Nënvleftësimi i kulturës si marri që pengon integrimin*

Nënvleftësimi i kulturës si marri që pengon integrimin*

Nga Epidamn Zeqo

Miti i Kritereve

Që të kuptojmë përse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat në dhjetor 2013, duhet si fillim të kuptojmë arsyet pse u vendosën kriteret e pranimit për vendet potenciale për në BE.

Kriteret formale të Kopenhagen-it u vendosën në vitin 1993, për të siguruar që vendet e ardhshme anëtare të mos destabilizonin BE-në, si dhe për të bindur shtetet anëtare që kundërshtonin zgjerimin. Përtej kriterit politik, ekonomik dhe ligjor, u shtua dhe një kriter i katërt: aftësia thithëse e BE-së për t’u siguruar shteteve-anëtare fuqi asimetrike me vendet kandidate gjatë negociatave dhe për të garantuar rolin politik të tyre në procesin e zgjerimit.

 

Tri kriteret e para janë supra-nacionale dhe teknike në natyrë dhe me to merren Komisioni dhe Parlamenti Europian.

Shqipëria i plotëson kushtet për marrjen e statusit kandidat, prandaj i kanë thënë PO.

Ky është procesi teknik.

Kriteri i fundit është inter-qeveritar dhe politik në natyrë dhe me të merren Këshilli dhe parlamentet e vendeve anëtare.

Shqipëria nuk perceptohet si europiane, e rëndësishme dhe e aftë, prandaj i thanë JO.

Ky është procesi politik.

E vërteta është që Kriteret e Kopenhagenit janë një mit në kuptimin që kërkesat janë të politizuara dhe të lëvizshme, dhe të kushtëzuara nga një nivel i lartë maturie midis bashkëveprimeve BE-shtet potencial dhe interesave gjeostrategjike.

Problemi nuk është tek kriteret ose kushtet, por tek fakti që Shqipëria nuk perceptohet si europiane nga shumica e vendeve të Europës, kontinentit tonë të përbashkët. Shkurtimisht, BE nuk është gati për t’u zgjeruar me Shqipërinë sepse e percepton si një vend oriental, dhe popullin shqiptar pa krye dhe pa histori europiane.

Kjo ende nuk do të thotë që dera e integrimit është e mbyllur, por që Shqipëria duhet të punojë dhjetëfishin e krahasuar me vendet fqinje për t’u anëtarësuar në të njëjtën kohë.

Sindroma e Mashtruesit

Sindroma e mashtruesit është një fenomen psikologjik, në të cilën njerëzit nuk janë në gjendje për të përvetësuar arritjet e tyre. Përkundër dëshmive të jashtme të kompetencave të tyre, ata mbeten të bindur se janë mashtrime dhe se nuk e meritojnë suksesin që kanë arritur. Prova e suksesit hidhet poshtë si fat ose si rezultat i krijuar nga të tjerët. Populli shqiptar dhe elita vuajnë nga kjo sindromë. Kjo vjen për shkak të injorancës dhe mosnjohjes të historisë sonë shumë të pasur, që është në fakt europiane dhe pa-mangësi historike. Si mund të presim të legjitimohemi si shtet europian kur ne vetë nuk e mendojmë diëka të tillë?! Ky është problemi hamletian.

Deri tani, integrimi europian nuk është marrë seriozisht nga elita dhe populli shqiptar pikërisht për shkak të kësaj sindrome. Integrimi Europian është përdorur vetëm për retorikë, pa krijuar një frymë optimiste dhe europiane, sepse ka vuajtur nga lojërat politike dhe interesat e ngushta. Elita politike në Shqipëri ka dështuar në krijimin e një momentumi në procesin e integrimit dhe marrëdhënieve me shtetet-anëtare dhe fqinje. Gjithashtu, ajo ka dështuar për të informuar popullin mbi procesin e integrimit dhe për historinë tonë shumë të pasur europiane.

Kriteret teknike janë plotësuar, mund të plotësohen dhe do të plotësohen. Problemi është kriteri politik, pasiguria jonë dhe komplekset e thekshme të inferioritetit.

Integrimi Kulturor

Problemi i integrimit është një problem i shumëfishtë, universal. Përveç dimensionit teknik dhe politik, integrimi ka dimensionin e jashtëzakonshëm dhe përcaktues të integrimit kulturor: pra, të historisë shqiptare të konceptualizuar si histori kulturore europiane. Këtu është defekti i madh, këtë duhet të kuptojë elita politike. Është e habitshme që elita politike e nënvleftëson dimensionin kulturor. Elita e kulturës nuk është e integruar në procesin politik apo edhe teknik të integrimit.

Bota akademike shqiptare mund të integrohej në botën akademike europiane shumë më përpara, po ja që nuk është integruar, sepse edhe pushteti politik ende nuk e stimulon këtë gjë.

Nënvleftësimi i kulturës është një vonesë e pajustifikuar, është thjesht një marrëzi e pajustifikuar.

Përfundim

Bashkimin Europian, që është një quasi-federatë ose Europa e Bashkuar në mënyrën e saj sui generis, do të fitonte nga pranimi i Shqipërisë. Roli ynë është që t’i mësojmë BE-së faktin që jemi popull krenar europian, i aftë dhe i ndërgjegjshëm.

Kjo nuk arrihet vetëm duke plotësuar kriteret teknike, që mund të plotësohen nga të gjitha vendet e botës, por duke njohur historinë tonë dhe duke kërkuar të drejtat tona. Unë mendoj që është e drejta jonë të anëtarësohemi sa më parë. Ta kërkojmë me ngulm. Të fokusojmë energjitë dhe njohuritë tona për këtë synim që na është shitur si i pamundur dhe i pafundshëm. Elita politike duhet të mobilizojë dhe të funksionalizojë elitën kulturore si një domosdoshmëri jetike. Vetëm kështu luftohet sindroma e mashtruesit.

*Shkrimi eshte botuar me pare ne Gazeten Mapo me titulli: Sindroma e mashtruesit dhe Integrimi i Shqipërisë në BE (http://mapo.al/2014/01/14/sindroma-e-mashtruesit-dhe-integrimi-shqiperise-ne/)

 

Previous Pse të besoj akoma?
Next Medjugorie: shumë pikëpyetjë dhe ... shumë vend për lutje

Sugjerime