Të rinjtë dhe debati mbi abortin

Të rinjtë dhe debati mbi abortin

Osservatore Romano

 

Brezat e rinj, të liruar nga ideologjitë e viteve ’60, përballen pa paragjykime ndaj temave etike dhe mbrojnë jetën.

 

Diçka po ndryshon në botë në frontin e abortit: në Spanjë, Qeveria ka vendosur ta lejojë vetëm në rastet e dhunës apo të keqformimeve të rënda, ndërsa në SHBA, më shumë se njëzet shtete i ngushtojnë mundësitë për t’i dhënë fund një shtatzanie e në Dhomën e Senatit  është votuar një normë e cila ndalon abortin pas njëzet javësh. E disa ditë më parë, marshimi në favor të jetës që u mbajt në kryeqytetin amerikan, ka parë duke marshuar shumë të rinj, pavarësisht të ftohtit polar.

Ashtu siç ka vërejtur  «The Washington Post», lëvizja e re antiabortiste – kundër çdo parashikimi – pushton gjithmonë e më shumë të rinj. Janë të rinj që nuk kishin lindur akoma në momentin e betejave të mëdha të viteve Gjashtëdhjetë dhe mendojnë në mënyrë të lirë, pa qënë të ndikuar nga ajo dallgë ideologjike e cila në atë kohë e kishte bërë ndërprerjen e shtatzanisë një çështje të drejtash, një hap themelorë për emancipimin e femrës. 

Ndërkohë që të rinjtë amerikanë po zbulojnë të drejtën e jetës e apasionohen pas saj, në Francë Qeveria propozon një zgjerim të mundësisë për abort, duke e zbrazur zgjedhjen nga çfarëdo lloj  detyrimi moral: në fakt, është fshirë çdo lloj referimi që mund ta vendos atë në një kontekst dramatik, në një situatë “sikleti ekstrem për gruan”. Dhe, bazuar në këtë ndryshim – formal më shumë se gjithçka tjetër pasi që tashmë prej vitesh kjo klauzolë nuk respektohej më – është rihapur beteja: edhe këtu, në favor të abortit të rritur e të moshuar, ndërkohë që shumë të rinjë deklarohen kundër.  

Këto konflikte e tejkalojnë kundërvënjen tradicionale politike mes të djathtës e të majtës duke u bërë në këtë mënyrë përplasje mes brezash. Për më tepër, përkrahësit e vjetër të abortit nuk dëshirojë të pranojnë se legalizimi ka qënë një flluskë sapuni në lidhje me vetë qëllimet e tyre: duke mbrojtur “të drejtën për të abortuar” në fakt, kishin premtuar se legalizimi, i shoqëruar me një fushatë këmbëngulëse antingjizje, do e kishte çrrënjosur de facto ushtrimin e kësaj praktike. Nuk ka ndodhur asgjë e kësaj natyre. Përkundrazi, sot llogaritet që në Francë një grua në tre të ketë abortuar të paktën një herë, ndërkohë që tjetërsimi gjuhësor – me përdorimin e shprehjes “ndërprerje e vullnetshme e shtatzanisë”, domethënë përpjekja për ta bërë abortin një ndërhyrje mjeksore si të tjerat – ka arritur t’i japë një dorë lehtësie sipërfaqësore.

Por problem më i madh që ka hapur legalizimi i abortit – e që askush nuk don ta përballojë – është konflikti i tij me të drejtat njerëzore, sikurse kujton Papa Françesku në “Evangelii gaudium”: «Kjo mbrojte e jetës që po lind është rrënjësisht e lidhur me mbrojtjen e çdo lloj të drejte njerëzore. Nënkupton bindjen se një qënje njerëzore është gjithmonë e shenjtë dhe e pacënueshme, në cilëndo situatë dhe në çdo fazë të zhvillimit të saj. Është një qëllim në vetvete dhe kurrë një mjet për të zgjidhur të tjera vështirësi. Nëse bie kjo bindje nuk mbeten të tjera themele të qëndrueshme e të përhershme për mbrojtjen e të drejtave njerëzore të cilat do të ishin gjithmonë subjekt i leverdive të momentit të të fuqishëmve të radhes».

 

Me legalizimin e abortit, sikurse ka shkruar sociologu francez Luc Boltanski, pas dymijë vitesh është ngritur sërisht çështja se cili mund te jetë përkufizimi i qënjes njerëzore, me krizën përkatëse të asaj ideje që qëndron pas Deklaratës së të drejtave të njeriut të 1948. Mbërritja harbutshe e abortit në sferën e ligjshmërisë, në të vërtetë, hap sërisht një dallim mes “qënje njerëzore të mishit” dhe “qënje njerëzore të konfirmuara nga fjala”; vetëm këtyre të fundit u lejohet të jetojnë, ndërsa të parët gjinden në gjëndjen që dikur ishte e skllevërve, domethënë janë “një njerëzim i pakonfirmuar”.
Boltanski, i cili arsyeton përtej pasioneve ideologjike e religjoze, del në përfundimin se «gjëndja e fetusit është një gjëndje njerëzore».

Atëherë është e mundur — dhe e dëshirueshme — që, duke e vënë në pikëpyetje abortin, hapja e sërishme e debatit mbi përkufizimin e dinjitetit të çdo qënjeje njerëzore të rindezë interes e dëgjim për pozicionin e Kishës, e konsideruar deri pak kohë më parë si e vjetëruar dhe konservatore.

Marrë nga: Osservatore Romano, 28 janar 2014 – Perktheu Edison Kumllaku

 

 

Previous Kur ne e marrim Shpirtin e Shenjtë në zemrën tonë ... vetë Krishti është i pranishëm në ne
Next Edukimi është çështje e zemrës

Sugjerime