Të thirrur per drejtësi

Të thirrur per drejtësi

Nga Ate Armando Ceccarelli S.J. 

E Djela VI Gjatë Vitit

Nëse jemi drita e botës dhe kripa e tokës, drejtësia e jonë duhet të jetë “më se e bollshme”, e pra duhet të shkëlqejë më tepër se ajo e ndokujt që njeh në mënyrë të përkryer Ligjin (Skribët) apo e ndokujt tjetër që në sjelljen e vet e vëzhgon me përpikëri atë (Farisenjtë) (Mt 5, 20). Kjo do të thotë se ligji do të duhet të jetë i brendësuar në mënyrë të atillë që “të përkojë me vullnetin tonë të mirë” (Sir 15, 15), apo që kapaciteti i drejtësisë dhe kapaciteti i dashurisë të kenë të njëjtën përmasë. Është i vetmi kusht për të qenë drita e cila shkëlqen në vepra të mira e kripa që nuk e humbet shijen.

Për këtë arsye na propozohet përmasa e drejtësisë që nuk rresht dhe nuk kënaqet së shmanguri veprimet e këqia e të pandershme, çfarë sigurohet nga vëzhgimi me vëmendje i urdhërimeve, por që njëherësh edhe angazhohet në praktikimin e dashurisë së krishterë madje përtej së duhurës. Është e mundur që dikush të mos ketë vjedhur e as të mos ketë vrarë ndokë, por e rëndësishme është të ketë dashurinë në zemrën dhe dhembshurinë ndaj të tjerëve.

Ecja e dashurisë nuk përfundon kurrë dhe Jezusi do që të na çojë në fundin e vetvetes sonë, deri në shqyrtimin e synimeve të zemrës, pasi pikërisht atje jemi të thirrur për t’u bërë me të vërtetë të drejtë.

Është pikërisht atje, ku “shikimi i një gruaje, duke e dëshiruar atë, tashmë kthehet në kurorëthyerje” dhe “zemërimi me një vëlla do të thotë të fillosh ta vrasësh”. Sh. Gjoni arrin të thotë se “kush urren është tanimë një vrasës”. Na duhet kurajë për të sjellë në dritë të hapur nivelet e thella të ndërgjegjjes sonë. Shpesh të jesh praktikues i ligjit mund të dojë të thojë vetëm që të shpëtosh fytyrën, pas së cilës fshihen mjaft prirje të kundërta, dëshira të çrregulluara dhe jo dashuria e pakushtëzuar.

Është Jezusi që e realizon bashkimin e plotë mes drejtësisë e dashurisë pa kushte, dhe vetëm në Të Ligji mbërrin përmbushjen e vet të plotë. Ne, dishepujt e tij, jemi të thirrur për të shkuar pas gjurmëve të Tij me shumë përvujtëri. Ungjilli i sotëm na tregon katër urdhërime të përmirësimit: “Ju është thënë… Por unë po ju them…”.

I pari është sesi të garantosh për të mos vrarë, duke filluar nga vënia nën kontroll e zemërimit dhe e përçmimit. Vijohet me detyrën e kultit ndaj altarit të Hyjit Atë, kundrejt urgjencës që të duash të pajtohesh me vëllanë tënd: dy gjeste të shenjta me dinjitet të barabartë. I treti është pastrimi i mënyrës sesi ta shikosh njeriun (qoftë burrë apo grua), pasi njeriu nuk është kurrë një objekt për ta zotëruar apo për ta braktisur sipas tekave të tua. I katërti kërkon që t’i japësh peshën e duhur vlerës së fjalës sonë: “Po, kur është po” dhe “jo, kur është jo”, pa e shtuar nga pas betimin.

Nëse mund të rrimë të qetë përpara këtyre fjalëve, do të thotë se ose nuk e mirëpresim në dërgimin e së resë së tij ose nuk e kemi dëgjuar me të vërtetë. Për shembull, kemi ardhur të japim ofertën e Meshës përrreth altarit; kush prej nesh nuk ka në mendje ndokënd me të cilin do të duhet të pajtohet, për ndonjë farë motivi? Pasi të kemi dëgjuar Ungjillin, kisha tashmë duhet të boshatiset e mbase edhe ndoshta kremtuesi do të duhet të zhvishet nga veshjet sakrale për të kërkuar me përvujtëri ndokë tek i cili të kërkojë ndjesë.

Fjala e Sh. Agustinit “Duaj e bëje atë që do” duket disi e shkujdesur, kundrejt fjalëve më ekzigjente të Ungjillit të Mateut. Në realitet përmbajtja e të parave dhe e të tjerave është e njëjtë. Po, sepse kërkesat e jetës së krishterë janë të mëdha e merita e Ungjillit të sotëm është të na ruajë nga ndjenjat e krenarisë, pasi jemi tepër larg nga «të qenët të përkryer siç është Ari qiellor» (Mt 5, 48).

Kthimi i zemrës është një vepër që kurrë nuk përfundon plotësisht; është një ecje për ta çuar përpara ditë për ditë. Nuk mund të mohohet se nganjëherë të kushton lodhje të madhe e të vjen të mendosh se të vetëm, nuk do t’ia dalesh mbanë kurrë. Megjithatë Jezusi ka thënë edhe se: “Zgjedha ime është e këndëshme e pesha ime është lehtë”. Si të jetë e mundur kjo?

Fjala e Jezusit është Shpirt dhe Jetë. Ajo është njëherësh kërkuese e plot dhembshuri, therëse por edhe e butë. Ndërsa lajmëron të gjithë kërkesën e një jete në plotësi, na siguron se do ta mbërrijë atë me veprën e Shpirtit të Shenjtë, i cili është dashuri e pastër pa kushte dhe që na është kumtuar nga Ati e nga Biri Jezus gjatë pagëzimit. Shpirti Shenjtë vepron duke na hapur sytë e mendjes e të zemrës, duke vendosur rregull në dëshirat e zemrës e, në të njëjtën kohë, duke na dhënë forcën për të mos u shkëputur kurrë prej Krishtit dhe prej angazhimit për t’i jetuar fjalët e tia. “Pa mua nuk mund të bëni asgjë!” (Gjn 15, 5).

 

Pa Shpirtin e Shenjtë, e gjithë “Fjala në mal” (Mt 5-7) është përmbi forcat tona dhe mund të lindë fillimin e lodhjes dhe të shkurajimit. Me forcën e Shpirtit ne mund të përparojmë në një ecje mjaft kërkuese sigurisht, por edhe po aq çliruese.

Previous Eukaristia burim solidariteti
Next Libri i jetës

Sugjerime