Dom Simon Jubani, ambasadori i Perëndisë

Dom Simon Jubani, ambasadori i Perëndisë

Nga Lavdrim Lita

Në korrik të vitit 1992 në revistën e njohur “National Geographic” botohej një reportazh i shkruar mjaft mirë dhe i pasqyruar me foto të paharrueshme për sytë mbi gjendjen e Shqipërisë në pragun e Vitit të Ri, 1990-të. Gazetarja Dusko Doder e tregon me fjalët e saj në reportazh se “po i afrohesha (Shqipërisë) me një përzierje pasigurie dhe frike. Kisha jetuar në disa vende komuniste, por ky para meje kishte pasur namin e vendit më shtypës dhe më paranojak nga të gjithë”.

Dhe kishte plotësisht të drejtë për konstatimin e izolimit dhe paranojës së krijuar nga sundimi i kastës së kuqe. Megjithatë prania e një gazetareje të huaj në Tiranë, në prag të 90-s, do të thoshte se Shqipëria kishte filluar të hapte kufijtë ndaj botës së jashtme. Epruveta staliniane në Shqipëri polli një nga mizoritë e shekullit të XX-të, ku alienimi i njeriu bazohej në ideologjinë materialiste të njeriut të ri, i pa fe dhe larg dhimbjeve të shpirtit. Shërimi i plagëve të marrë nga indoktrinimi artificial do të ishte një nga misionet me plot të panjohura që mjekët e shpirtit do të ndërmerrnin. Mjekët e shpirtit, priftërinjtë, hoxhallarët dhe Baba-të ishin pothuajse shuar nga makineria shtypëse e sistemit komunist. Vetiu të paktë do ishin misionarët e religjioneve monoteiste, që do të rikthenin rendin e Perëndisë në shpirtrat e trazuar dhe të hutuar të Shqiptarëve. Një prej këtyre kalorësve të Zotit ishte edhe Dom Simon Jubani, që tashmë është rikthyer në Shtëpinë e Atit. Kronistja e National Geografic rrëfente dy dekada më parë sesi “ një prift Katolik Roman të quajtur Simon Jubani”, një nga klerikët e shumtë të përndjekur nga regjimi komunist që mbeti gjallë e që drejtoi meshën e parë post-komuniste. Ai në 1946 ishte vetëm 16 vjeç kur hyri në shkollën Apostolike për të bërë jezuit. Instalimi i komunistëve në Shqipëri solli implementimin e luftës kundër të ashtuquajturave zakone prapanike, sipas doktrinës ateist-materialiste të Hoxhës dhe Nexhmijes. Kur Dom Jubani u pjek si molla dhe u bë meshtar në vitin 1957-58 komunistët e arrestuan në Mirditë ku ishte famullitar, dhe prej asaj dite nisi kalvari i kampeve të përqendrimit. Në vitin 1990 ai tashmë ishte 65 vjeç dhe shumë i ligsht prej 26 viteve që kishte kaluar në një prej burgjeve më të frikshme të Shqipërisë. Por At Jubani ishte ende në gjendje të mbahej krenarisht, c’ka e kishte shndërruar atë në një hero kombëtar. Afërmendsh pak kohë pas lirimit të tij më 1990, ai iu kundërvu vendimit të qeverisë për ndalimin e fesë, duke u prirë në krye dhjetëra banorëve të qytetit për tek një kishë katolike. I ruajtur nga të rinj shkodrane të armatosur me thika, At Jubani qëndroi mes ferrave të mbira nëpër rrugicat e harruara mes varreve të varrezës katolike dhe mbajti atje meshën e parë publike pas tre dekadash. Kur kishte mbaruar meshën, mijëra qytetarët që ishin ngjeshur brenda varrezës, dhe jo vetëm katolike por edhe myslimanë, u derdhën nëpër rrugë. Autoritetet u tërhoqën dhe kisha e At Jubanit më së fundi u rihap për mesha. 4 nëntori i 1990 ishte një ditë e zymtë dhe me shi për komunistët, por për besimtarët një ditë e bukur. E paharrueshme. Atë ditë fija e këputur u lidh fort. Një javë më pas, me 11 nëntor u kremtua mesha e dytë publike, më e organizuar, ku fjalët e librit të shenjtë luteshin për shpirtin e atyre viktimave të pafajshme të egërsisë së injorancës ideologjike. Shumë prej atyre 55 mijë besimtarëve që morën pjesë në meshë edhe pse në ditët që do të vinin u rrahën, u torturuan derisa regjimi ra përfundimisht e mposhtën logjikën e frikës dhe dhunës. Atë ditë drita mbizotëroi errësirën falë punës së palodhshme të dërguarit të Perëndisë.

Previous Nje meshtar i shkruan Papes pak dite para se te vdese...
Next Pagëzimi i Jezusit

Sugjerime