Imzot Raffaelo D’Ambrosio o.f.m. (1810-1899), 55 vjet misionar në Shqipëri.

Imzot Raffaelo D’Ambrosio o.f.m. (1810-1899), 55 vjet misionar në Shqipëri.

Nga Kastriot Marku

Para disa kohësh (saktësisht në vitin 2009 me rastin e 110 vjetorit të vdekjes dhe më pas në vitin 2010 me rastin e 200 vjetorit të lindjes) kisha përgatitur një shkrim të shkurtër për Arqipeshkvin e Durrësit Imzot Raffaele D’Ambrosio OFM, i cili ishte misionar për 55 vjet në Shqipëri, prej të cilave 9 në famullinë e Nikajt dhe 46 si arqipeshkëv i Durrësit. Koha kaloi e shkrimi mbeti i pabotuar, por gjithsesi mendoj se më mirë vonë së kurrë thotë një fjalë e urtë ndër ne.

Imzot Rafaele D’Ambrosio O.F.M.(emri i pagëzimit Angelo), u lind në Flocco të Boscoreale në Castellamare të Stabia në Provincën e Napolit, më 1 shkurt 1810, prej një familjeje të varfër, por të përshpirtshme dhe u pagëzua dy ditë më pas më tre shkurt. Djali që i vogël shkonte rregullisht në kishën famullitare të cilën e kishte vetëm pak metra nga shtëpia e tij. Ndoqi shkollën dhe shërbeu në meshë si dhe përcolli të gjitha ceremonitë dhe ritualet fetare të famullisë. Prindërit e tij ishin fetarë të devotshëm. Një hallë e tij Giuseppina ishte rregulltare në një manastir. Angelo i vogël shpesh u ndihmonte prindërve bujq kur punonin në fushë, e kur nuk kishte punë në bujqësi shkonte e punonte si ndihmësmurator. Një ditë prej ditësh qe me fat që shpëtoi pa u dëmtuar kur u rrëzua nga një mur. Kishte dëshirë ti ngjate xhaxhait të tij Don Raffaele D’Ambrosio-s, prift shekullar. Më në fund një ditë ia shprehu nënës zërin e thirrjes për tu bërë rregulltar i Urdhërit të Shën Franceskut të Asizit. Edhe pse prindërit kishin dëshirë të hynte në bashkësinë Rregulltare Agostiniane; kushëriri i tij P. Giuseppe D’Ambrosio nga ana tjetër dëshirontë që t’i bashkangjitej Rregulltarëve Kapuçinë, përkundrazi Angelo i përgjigjet vetëm thirrjes së tij duke përfituar edhe nga ardhja në Flocco e misionarit të Rregulltarëve të Vegjël Reformantë P. Rocco Bali di Torre nga Provinca e Principatës Citeriore (Shën Mërisë Nënës së Hyjit, S. Maria di Materdomini). Padre Rocco në fund të misionit e merr me vete në Kuvendin e S. Maria della Consolacione e S. Andrea në Conza, ku së bashku me pesë të rinj rishtarë në prill 1830 nisin vitin kanonik të provës. Kështu më 4 qershor të të njëjtit vit 1830, me dëshirën e zemrës veshi petkun françeskan të Shën Françeskut duke marrë emrin Raffaelo dhe me 19 qershor 1831 bëri kushtet e para. Më 19 prill të vitit 1832 i vdiq babai. Si kreu me rezultate të shkëlqyera teologjinë, një pjesë të së cilës në Kuvendin e Bracigliano-si dhe pjesën tjetër në atë të Baronissi-t. U shugurua meshtar me 20 shtator 1834 në Nocera nga Mons. Bellacosa në praninë e së emës vejë dhe të afërmve. Duke parë zotësinë e tij të rrallë, eprorët menjëherë në tetor të atij vit i japin Cerifikatën Lektor Filozofie, (Patente di Letore di Filosofia) dhe e emëruan lektor për të dhënë mësim në kuvendin e Shën Antonit në Capoccio. Pas dy vjetësh më 29 mars 1836 u emërua president i kujdestarkuvendit dhe rrëfyes i rregulltarëve. Më 30 mars 1837 u zgjodh Guardjan në të njëjtin kuvend. Më 16 janar 1838 niset për në Provincën Minore të Principatës Citeriore asokohe në Romë pranë Kolegjit të San Pietro në Montorio, kolegji ku ishte hapur për herë të parë me nismën dhe mbështetjen e Papa Klementit të XI katedra e parë