Para internetit…ishte jeta!

Para internetit…ishte jeta!

Nga Maria Pepkolaj

Diku lexova se sot interneti mbush 25 vjet nga përhapja e tij në gjithë botën (në Shqipëri ka përhapje më të vonë). Pastaj lexova dhe nje pyetje: si ishte jeta jone para internetit?

Po sa nga ne e mbajnë mend se si ishte vërtet? Une mbaj mend që çdo natë luanim top në oborrin tonë gjigand. Dhe “kampionati” zakonisht zhvillohej të dielave, sepse babi im ishte pushim dhe luante me ne. Në mes të oborrit, vendosnim një litar që shërbente si rrjetë e aty luanim me nga tre apo katër orë.

Mbaj mend që dilte mami çdo minut në dritare se thyenim lulet ose rrushin i cili sa po piqej. Aty bashkoheshim të gjithë, kushërinjtë, kojshitë e shumë të tjerë. Nuk kishte nevojë që të planifikonim një lojë, por ajo lindte vetvetiu. Loja niste me pesë vetë e mbaronte me njëzet te tjerë. Gjatë ditëve të javës gjthmonë duhet të punonim një apo dy orë në kopshtin tonë, pasi në zonën ku unë jetoj të gjithë kanë tokë e kafshë shtëpiake.

 

Gjatë javës duhet të mbillnim apo të kontrollonim ato që kishim te mbjella nëse kishin ndonjë problem. As që mund të diskutohej të mos punoje diçka në kopësht. Darka ndryshonte në varësi të stinëve. Në verë, gjithmonë rrinim duke punuar deri vonë, e pastaj në mbrëmje kur freskohej pak, rrinim te gjithë në ballkon, mblidhnim fiq, dardha, molla apo rrush dhe hanim të gjithë së bashku. Shpesh vinin dhe xhaxhallarët mbrëmjeve për një gote raki e një dorë muhabet. Dimrit, mbrëmja niste herët, mbaj mend që babi blinte gjthmonë gështenja në Tropojë dhe gjatë çdo mbrëmje mami dhe babi i piqnin në një tigan me vrima në një zjarr të madh. Pastaj bashkoheshim të gjithë e hanim. Darkave bënim mësimet gjithë sëbashku duke ndihmuar njëri-tjetrin. Te shtunave në mëngjes, shkonim gjthmonë te kisha per mësime katekizmi e per lojra, e pasditja na mblidhte bashkë gjthmonë për të punuar. Ishim shumë të vegjël por gjthmonë punonim përkrah mamit pa përtuar.

 

E diela, dita me e bukur dhe e mrekullueshme e javës. Babi e kishte pushim. Gjthmonë shkonim në meshë në orën tetë e gjysëm e pas meshës babi na blinte përherë akullore, fruta ose embëlsira. Babai im ka qenë gjthmonë një katolik i devotshëm, s’e mbaj mend të ketë munguar në kishë as kur ka qenë i sëmure. Ai para se të nisej për në kishë trokiste në të gjithë portat e xhaxhave të mi ose kushërinjve për ti marrë me vete. Shumë pak nga te rriturit vinim, por fëmijet e tyre vinin gjthmonë. Mbaj mend kur ndonjëherë babi ecte rrugës me mbi 10 fëmijë. Të gjithë e shihnim për çudi. Dikur bëheshim të gjithë bashkë mbrëmjeve ” e flisnim”…

Tani, gjithsecili në hesap të vet. Vëllain tim, sikur dhe bombë të bjerë në oborr, nuk e shkëput nga interneti. Gjithë shoket që nuk i ka në realitet ai i gjen aty. Volejbollin e ka zëvendësuar me poker apo kondestrajt. Me kushërijtë takohemi në like-t dhe komentet e facebook-ut. Biseda tani quhet chat. Muhabeti quhet skype. Pamja quhet retrica, instagram apo comwow. Çdo gjë tani është të kesh nje I-phone t’fundit, të tjerat nuk kanë rëndësi. Tani familja mblidhet, por askush s’e ka mendjen te tjetri. Dikush i ben foto ushqimit, vetes ose asaj që e rrethon që pastaj ta bëjë pjesë të një rrjeti të pafund…aty ku privatësia nuk ekziston

(e di që interneti nuk eshte vetem negativ, por un tani më shqetësuese e mendoj këtë pjesë për të cilën kam shkruar)

Previous Shikojeni atë e do të ndriçoheni
Next Në sfidat e jetës

Sugjerime