Në sfidat e jetës

Në sfidat e jetës

Kur ndodhemi në tranzicion (sh-ndërrim), varësisht se sa serioze është thyerja, mund ta kemi ndjesinë pothuajse çdo aspekt i jetës sikur copëtohet, prishet. Bindjet e vjetra, zakonet e vjetra dhe zonat e rehatisë, bombardohen në thellësi. Shtëpia e vjetër, puna e vjetër, “un-i” i vjetër, pothuajse mund të zhduken. Kjo mund të jetë koha për të pyetur: “Cili është thelbi kryesor i asaj se kush jam unë që mbetet nëpër gjithë këtë rrëmujë?” Kjo është një pyetje e rëndësishme, sepse kjo është ajo mbetja (teprica) që do të jetë nismëtarja për fazën e re të rritjes sonë.

Çështja lidhur me këtë mbetje, këtë thelb të qenies, është ajo që ne shpesh s`e zbulojmë derisa forca e ndryshimit t`i heqë shtresat e jashtme të sigurive (bindjeve) dhe garancive të kaluara. Pikërisht ashtu si farat e drurit të eukaliptit në Australi s`mund të mbijnë derisa s`i ekspozohen nxehtësisë intensive të një zjarri në pyll, kështu, mund të ekzistojnë pjesë të thella edhe të vetes sonë që aktivizohen vetëm kur shtresat e cekëta hiqen.

Dhe kjo s`ka të bëjë vetëm me mbijetesë; kjo ka të bëjë me rritje dhe transformim. Vetja jote e re që vjen përmes shpërthimit të ndryshimit s`do të jetë vetëm një hije e ish vetes tënde, por me të vërtetë një vete jotja e re, me shtresa të thella të potencialit tënd personal, i ekspozuar dhe i ftuar të rritet dhe të lulëzojë. Për shembull, nëpërmjet një fatkeqësie të dukshme ti mund të zbulosh aftësi që kurrë s`do të kishe ditur se i ke. Ti mund të zbulosh cilësi që kurrë më parë s`kanë qenë të shfaqura, të tilla si aftësia ripërtëritëse, durimi, zgjuarsia, empatia (aftësia dhe gatishmëria për të hyrë në botën e tjetrit) për të kaluar me të tjerët përmes trazirave të ngjashme, madje për të pasur edhe një ndjenjë humori për të qeshur me lot dhe për të vërejtur shfaqjen e lehtë të ylberit nëpër shi.

(Margaret Silf, “The Other Side of Chaos: Breaking Through When Life Is Breaking Down”, Loyola Press; Përktheu: Shtjefën Dodes SJ)

Previous Para internetit...ishte jeta!
Next Shën Jozefi edukator

Sugjerime