e gjuhës shqipe e ku një nga misionarët e zellshëm në Shqipëri kishte qenë autori i gramatikës së parë të gjuhës shqipe (1716) dhe i një fjalori shumë të rëndësishëm (1702), At Francesco Maria Da Lecce. U zgjodh më pas për dy vjet predikues misionesh, çfarë bëri që ai t’i përgjigjej menjëherë thirrjes misionare të bërë nga Superiori i Përgjithshëm dhe të aprovuar me Breve-n e Kongregatës së Shenjtë të Propagandës Fide lëshuar më 19 qershor 1838. Më 25 qershor 1838 merr lejen aprovuese nga Gjenrali i urdhërit, për të ardhur në Shqipëri më 29 gusht 1838, ku do të shkrijë të gjitha energjitë e tij për më së 55 vjet apostullim. Pas një udhëtimi të gjatë me anije mbërrin në Tivar (asokohe porti shqiptar i vetëm ku mund të zbarkonte) më 14 gusht 1838 e më pas pasi kalon në Shkodër, mbërrin në famullinë e Nikajt më 29 gusht. Aty emërohet nga prefekti apostolik P. Luca da Monte Giove në famullinë në Nikaj një nga më të largëta e më të vështira, ku edhe shërbeu për periudhën (1938-1947), fillimisht si meshtar, pastaj famullitar nga 1 qershori 1842 pas vdekjes së titullarit të mëparshëm. Misioni i tij i lodhshëm dhe vështirësitë  e shumta nuk e shkurajuan P. Raffaelen. Riparoi kishën dhe Hospicin falë ndihmave që siguronte nga Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide. Zelli i madh apostolik i At Raffaelos ra në sy të Superiorëve por edhe të Kurisë Romane. Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide me dy Breve të saj brenda dy muajve, në ta parën më 25 shtator të vitit 1847 e cakton Zëvendës i Prefektit të Misionit të Pultit e mandej me të dytën më 20 nëntor të atij viti, Prefekt për të gjithë Misionin e Pultit. E gjithë puna e madhe dhe përshpirtëria e tij e admirueshme nuk mund të mbetej e panjohur nga ana e Selisë së Shenjtë. Në fakt Kardinalët e Selisë së Shenjtë ishin njohur me arsyet që kishte parashtruar MImzot Giorgio Labella nga Narni, Arqipeshkëv në detyrë i Durrësit, për ta ngritur në drejtimin e Selisë Metropolitane, ndaj nuk mendojnë shumë dhe e shohin si ndjekës të denjë Prefektin Apostolik të Pultit. Propozimi i Kongregatës së Shenjtë iu prezantua Shenjtërisë së Tij Papës Piu IX, i cili me breven Pontifikale të datës 17 dhjetor 1847 e emëron Arqipeshkëv Metropolitan të Durrësit. Pasi lëshon Prefekturën Apostolike të Pultit më 7 shkurt 1848, përgatitet për shugurimin Ipeshvor. Ditën e Matisë Apostull më 25 shkurt 1848 shugurohet ipeshkëv në Shkodër prej Imzot Gjon Topiçit, Ipeshkëv i Lezhës, asistuar prej Ipeshvinjve Pal Dodmasej, ipeshkvit të Pultit dhe Pjetër Severinit, ipeshkvit të Sapës. Ky i fundit më pas më 24 gusht të të njëjtit vit 1848 në kishën Katedrale të Durrësit në Shën Prende të Kurbinit i vendosi Palion Arqipeshkvore, tashmë të lëshuar me Breve-n apostolike të datës 14 prill. Arkidioqezën e Durrësit në fakt e kishte marrë në dorëzim me 7 mars të atij viti. Bashkavendasit e tij në Flocco ishin jashtëzakonisht të kënaqur dhe krenarë që një bashkëvendas i tyre qe ngritur kaq lart në hierakinë kishtare duke u bërë arqipeshkëv, dhe në mënyrë të posaçme nëna e tij u gëzua shumë, e cila nuk arrin ta besojë, dhe vdes papritur më 13 gusht të po atij viti. Selia Arqipeshkvore e Durrësit për shkaqe politike si rezultat i rënies së Krujës në duart e turqve (1502), u shpërngul në fillim në Beret, në abacinë e Shën Mërisë, e më pas në fshatin Gallatë të Kurbinit në kishën e Shën Prenës, e