Blushi dhe dëshira e tij për t’u bërë prift

Blushi dhe dëshira e tij për t’u bërë prift

Nga Gjergj Meta

Mbi librin e Ben Blushit “Hena e Shqiperise”

Libër  që duket i shkruar në më pak se një muaj, ose më mirë i mbledhur copa copa me artikuj publicistikë e i ngjitur gati përdhuni me fjali të ndërmjetme arnuese (justifikuese) si p.sh. në faqen 76 ku lidh një artikull të publikuar para një viti në Panorama (1 prill 2013) me aktualitetin e çështjes islamike të ndodhur në muajin e fundit, sidomos dërgimi i shqiptarëve në Siri, çështja e zgjedhjes së kryetarit të ri të KMSH dhe konflikti Gylen-Erdogan. Më shumë se sa një ese (sprovë) është një publicistikë e zgjeruar.

Një konstatim

Blushi ia nis me ujin,mbaron me një prift dhe me një pyetje të fundit (ose të fundme?): cilit profet do t’i binden shqiptarët?

Tre simbole thellësisht religjioze. Sa i përket ujit. Është cekët të thuash që Blushi frymëzohet nga skenarë filmash apokaliptikë. Uji është nënvetëdija e një istikti primordial. Për Freud-in është lindja, barku i nënës në të cilin ne jetojmë të zhytur në ujë. Në fakt kriza e ardhshme e Shqipërisë për Blushin ka të bëjë me ujin dhe me lindjen. Uji përmbyt, lindjet pakësohen. Por  a nuk lindim ne nga uji? Origjina që mbyt atë që ka krijuar. Në faqet e para të Biblës thuhet se Shpirti i Hyjit rrinte pezull përmbi ujërat. Këta të fundit janë sinonim i kaosit nga i cili Shpirti krijon rendin. Por nuk janë larg kësaj edhe shëmbëllimet mbytëse të Nënës Parti që lind bijë, një nënë e cila më pas i mbyti bijtë e vet. Ashtu uji nga i cili lindim bëhet shkak i mbytjes.

Por në fakt brenda Blushit gjendet dëshira për një fillim të ri, një nënë të re, një nënë që lind bijë, një realitet të ri. Kush mendon se Blushi është pesimist gabohet…ka një dëshirë të papërmbajtshme për një fillim të ri. Një fillim i ri i cili dështoi me ripëtëritjen proletare, por nga e cila Blushi nuk do të heqë dorë asesi. Ky fillim i ri ka nevojë për një profet. Po cili? Krishti apo Muhamedi? Jo! Blushi do një profet tjetër alternative e tyre. Ai për veten thotë se nuk është profet, por gënjen pa vetëdije. Ai dëshiron të jetë i tillë. Profeti është referimi ndaj të përtejmes. Blushi është thellësisht fetar, religjioz. Duke e refuzuar në një mënyrë gati të dhunshme religjionin, me notat e një njeriu kinse të moderuar, ai nuk shkëputet dot nga religjioni. Ia ka nisur me romanin e parë të tij “Të jetosh në ishull” dhe nuk do të ndalet. Religjioni brenda tij thërret e sa herë zgjohet ai e mbyt dhunshëm duke e akuzuar, duke i mveshur të gjitha të këqijat. Në fakt religjioni nuk e lë të qetë, sepse në të këtejmen Blushi nuk gjen (nuk ka gjetur) përgjigje shpresëdhënëse, ato i kërkon, në pavetëdijen e tij, në të përtejmen. Atraktiva që Fishta ushtron për Blushin për shembull kthehet në një sulm të vogël ndaj tij për të duke e quajtur antisemit. Mos të harrojmë se Puto e pat quajtur kolaboracionist. Është e njëjta gjë e thënë në terma të ndryshëm. Blushi sulmon atë çka ai do të jetë. Studimet thonë p.sh. se Nietzsche sulmoi Krishtin në pamundësinë për ta imituar.

Tre subjekte:  Europa, Kosova, pabarazia sociale.

Blushi në vend të Europës preferon Rusinë, Nënën Rusi (ja edhe një herë ujërat, nëna që gllabëron Ukrainën, Krimenë dhe i shtyn kufijtë Europës si klloçka që do të mbrojë zogjët e vet duke u bërë agresive). Antiamerikanizmi Blushian është refuzimi i atit pronar, një problem i pazgjidhur që zgjidhet duke u strehuar te nëna. Rusia është zgjidhja më e mirë ndërmjet Lindjes së papërcaktuar (aperion) dhe Perëndimit deri në detaj i përcaktuar (peiron). Rusia është diçka në mes.

Kosovën e duam dhe nuk e duam. Blushi nuk pozicionohet. Nëna Rusi në fakt nuk pozicionohet, ose vetëm nominalisht sa për t’i bërë qejfin Serbisë. Aneksimi i Krimesë duket se i ka vënë vulën kësaj gjëje…

Pabarazia sociale që nuk e zgjidhi dot komunizmi  tani zgjidhet në një një rrafsh tjetër. Këtu Blushi është koherent me trendy-n e të majtave Europiane. Dështimi i sistemit komunist me logjikën e tij morale të panegociueshme në tema si familja, divorci, homoseksualiteti, përdorimi i drogave, shfaqjet e huaja në përgjithësi, vazhdohet tani në liberalizimin e të gjitha caqeve morale. Në fakt të majtat europiane janë promovuesit me të mëdhenj të abortit, divorcit, përdorimit të drogave, martesave homoseksuale etj. Ja çfarë thotë Blushi: “Tregu mund të liberalizohet (i marjuanës) si pasojë e heqjes së kufizimeve morale dhe mjekësore që ka sot” (f 102). Kjo në fakt nuk është më një probabilitet (ndoshta akoma për Shqipërinë), por është një realitet programatik i të majtave europiane: heqja e kufizimeve morale.   

Por ende Blushi mbetet thellësisht religjioz. Ai dëshiron të zëvendësojë një prift. Ja fjalët e fundit të librit: “Gjergj Fishta do të thoshte Surgite Mortu Çohi të dekun. Por ai ishte prift. Dhe priftërinjëve nuk u lejohet të parashikojnë” (f 141). Kurse Blushit po…! Surgite është fjala kyçe e krishtërimit, pa të cilin krishtërimi është i kotë: resurrectio, fillim i ri. Ndërmjet shpresës marksiste dhe asaj të krishterë gjendet Blushi i mbërthyer në kaosin e tij. Kaosi brenda Blushit dhe tekstit të tij ka vetëm një rrugëdalje. Nëse ai Shpirt që endet mbi ujëra lejohet të hyjë e të vendosë rendin.

Me pavetëdijen time i kam bërë publicitet librit të ri Ben Blushit “Hëna e Shqipërisë”.

Previous Moment pranveror
Next Jezusi, Zoti i jetes

Sugjerime