Nga vjen emri i Tiranës?

Nga vjen emri i Tiranës?

Fatmira Nikolli

TIRANE-Shtëpitë, kishat e xhamitë e vjetra që nuk janë më, kafenetë e famshme të viteve 1920-’30, Tirana që u “humb” ndër vite gjendet e ilustruar në librin e Gazmend Bakiut. I ati, Ali Bakiu, ka qenë kryetar i bashkisë së kryeqytetit në 1945-’46, e disa prej imazheve i ka trashëguar prej tij. Në intervistën e mëposhtme.

“Tirana e vjetër. Një histori e ilustruar” sjell para lexuesit të dhëna të rëndësishme për qytetin. Gjatë kërkimeve tuaja, çfarë gjetjesh ju kanë bërë më shumë përshtypje?
Ato që të bëjnë më shumë përshtypje janë ato që i sheh për herë të parë, por kjo s’mjafton: duhet që ajo që shikon të jetë e bukur, imponuese, etj. Në këtë kuptim më kanë bërë përshtypje kalaja e Dorëzit dhe ajo e Persqopit, kur i pashë për herë të parë dhe i fotografova, në vitin 2003. Ato janë madhështore dhe pak të njohura për publikun.
Studimi shtrihet në kohë dhe jep një përgjigje për origjinën e emrit. A besoni se kjo është alternativa e fundit?
Absolutisht jo. Aq më tepër se janë disa variante; ndonjë mund të rrëzohet, të tjera mund të ngrihen, shtojmë këtu edhe subjektivitetin e natyrshëm të studiuesve të ndryshëm, por druaj nëse e vërteta se nga erdhi emërtimi Tiranë, zor se do të gjendet. Po kjo s’është për t’u shqetësuar, as austriakët nuk e kanë sqaruar me siguri se nga vjen emri i kryeqytetit të tyre, Vjenë. 

Një nga pyetjet që studiuesit e kohëve të ndryshme kanë dashur t’i japin përgjigje, ka qenë dhe është problemi se nga vjen emërtimi Tiranë. Për etimologjinë e emrit të kryeqytetit janë bërë shumë hamendje dhe janë dhënë po aq versione, përgjatë më shumë se një shekulli, të cilat do t’i përmendim të gjitha dhe me radhë. Tri shpjegimet e mëposhtme lidhen me legjendën e themelimit të qytetit të sotëm (1614), të treguar nga autorë të ndryshëm. 

Në vitin 1901, August Degrand dha shpjegimin sipas të cilit, themeluesi i qytetit, Sulejman Pasha e quajti atë Tehran në kujtim të një fitoreje të korrur në Persi; më pas ky emër u transformua në Tirana. Ky version ka zënë vend në enciklopedi të ndryshme. Ahmet Gashi thotë se Sulejman Pasha pa një të papunë që luante me ranë (rërë), dhe kur Pashai e pyeti se ç’po bënte, ai iu përgjigj: “Jam tue tjerrë ranë”. Dhe kështu, ai e quajti qytetin Tir ranë, emërtim që më pas u transformua në Tiranë. Në variantin e gojëdhënës së treguar nga Osman Myderizi, Sulejman Pasha pa një plakë që po tirrte në pragun e një kasolleje dhe e pyeti se ç’po bënte; përgjigja “po tir an” çoi në emërtimin Tiranë. 

Këto versione kanë rënë, pasi është e provuar se emri Tiranë (si emërtim i trevës), ekzistonte përpara se të themelohej qyteti. Në librat e Barlecit, e Muzakës, e të Biemit dhe në relacionet e udhëtarëve të ndryshëm, Tirana përmendet disa shekuj më përpara vitit 1614. Pra, kjo pjesë e legjendës ku pretendohet se ishte themeluesi i qytetit, ai që i vuri edhe emrin atij, nuk është e vërtetë. Qyteti i sotëm kur u formësua mori emrin e trevës Tiranë dhe ky është një rast i përsëritur në qytete të tjera anekënd botës. Varianti i katërt i pavërtetë është ai që e shpjegon emrin e Tiranës me Therandën, e cila është shënuar në hartën Tabula Peutingeriana të shekullit të III pas Krishtit. Duke u gabuar nga vendosja në hartë dhe nga ngjasimi i emërtimeve (Theranda-Tirana), është menduar se këtu kemi të bëjmë me Tiranën. Në fakt, Tabula Peutingeriana është një hartë itineraresh, dhe ashtu siç ka shkruar baroni Franz Nopcsa që e ka botuar atë, Theranda ndoshta ka qenë Suharjeka e motshme dhe nuk ka të bëjë me Tiranën. 

Sipas versionit të parë që duhet marrë në konsideratë, emri Tiranë ka ardhur nga kështjella Tyrkanos. Këtë kështjellë me vendndodhje të papërcaktuar e ka përmendur historiani bizantin Prokopi i Cezaresë, në shekullin e VI pas Krishtit. Milan Sufflay mendonte se kjo kështjellë duhet kërkuar pranë Tiranës. Dhe ndoshta kemi të bëjmë me kalanë në mes të kryeqytetit, rrënojat e së cilës dolën në shesh së fundmi. Më herët akoma në veprën e tij, A. Boue ka shkruar Tyrcanus Tirana. 