cila kthehet në rezidencë të selisë arqipeshkvore për një periudhë të gjatë kohore. Në vitin 1641 kryeipeshkvi i Durrësit Imzot Mark Skura e kishte rezidencën e tij në Shën Prene të Kurbinit, ndërsa në vitin 1856 do të ishte Imzot Rafael D’Ambrosio që do ta zhvendoste këtë seli ipeshkvore në Delbnisht Ai e zhvendosi Selinë Arqipeshkvnore në Delbnisht, për të qenë kështu më afër komunikimit. Në Shën Prende kanë reziduar prej vitit 1640 12 Arqipeshkvij të Durrësit prej si vijon: Imzot Mark Skura, (1635-1657), Imzot Nikollë Karpeni (1657-1670), Imzot Gerard Gallata (1671-1695), Imzot Pjetër Zymi (1700-1720), Imzot Pjetër Skura (1720-1737), Imzot Gjon Gallata (1738-1752), Imzot Nikollë Radovani (1752-1774), Imzot Tomë Marjani (1774-1796), Imzot Pal Gallata (1815-1837), Imzot Nikollë Bjanki (1837-1843), Imzot Gjergj Labella (1844-1847) si dhe Imzot Rafael D’Ambrosio (1848-1856), ky i fundit qëndron si i tillë sikurse e përmendëm deri më 1893, por tashmë në Delbnisht. Para pushtimit turk, vetëm qyteti i Durrësit kishte 60 000 banorë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin katolikë, ndërkohë që më pas mbeten si të tillë vetëm disa familje. Kur erdhi Imzot Raffaeli, kjo arkidioqezë kishte 6716 katolikë, 9 meshtarë, 2 seminaristë vendas e tre misionarë françeskanë italianë. Kishte 14 kisha, 7 kapela, 11 qela famullitare e 3 hospice. Meshtarët që gjeti nëpër famulli, sikurse na thotë në relacionin që i dërgon Propagandës Fide, ishin shumë të paditur, dhe kuptohet cila ishte gjendja kulturore e bashkësive besimtare. Atëherë ky ipeshkëv i kulturuar e i zellshëm u dha me mish e me shpirt për të formuar meshtarë të aftë, për të ndërtuar kisha e qela, duke bërë vizita baritore pa marrë parasysh vështirësitë. Ktheu në fenë e krishterë edhe mjaft myslimanë, rreth 70 persona, mjaft prejt të cilëve meritojnë të kujtohet, ndonjëri prej të cilëve i bën nder kishës sikurse Zenel Bajrami 19 vjeçar nga Selita, më 24 mars 1853, që më pas u bë prifti shembullor për 30 vjet në famullinë e madhe të Kthellës Dom Pashk Lalpepaj, ose sikurse njihej në popull Dom Pashk Turku, si dhe Don Nikollë Kacorri nga Lura, ky i fundit famullitar i Durrësit, dalluar për atdhetarinë, kulturën dhe zellin baritor. Po ashtu falë tij kisha fitoi Imzot Pashk Trokthin nga Laçi i Kurbinit, dikur nxënës i Kolegjit Papnor të Shkodrës, doktor në teologji, vikar i Përgjithshëm Imzot Raffaelos, që më pas u zgjodh Arqipeshkëv i Selisë Arqipeshkvore të Shkupit më 10 janar 1893 dhe në fund Imzot Prend Bardhi nga Delbnishti, fillimisht famullitar i katedrales së Durrësit e më pas me Breven Apostolike të datës 17 korrik 1893, zëvëndëson Imzot Raffaelon në Selinë Arqipeshkvore të Durrësit. Ky arqipeshkëv, Arkidioqezës së Durrësit i dha nji fytyrë tjetër. Në fakt në vitin 1893 numri i katolikëve sikurse kuptohet nga relacioni i tij ishte 12 000 frymë nga gjithsej 150 000 banorë që kishte. Kishte 30 meshtarë dhe rregulltarë një pjesë e mirë e të cilëve italianë, kishte 22 kisha dhe gjithashtu rezidenca famullitare, 23 kapela (kishëza), 2 oratore të ndryshme hospice për rregulltarët françeskanë. Meshtarët që gjeti nëpër famulli, sikurse thotë në relacionin që i dërgon Propagandës Fide, ishin shumë të paditur, dhe kuptohet cila ishte gjendja kulturore e bashkësive besimtare. Ai kreu 22 vizita dioqezane dhe mblodhi 44 sinode dioqezane për të stabilizuar e rregulluar disiplinën