Drejtësia sociale dhe qytetaria aktive në Shqipëri

Drejtësia sociale dhe qytetaria aktive në Shqipëri

Me datë 8 shkurt në Hotel Rogner në Tiranë do të zhvillohet një konferencë me titull “Drejtësia sociale dhe qytetari aktive në Shqipëri”. Një temë kjo mjaft aktuale e cila për vetë rëndësinë që mvesh sheh të pranishëm në Konferencë folës të një kalibri të lartë të mendimit dhe kulturës. Ndër folësit do të jenë Maks Velo i cili në këto vite njihet si një njeri mjaft aktiv në fushën e arkitekturës. Me daljet dhe komentet e tij ka qenë ndër opozitorët më të fortë të shëmtimit arkitekturor të qytetit të Tiranës. Vetë historia e tij edhe si një ish i burgosur politik dhe qytetar aktiv përbën një zë me majft autoritet për të folur rreth një temë të tillë.

Po ashtu pjesëmarrja e Prof. Ardian Ndrecës, aktualisht docent i Filozofisë pranë Universitetit Papnor Urbanian në Romë, ndryshe i njohur për historinë e Kishës si Propaganda Fide, ku ka studjuar edhe një plejadë e tërë klerikësh katolikë, është një vlerë e shtuar e kësaj konference. Prof. Ndreca njihet kohët e fundit edhe si një nga zërat publicistikë më të spikatur, sidomos në vitin e fundit para zgjedhjeve të 23 qeshorit me kritikat e tij të ashpra në rrafshin politik. Po ashtu lëvrimi i gegnishtes nga ana e tij në shkrime, përbën një “provokim” dhe një sprovë shumë interseant në lëmin e gjuhësisë dhe sidomos të përplasjes ndërmjet një standardi të ngurtësuar dhe një gjuhe të lirë që buron nga lirshmëria e komunikimit.

Don Marian Paloka aktualisht famullitar në Fiesole në Itali dhe njëherësh drejtor i seksionit shqip të Radio vatikanit, doktor në Teologji në Universitetin Gregorian, do të flasë mbi thirrjen politike të të krishterit dhe vendin që feja ka në qytetin shekullar. Për publikun mediatik Dom Mariani është i njohur për ndërhyrjet e tij në fushën polemike, sidomos në vitin e fundit në dy raste që bënë bujë në mediat shqiptare: me rastin e shkarkimit të Gjeneral Lleshit edhe ky pjesë e Konferencës, dhe në rastin e një debati të zhvilluar këtë verë mbi cështjen e gjuhës shqipe në polemikë me Prof. Rami Memushajn.

Ndër folësit e tjerë në Konferecnë do të jenë edhe Gjeneral Brigade Dr. Sandër Lleshi një nga vlerat e mendimit ushtarak në vendin tonë i njohur për esenë e tij pas daljes së librit të Oliver Schmidt mbi Skëndërbeun me titull “Skëndërbeu ose misioni i pamundur i Schmidtit”. Gjithashtu Gjeneral Lleshi ishte edhe në qëndër të disa polmikave pas shkarkimit të tij nga detyra e Gjeneralit në vitin 2013. Me mendimin dhe personalitetin e tij tashmë ai ka bërë një vend të shquar në spektrin e mendimit shqiptar.   

Folësit e tjerë do të jenë Kryeredaktorja e gazetës kosovare “Zëri”, Msc. Arbana Xharra, e cila do të flasë për disa dëshmi kurajoze për drejtësi sociale në Kosovë si dhe për disa shfaqje të ekstremizmave si rrjedhojë e krizës së vlerave në shoqërinë e sotme kosovare.

Prof. Ass. Gentian Zyberi ngaa Universiteti i Oslos do të flasë për drejtësinë sociale dhe qytetarinë aktive në Shqipëri mes aspiratës dhe realitetit.

Kjo konferëncë do të moderohet në pjesën e saj të parë prej Dr. Albert Nikollës, drejtor i Karitasit Shqiptar dhe një nga emrat e mendimit katolik në Shqipëri, përvecse profesor i etikës në Universitetin e Tiranës dhe publicist në faqet e Gazetës Mapo. Po ashtu Konferenca do të moderohet edhe nga Elona Mehmetaj. Zv. Drejtoreshë e Karitasit Shqiptar dhe drejtuese e Sektorit Shëndetësor pranë Karitasit shqiptar.

Duhet thënë se një konferencë me një përmbajtje të tillë dhe një panel kaq prestigjoz, është një ogur i mirë për reflektimin e qytetarisë aktive në Shqipëri. Kjo edhe pasi emrat në pjesën më të madhe janë persona që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe me përvojën e tyre në vendet perëndimore e ndërthurur edhe me emra si Gjeneral Lleshi e Maks Velo që jetojnë e veprojnë në Shqipëri, do të japin një kontribut në stimulimin e faktorit qytetar për pjesëmarrje në jetën shoqërore dhe politike të vendit tonë.

Konferenca organizohet nga Karitasi Shqiptar në bashkëpunim me CODE Albania.

Previous Vizion më i thellë
Next Kryepiskopi Anastas shpallet sot “Doktor Nderi” i Universitetit Fordham

Sugjerime