. Deri Biri i Hyjit e provon si një absurd, shpërthen në lotë dhe provon shqetësim. Sigurisht kjo është prova sesa e donte Ai Lazrin. Por këtu ka diçka shumë më tepër: është refuzimi i vdekjes, sepse ai është Zoti i jetës. E gjithë jeta e Jezusit mban shenjën e atij që do të çlirojë nga vdekja e nga simptomat që e prodhojnë atë: dhimbje dhe sëmundje, por mbi të gjitha nga të tëra format e dhunës, të falsitetit e të padrejtësisë. Jezusi e ndjen se vdekja mbetet armiku i fundit për t’u përballuar në personin e tij dhe në favorin tonë, me përgjërime të forta ndaj Atit e me rebelim të ndalur prej dashurisë (Ebr 5, 7-8).

Është ngushëlluese për të gjithë ne ta dimë që, nëse Jezusi qan për Lazrin, mikun e vdekur, lotët e tij ridhurojnë jetën. Jam unë miku, për të cilin Jezusi ka qarë pasi vdisja në shumë mënyra, por kam pasur dhuratën e madhe që të ringjallem. Nëse Hyji qan për mua, unë do të jetoj për amshim. Ata lotë janë shenja e një dashurie që nuk mund të mbarojë, e pra janë garancia se unë nuk do të vdes në amshim. Nuk na thuhet sesi do të jetë jeta pas vdekjes dhe nuk është treguar as për ta imagjinuar. Për ne tani jeta është frymëmarrje, gëzim, dashuri, luftë, e qeshur dhe e qarë, ngadhënjim dhe mundje, fitim dhe humbje… Nëse nuk e takojmë Jezusin, “Zotin e jetës”, e tëra kjo që ne dimë prej jetës është shumë sipërfaqësore. Ai na jep çmimin dhe kuptimin më të thellë e të qëndrueshëm.

Sot na thuhet që të besojmë: “nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit!” (Gjn 11, 40). E “lavdia e Hyjit – thotë Shën Ireneu – është njeriu i gjallë ”. Duke besuar, jemi thirrur të veprojmë për ringjalljen tonë dhe të vëllezërve tanë. Kur bëjmë ndonjë sakrificë, mbështesim kë është në nevojë ose i japim kurajë ndokujt, vëmë në veprim ringjalljet e vogla. Kur falim, kur e kapërcejmë indiferencën e sedrën e sëmurë, kur lidhim marrëdhënie miqësie dhe besimi, vëmë në veprim ringjallje të vogla o të mëdha.

Kështu rikuperojmë ngjashmërinë tonë me Krishtin dhe Ai, “Jeta e Ringjallja”, nis të banojë në ne. Mund të themi me të vërtetë sëbashku me Shën Palin: “Për mua, jeta është Krishti!” (Fil 1,21).

 

Previous Blushi dhe dëshira e tij për t’u bërë prift
Next Drejtimi i Hyjit

Sugjerime