Një variant tjetër (i dyti) paraqitet tek “Shqypnija e Ilustrueme”, Shkodër, 1929: Emri Tiranë erdhi nga fjala latinisht tyros e greqisht turos (në fakt, greq. tiri-djathë), që nënkupton një vend të bulmetit. Kjo hipotezë mbështetet nga burimet historike sipas të cilave, ilirët ishin blegtorë të zotë dhe djathi i deles i përgatitur nga ta ishte shumë i përmendur jashtë vendit. Ndoshta, fusha e Tiranës u emërtua e tillë, sepse ishte vendi ku prodhohej bulmeti. 

I treti version mbështetet në hipotezën e transformimit të togfjalëshit vendas “të ranat” (të rana, të rëna), që nënkupton një fushë të formuar nga depozitimi i materialeve të ngurta, që sillnin ujërat që kalonin nëpër të. Po në të njëjtën mënyrë, Xhavit Maçi ka shpjeguar emrin e Lanës -“të lana” (të lëna), nga mbetjet e ngurta që linte pas përroi që kalon mes qytetit.
Kemi edhe një variant të katërt. Linguisti italian Graziadio Ascoli vërente ngjashmërinë ndërmjet emrave toskë e Tirana me emrat tuskë e tireni, si rrjedhojë e familjes së madhe tireno-pellazgjike. Duket se këtu është mbështetur Bardhyli (Llukë Karafili) kur thotë që Tirana e mori emrin prej emigrantëve tuskë, prej pellazgo-tirenasve që erdhën nga gadishulli italik në kohërat antike. Mirëpo, i pari që e ka ngritur këtë version ka qenë J. G. von Hahn dhe këtë na e bën të ditur S. Juka në një artikull të saj. 

Sidoqoftë, ne nuk kemi një version përfundimtar dhe bindës për shpjegimin etimologjik të emrit të kryeqytetit tonë. I pasigurt do të ishte edhe shpjegimi që mund të vijë nga zbërthimi etimologjik i emrave të qyteteve europianë, të ngjashëm me Tiranën, si psh. Tirano i Italisë. 

Imazhet e qytetit janë ato që e bëjnë botimin shumë interesant. A mund të na rendisni listën e objekteve, që për nga arkitektura e vlerat historike veçonin, e nga ana tjetër sot nuk janë më?
Siç e keni vënë re, Tirana e Vjetër, si histori e ilustruar fillon në antikitet dhe ndalet në vitin 1945. Që nga ky vit e deri më sot janë bërë prishje të rëndësishme, të cilat kanë sjellë humbje të pariparueshme në trashëgiminë e qytetit. Përmend këtu rrafshimin e Xhamisë së Vjetër (ndodhej tek monumenti ‘Partizani’) në vitin 1945, prishjen e Pazarit të Vjetër (në vend të tij u ndërtua Pallati i Kulturës), shembjen e Kishës së Ungjillizimit (aty u ndërtua 15-katëshi), rrafshimin e spitalit të vjetër pranë Sahatit rreth 1950-s, shembjen e Kishës Shën Prokopit më 1967 te kodrat e liqenit artificial (kisha është ribërë, por jo siç ishte), shembjen e Kishës Katolike të Shën Mërisë (prapa ‘Veve Center’), rrafshimin e kafes së famshme “Kursal” dhe të bashkisë së vjetër (1980), prishjen e kinema “Nacional” (’17 Nëntori’ më 2001), prishjen e lulishtes prapa Skënderbeut, më 2010; megjithatë lista nuk mbaron me kaq dhe do të zgjatej edhe shumë, por të tjerat mund t’i lexoni në libër.
Sa shihet dora e Ali Bakiut në Tiranën që kemi sot?
Ali Bakiu është babai im dhe ju besoj e keni fjalën për periudhën kur ai drejtoi për një vit e gjysmë bashkinë, në vitet 1945-’46. Periudha ka qenë e shkurtër dhe ai u mor kryesisht me riparimin dhe shërimin e plagëve të luftës në qytet, gjithashtu u mor me strehimin dhe me sistemimin e njerëzve në nevojë.
A mund të ndaleni pak tek detajet e ekspozitës së parë të artit në Tiranë tek kafe “Kursal”?
Ekspozita e parë e artit në Shqipëri është hapur më 24 maj 1931, në ambientet e kafes së famshme “Kursal”, në qendër të kryeqytetit. Interesimi nga e gjithë elita intelektuale e kohës ka qenë tepër i madh. Ishin ekspozuar 150 vepra në pikturë dhe 20 të tjera në skulpturë, por nuk mungonte gjinia e karikaturës. Veç dy artistëve të ndjerë Murat Toptani dhe Ndoc Martini, morën pjesë artistët e poshtëshënuar: Ali Dino, Alaidin Toptani, Andrea Thanasi, Marieta Dh. Berati, Janaq Zafiri, Kolë Idromeno, Meli N. Leskoviku, Odhise Paskali, Simon Rrota, Shadan Toptani, Qenan Masareja, Vangjush Mio dhe Ysref Frashëri. Në pikturë dominonte peizazhi, por dhe portretet nuk mungonin. Mjaft nga veprat e paraqitura u blenë përnjëherë; kështu brenda një ore Qenan Masareja shiti 26 punë. Më shumë mund të lexoni në libër.

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Previous Edukimi është çështje e zemrës
Next Përse po lutet kjo nënë?

Sugjerime