kanonike të klerit, të cilën e demostroi me rinovimin e Statuteve dhe Rregulloreve të ndryshme përmes të cilave kërkonte që grigja të udhëhiqej nga ligjet hyjnore dhe kishtare. Këtë e rikonforimojnë gjithashtu edhe ushtrimet shpirtërore në të cilat ftonte dhe u rrëfente meshtarëve, shkollave katolike instituteve të ndryshme nën juridiksionin e tij, bashkësisë femërore të Motrave Stigmatine etj. Falë njohjes së shqipes ai u mundua me gjithë forcën dhe energjitë e tij të shëronte plagët e shpirtit dhe të rikthente paqen e humbur në një terren të mbushur me dëshpërim, duke predikuar dhe dhënë udhëzimet e duhura të Doktrinës së Krishterë, duke pagëzuar, krezmuar rrëfyer pa pushim me një energji të pashembullt. Nuk la qytezë, fshat apo çoshe të arkidioqezës të mbërritur jo pa pak mundim edhe përkundrejt largësisë që kërkonte 10-15 ditë udhëtim përmes shumë rreziqeve dhe të papritura të befta në ato kohë fort të vështirë. Për meritat e punës së madhe apostolike materiale e shpirtërore, Imzot Ambrosio pati vlerësim të madh si bari zelltar dhe qe mbajtur si shembull jo vetëm në arkidioqezën e tij, por në të gjitha dioqezat shqiptare. Me ftesë të Selisë së Shenjtë më 8 dhjetor 1854 e më pas sërish në vitin 1962, mori pjesë në krye të procesit për canonizimin e 26 martirëve japonezë midis të cilëve ishin edhe disa etër françeskanë të urdhërit të tij. Me këtë rast ai bëri edhe një vizitë në Floko, vendlindjen e tij, ku u prit në kishën famullitare me madhështi. Në vitin 1870 kthehet në Romë ku mori pjesë në Konçilin e Vatikanit I, ku dhe pati nderin të kremtonte meshën e shenjtë në Aulën Konçilare me 2 qershor 1870, për të 63-tën mbledhje të Kongregatës së Përgjithshme. Në vitin pasues (1871), mori pjesë së bashku me prelatët dhe Prefektët Apostolikë të Maqedonisë dhe të Epirit në Konçilin e dytë shqiptar mbajtur në drejtimin e Imzot Carlo Pooten, Arqipeshkëv i Tivarit në Katedralen Metropolitane të Shkodrës. Selia e Shejtë nën pontifikatin e Papa Pio IX, dhe mjaft shtete dhe udhëheqës të ndryshëm si perandori i Austrisë Franz Joseph, perandori i Brazilit, perandori i Francës Napoloni III, perandori i Italisë Vttorio Emanuele II, perandori Osman i dhanë dekorata të ndryshme, me të cilat treguan sa çmohej e nderohej ky prelat i kishës katolike në Shqipëri. Imzot Raffaele D’Ambrosio, i shtyrë në moshë dhe i lodhur nga shëndeti, dëshirontë të tërhiqej në thjeshtësinë e tij private të cilën dëshironte ta kalonte tjetërkund për të pushuar. Fillimisht më 13 shkurt dhe më pas përmes një letre të datës 26 prill 1887 dërguar Prefektit të Propagandës Fide Eminencës së Tij Kardinal Simeoni, ai i lutej Papës të kishte mirësinë për t’i pranuar dorëheqjen për të kaluar në lirinë e tij spontane, por dorëheqja iu pranua vetëm pesë vjet më vonë më 27 nëntor 1892. Në shtatorin e vitit 1890 në moshën 80-vjeçare, Imzot Raffaele D’Ambrosio sëmuret me dhimbje të forta në shpinë gjatë një vizite baritore tek ecte herë në këmbë e herë mbi mushkun e tij, vizitë të cilën detyrohet ta ndërpresë, të cilën na e njofton përmes një letre të dërguar nga Delbnishti më 19 maj 1891. Prefekti i Propagandës Fide, Kardinal Miecislao N.S. Leone XIII ia prezanton Shenjtërisë së Tij Papës Leoni XIII, tërheqjen përfundimtare të arqipeshkvit të Durrësit. Më 1 qershor 1893, pas procesionit solemn të Korpit të Krishtit në kishën katedrale të Delbnishtit, mbledh të gjithë