Çështja e paqes nuk mund të zgjidhet pa një përsiatje të sinqertë e të thellë mbi njeriun*

Çështja e paqes nuk mund të zgjidhet pa një përsiatje të sinqertë e të thellë mbi njeriun*

Nga Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë – Durrësit

Mesazhi i parë i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes përshkohet që nga fillimi deri në fund nga tema e vëllazërisë. Duke përdorur një stil, që tashmë i ka bërë për vete njerëzit, edhe në këtë përsiatje mbi paqen Papa kthehet tek pikënisja më e thjeshtë dhe e natyrshme: vëllazëria.

Në një botë të trazuar nga luftërat e shumta dhe të dhunshme, por edhe të trembur nga kriza ekonomike e vendeve të pasura e të kërcënuar nga konkurrenca shpesh e pandershme, strategjitë diplomatike dhe negociatat për pajtim e paqe kanë nevojë për një themel të përhershëm,

që nuk është artificial, por gjendet në natyrën e njeriut. Nëse e gjejmë themelin e përbashkët të natyrës njerëzore, atëherë gjejmë themelin e paqes. Ky themel është vëllazëria: “Vëllazëria – shkruan Ati i Shenjtë – është përmasa themelore e njeriut, i cili është qenie në marrëdhënie” (n. 1).

Çështja e paqes, sipas kësaj pikënisjeje, nuk mund të zgjidhet pa një përsiatje të sinqertë e të thellë mbi njeriun. Thirrja e tij për vëllazëri, e cila fillon që në familje, duket se ka mbetur e padëgjuar, sepse njerëzimin e sotëm e ka kapluar “globalizimi i indiferencës”. Nëse vuajtja e të tjerëve nuk na prek, atëherë lihen në harresë ato pjesë të njerëzimit, ku nuk respektohet  e drejta për jetën dhe liria fetare; ku zhvillohet fenomeni i trishtueshëm i trafikut të organeve dhe të qenieve njerëzore; ku, përveç luftërave të armatosura, zhvillohen përplasje të padukshme të interesave ekonomike, me pasoja të rënda për jetët e individëve dhe të familjeve.

Përsiatja mbi njeriun bëhet e domosdoshme, pas dështimit të etikës bashkëkohore për t’i shuar konfliktet mes njerëzve. Etika bashkëkohore nuk ka arritur të krijojë mes njerëzve lidhjet e vëllazërisë, sepse “një vëllazëri pa lidhje me një Atë të përbashkët, që është themeli i saj më i thellë, nuk mund të rrijë më këmbë. Vëllazëria e vërtetë mes njerëzve pandeh dhe kërkon atësinë transcendente. Duke u nisur nga pranimi i kësaj atësie, përforcohet vëllazëria mes njerëzve, domethënë ajo ‘afërsi’ që na bën të kujdesemi për  të tjerët” (n. 1). Vëllazëria mes njerëzve është e themeluar në atësinë e Hyjit.

Historia e Kainit dhe e Abelit na tregon se ekziston mundësia dramatike për ta tradhtuar thirrjen për vëllazëri. Ajo histori gjen jehonë në “egoizmin e përditshëm, që është baza e shumë luftërave dhe padrejtësive” (n. 2). Si mund ta gjejë njeriu udhën e humbur të vëllazërisë, atëherë? Papa na tregon udhën e Krishtit si udhën e vëllazërisë së rigjetur: “Vëllazëria njerëzore rilind në Krishtin dhe nga Krishti, me vdekjen dhe ringjalljen e tij. Kryqi është vendi përfundimtar i themelimit të vëllazërisë, të cilën njerëzit nuk janë në gjendje ta lindin të vetëm. Jezu Krishti, që e mori natyrën njerëzore për ta shpëtuar, duke e dashur Atin deri në vdekje, madje deri në vdekje në kryq, me anë të ringjalljes së tij na themelon si njerëzimin e ri, plotësisht të bashkuar me vullnetin e Hyjit, me shestimin e tij, që përfshin realizimin e plotë të thirrjes për vëllazëri” (n. 3).

Vëllazëria dhe solidariteti, jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes popujve, është, prej shumë kohësh, udha që u tregon njerëzve doktrina shoqërore e Kishës. Solidariteti i krishterë nuk mjaftohet me njohjen dhe respektimin e të drejtave themelore të të tjerëve, por shikon tek çdo njeri shëmbëllimin e gjallë të Hyjit Atë. Solidariteti, i mbështetur në themelin e fortë të vëllazërisë, e bën të mundur zbutjen e varfërisë, i frymëzon njerëzit t’i ndajnë mes tyre begatitë e tokës. Krisza e sotme ekonomike, thotë Papa, mund të jetë një rast i mirë për zbulimin e vlerës së vëllazërisë. Edhe luftërat, që mbjellin dhunë në shumë zona të globit, shpesh herë të lëna në harresë, mund të ndalen, nëse e kuptojmë se tjetri nuk është armiku, por vëllai ynë. Vizioni vëllazëror duhet t’i shtyjë shtetet dhe shoqëritë e përfshira, ta ndalin prodhimin e armëve e të realizojnë çarmatosjen.

Duke qenë se, në procesin e paqes, marrëveshjet ndërkombëtare, edhe pse të dobishme, nuk mjaftojnë për fashitjen e konflikteve, është i domosdoshme “kthimi e zemrave”, e vetmja rrugë e efektshme për të mundur korrupsionin: “Njeriu mund të pendohet e të kthehet. Nuk duhet humbur kurrë shpresa e mundësisë për ta ndryshuar jetën” (n. 8) – thotë Papa.

Duke përfunduar, mund të themi se, për të ndërtuar paqen e qëndrueshme në shoqëri dhe mes shtetesh, duhet të kalojmë nëpërmes njohjes së thellë të njeriut dhe edukimit të tij me ndjenjën e atësisë së Hyjit e të vëllazërisë me të tjerët.

Sfida e vërtetë e paqes dhe e përparimit është sfida e edukimit. Kisha edukon me anë të Ungjillit. Njeriu është interesi qendror i Kishës dhe Ungjilli është drita e madhe mbi njeriun. Mesazhi i Papës Françesku vlen shumë për rrethanat tona, në një kohë kur plagët e shoqërisë janë të ndjeshme dhe kur rruga e vetme për shërimin e këtyre plagëve është ajo e kujdesit për njeriun dhe ngritjes së tij morale e shpirtërore.

Shpresoj e uroj që kisha dhe shoqëria shqiptare të dinë ta pranojnë këtë mesazh me zemër të hapur e të nxjerrin prej tij fryte të begata.

*Kjo është fjala e mbajtur në takimin e zhvilluar në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” rreth Mesazhit të Paqes të Papës Françesku për vitin 2014.

 

Previous Është i nevojshëm një protagonizëm i ri i të gjithë të pagëzuarve
Next Me njërën pjesë të të hollave që fitonte, blinte bukën për vete, ndërsa pjesën tjetër ua jepte të varfërve.

Sugjerime