Më mirë një condom sot  se sa një djep mot…

Më mirë një condom sot se sa një djep mot…

Nga Gjergj Meta

Shumë njerëz ndoshta do të mbeten të habitur nga titulli i shkrimit. Disa ditë më parë, duke klikuar një organ shtypi të huaj online, ndër ato faqet e kurioziteteve të gazetës, gjendeshin disa reklama të çuditshme që kurrë nuk ishin bërë publike për shumë arësye. Ndër to më tërhoqi vëmendjen një reklamë për condom- in e cila kishte në një sfond të bardhë dy objekte: një karrocë foshnjash (që unë shqip po i them djep) në mes të faqes dhe një kuti condom në pjesën e poshtme të faqes.

Në të dyja objektet ishte varur çmimi: 2.5 $ condom-i dhe 25 $ djepi. Mesazhi ishte shumë i qartë: më mirë 2.5 $ sot se sa 25 $ mot. Pak a shumë kjo gjë më erdhi ndërmend ndërsa po lexoja një shkrim në Respublica.al të Koloreto Cukalit. Në fakt nuk dua të merrem me pasaktësirat e shkrimit dhe cektësinë me të cilën prej autorit trajtohet çështja, por dua të fokusohem në një çështje që mendoj se Zoti Cukali e ngren me të drejtë dhe që në fakt i paraprin çdolloj diskutimi mbi abortin apo jo, madje do të thoja që përbën një nga sfidat themelore të jetës së sotshme: edukimi me jetën fizike dhe seksuale. Në përgjithësi të gjitha llojet e problemeve që kanë në sfond përmasën seksuale janë çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet edukuese që qoftë familja e qoftë shoqëria krijojnë me individët qysh në moshë të njomë.

Që problemi i edukimit seksual të reduktohet në “bërjen e seksit të sigurtë” apo qoftë edhe në fazën ekstreme kur shtatëzania ka ndodhur dhe duhet bindur personi për ta mbajtur fëmijën  do të thotë që çështja të kapet nga bishti. Në të dyja rastet mendoj se nuk kemi të bëjmë me edukim, por me zgjidhjen e një situate urgjente, ndërkohë që edukimi me jetën fizike është një proces i gjatë dhe shumë delikat. Me të drejtë Zoti Cukali vendos theksin në çështjen  e përfshirjes së djemve në këtë proces, pasi shpesh është gruaja ajo që pëson qoftë dëmtimin trupor me ndërhyrjen abortive apo qoftë dhe damkën e bërjes së abortit. Stigmatizimi i gruas në këtë rast është i tmerrshëm dhe ajo e vuan këtë gjë për shumë kohë derisa të mos gjejë dikë që arrin ta pajtojë me veten dhe me jetën, që arrin ta ndihmojë për shërimin e plagës që ia kanë shkaktuar të tjerët apo ajo ia ka shkaktuar vetes.

Problemi i edukimit në këtë kahje nuk shtrohet si një çështje thjesht teknike, pasi atëherë kthehet në një çështje biznesi, sikurse u tha më lart. Ajo është një çështje që përfshin krejt përmasat e njeriut të cilat edukohen qysh në moshë të njomë e mbi të gjitha edukimi me të qënit mashkull dhe femër, vetëdijësimi i pasjes së një trupi, të ndjenjave, të dëshirave. Çfarë fshihet pas një dëshire apo një istikti seksual? Është thjesht një “nxjerrje sekrecionesh” apo edhe një afsh i papërmbajtshëm për diçka më të madhe, diçka që të zgjasë e të jetë një projekt jete? Është më se e vërtetë që një lloj moralizmi dualist me matricë të krishterë, e sidomos puritaniste, ka “demonizuar” atë çka më e bukur gjendet në natyrën njerëzore, duke e trajtuar përmasën e dëshirës seksuale si një mëkat, por po aq edhe “revolucioni seksual” i viteve 60’ në Europë e Amerikë e zhvleftësoi tërësisht përmasën shoqërore dhe të thellë të këtyre dëshirave duke i mbyllur ato (me pretekstin se po i hap) në çështje të individit dhe përdorimit sipas shijeve vetjake. Nuk është sigurisht gjithçka një çështje arsyetimi, por një çështje kryesisht jetësore që ka të bëjë me përvojën e jetës, me përditshmërinë e saj. Në këtë drejtim edukuesit, e më së pari prindërit, kanë një detyrë madhore.

Sa kohë prindërit kalojnë me fëmijët e tyre dhe sa balancojnë ata praninë e tyre me fëmijët e tyre meshkuj apo femra? Si e bën punën e vet secili prind në bazë të specificitetit të vet apo thjesht e lëmë çështjen në dorë e një 2.5 $ për blerjen e një kondomi? Pse një adoleshent zhytet në pronografi? Është thjesht kureshtja dhe mundësia që ofrojnë sot hapësirat virtuale të pakufi apo është edhe zbrazëtia që realitetet relacionale krijojnë në jetën e një fëmije, adoleshenti e të riu? Çfarë ofrojnë shkolla tona apo bashkësitë fetare në këtë kahje? Nëse shkollat do të ofrojnë vetëm vizatime se si vendoset kondomi dhe kishat apo xhamiat do ta reduktojnë këtë edukim në mënyrën urdhërore “mos”, problemi jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të rëndohet edhe më shumë.

Unë çështjen e abortit në këtë shkrim nuk dua ta diskutoj. Unë jam katolik dhe pranoj mësimin e Kishës në gjithçka, por unë ngre çështjen e asaj çka ndodh përpara dhe pas atij momentit. Refuzoj ta pranoj se çështja zgjidhet me një copë plastikë e cila sipas përkufizimit vetëm thjesht ul probabilitetin e një shtatëzanie, por çdokush e di që probabiliteti nuk përmban siguri… Ndërmjet teknikës së ofruar nga Cukali & company dhe moralit ndalues, gjendet arti i të jetuarit me përmasat më të thella njerëzore ndër të cilat jeta fizike dhe seksuale është ajo që ka një rol themelor. Por kjo duhet të edukohet, të formohet.

Por po ashtu unë i jap rëndësi plagëve që shkaktohen pas një aborti, të cilat janë plagë që duhet të mjekohen e të kurohen. Atë dashuri që ndoshta një gruaje nuk i është dhënë në momentin e abortit, apo që ajo nuk ka dhënë, me hir apo pa hir, për krijesën e saj, duhet që t’ia ofrojmë të gjithë ne të tjerët. Kjo nuk është një dashuri justifikuese e aktit, por pranuese e një personi që ka nevojë. Dhe të jetë i sigurtë Zoti Cukali që këto gra nuk do të shkojnë te një opinionist për të bërë këtë gjë dhe se ai kurrë ndoshta nuk do të ketë një përvojë të tillë, por ato gra do të shkojnë pikërisht te ato murgesha e te ato persona sikurse jam edhe vetë, që në emër të dashurisë së Zotit nuk i gjykojnë, por as nuk i justifikojnë, thjesht i pranojnë.

Previous Sa para paguhen per t'u bere meshtar?
Next Jemi të krijuar për të dashur, si pasqyrim i Zotit dhe i dashurisë së tij

Sugjerime