meshtarët shekullarë e rregulltarë dhe u njofton çlirimin nga detyra që kishte marrë nga Roma. Tërheqja e Arqipeshkvit i ka lënë më zemër të thyer jo vetëm klerin, por edhe besimtarët të cilët nuk e kanë pranuar dorëheqjen. Menjëherë pas tërheqjes i shkruan një letër Ministrit të Përgjithshëm të Urdhërit Françeskan të Etërve Minorë të cilit i kërkon tërheqjen në kuvendin e zgjedhur prej tij San Francesco del Deserto afër Venecia-s. Sikurse mësojmë nga testamenti i tij i lëshuar më 13 qershor 1895, më 4 qershor 1893 niset nga porti i Durrësit pa vënë në dijeni besimtarët për motivet e udhëtimit, për arsyen që u përmend më sipër, dhe mbërrin në Trieste në mëngjesin e datës 11 qershor ditën e dielë, ndërsa dy ditë më pas më 13 qershor 1893, mbërrin në kuvendin e San Francesco del Deserto në lagunën venete, një vend i izoluar dhe i paqtë mjaft i preferuar për devotshmërinë françeskane ku kishte pushuar Shën Françesku në vitin 1220 ndërsa kthehej në Itali me një anije veneciane nga Lindja. Më 14 korrik 1893, Papa Leoni XIII e  emëron Aqipeshkëv Titullar të Ohrit, dikur ipeshkvi sufragane e Durrësit. Nga data 8 deri më12 gusht 1897 me rastin e mbajtjes së Kongresit të XIX Eukaristik në Venezia, imzoti nderon jo vetëm me pjesmarrjen e tij, por mban aty edhe një fjalim të rëndësishëm. Me rastin e 50 vjetorit të shugurimit ipeshkvor, (25 shkurt 1848 -25 shkurt 1898) sivëllezërit e tij mendojnë ti celebrojnë solemnisht këtë ditë, që mbahet më 24 shkurt e ku meshën Pontifikale e udhëheq solemnisht Imzot D’Ambrosio. Më 16 dhjetor të vitit pasues, pasi kishte celebruar rregullisht meshën në kapelën e tij private ndien dhimbje të forta, të cilat prej disa kohësh ishin shpeshtuar dhe javën më pas nuk qëndron dot në këmbë, por merr kungimin dhe ditën e kalon në lutje. Pasi kishte shërbyer për 55 vjet në Shqipëri, prej të cilave 46 vite Arqipeshkëv i Durrësit, dhe 9 vjet famulliar misionar në Dioqezën e Pultit, i ngushëlluar posaçërisht nga Ati i Shenjtë Papa Luani i XIII, Imzot Raffaele D’Ambrosio natën e Shën Shtjefnit me datën 26 dhjetor 1899 në orën njëzetë e dy kaloi në jetën e amshuar, pak më shumë se një muaj pa mbushur nëntëdhjetë vjec. Për rastësi data e vdekjes së tij korrespondon me zërin e thirrjes misionare për të ardhur në Shqipëri në kuvendin e Shën Pjetër Montorit në të njëjtën ditë 62 vjet më parë më 26 dhjetor 1837. Funerali u mbajt të shtunën më 30 dhjetor, ku u përcoll me dinjitet në banesën e fundit. Homelinë e rastit e mbajti Imzot Ferdinando Apollonio. Në Urdhërin Françeskan Imzot Raffaele është konsideruar Shërbëtor i Hyjit. Njoftime të ndryshme me mjaft rëndësi historike dhe gjeografike të periudhës kur ai ishte në krye të Arkidioqezës së Durrësit, por sidomos për gjendjen sociale, kulturore dhe fetare të kohës së tij i gjejmë në shtatë relacionet që ai i ka dërguar Propagandës Fide në Romë përkatësisht në vitet 1848, 1851, 1854, 1862, 1864, 1891 dhe 1893. E përgatitëm këtë shkrim duke pasur parasysh se është një figurë e rëndësishme e kishës katolike në Shqipëri dhe me peshë në historinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të XIX, figurë e cila nuk ka gjetur vëmendjen e studiuesve shqiptarë, anipse menjëherë pas vdekjes në vitin 1900 i është kushtuar një monografi në italisht dhe një tjetër po në këtë gjuhë në vitin 1989.

 

Previous Libri i jetës
Next Merr zemër dhe shko të rrëfehesh!

Sugjerime