Taizé: Heshtja e lutjes, filozofia më e bukur e bashkimit!

Taizé: Heshtja e lutjes, filozofia më e bukur e bashkimit!

Nga Aleksandra Meta

Lutja e Taize-se është një iniciativë e ndërmarrë nga Fre Roger Schutz ne vitin 1940 ne një fshat të Francës të quajtur Taize.

Qellimi kryesor i kësaj nisme ishte bashkimi i gjithë atyre që e duan Krishtin. Fre Roger i nxitur nga shpirti i së vërtetës e shqetësonte gjithmonë fakti i ndarjes së të krishterëve  dhe ishte i bindur se kjo gjë e shqetësonte edhe vetë Zotin, i Cili është i hapur për ti ofruar miqësi çdokujt, panvaresisht besimit, ngjyres, etnise, statusit social, etj. Nisur nga eksperienca vetjake mund të them me bindje se ai “ia ka qëlluar” dhe e ka realizuar qëllimin e tij.

Në nivel ndërkombëtar lutja e Taize realizohet 2 herë në vit: gjatë periudhës verore ne fshatin e Taize-së dhe gjatë festave të fundvitit në një nga shtetet e Europës. Këtë fundvit u mblodhem rreth 20.000 të rinj nga e gjithë bota në Strasburg, një qytet kaq i ngrohtë dhe mikpritës. Programi i zakonshëm përmban akomodimin në familje, lutjet e përbashkëta me të rinj nga komunitetet e krishtera(ortodoks, protestant dhe katolik), takimet në grupe midis të rinjëve me kombësi të ndryshme, ëorkshop-e dhe festa e kombeve në famullitë pritëse natën e fundvitit. Ishin vetëm katër ditë të cilat jo vetëm orientuan shpirtin e të rinjëve drejt bashkimit me Hyjin dhe me njëri-tjetrin por  lëvizën shpirtin e banorëve të një qyteti të tërë pavarësisht besimeve të tyre.

Në një nga takimet në grupe një vajzë nga Gjermani tha:”Nëse do të uleshim të diskutonim problemet e ndarjes së kishave të krishtera, nuk e di se sa kohë do të na merrte deri në përfundimin e tij, madje nuk e di nëse do të na çonte në bashkim apo ndarje, e megjithatë ne ja kemi arritur të bashkohemi, jo nga fjalët por nga heshtja, nga heshtja e lutjes.  Jemi lutur të gjithë të krishterët në një sallë a nuk është ky bashkim? A nuk është ky plotësimi i premtimit të Jezusit kur thotë “Nëse dy ose më shumë janë të bashkuar në emrin tim unë do të jem në mesin e tyre”?

Lëvizja e Taize ishte ndër lëvizjet e para Ekumenike. Ekumenizmi, lëvizja për bashkimin e të krishterëve në botë nuk është si një lëvizje politike e cila udhëhiqet nga politikat e lidërve të tyre por udhëhiqet nga fryma e bashkimit që sjell Trinia e Shenjtë. Ky bashkim në lutje i të rinjve nga tre komunitetet kryesore fetare ishte mishërimi më natyror i misterit të Trinisë. Në vazhdën e kundrimit të forcës së mistershme të shpirtit të Zotit po mendoja lidhur me faktin se shumë prej të rinjëve të grupit tonë nuk njihnin gjuhë të përbashkët me anetarët e familjeve që i ftuan, e megjithatë ata jetuan një moment bashkimi të fortë i cili u duk qartë në mallëngjimin e ndarjes. Shpesh ndodh që të flasim të njëjtën gjuhe, të ndjekim të njëjtat rite fetare, të kemi të njejtin gjak  por përsëri e ndjejmë njëri-tjetrin larg, sepse na mungon fara e bashkimit që arrihet vetëm nën emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Në çdo takim të tillë jepen edhe propozimet për vitin pasardhës për të gjithë pelegrinët të cilët më pas kanë për detyrë që ti përcjellin në vendin e tyre. Duke besuar në angazhimin tuaj ndaj dashurisë së Zotit dhe të tjerëve ju ftoj të jepni kontributin tuaj në konkretizimit të këtyre nismave për ta sjellë Zotin sa më afër botës:

Propozimi i parë: Të bashkohemi me bashkësinë lokale që lutet!

Kjo thirrje fton të gjithë besmimtarët që të jenë më aktivë dhe më pjesmarrës jo vetëm në meshat e të djelave por edhe në organizimin e aktiviteteve që rritin shpirtërisht komunitetin duke rritur kështu edhe dashurinë për njëri-tjetri, sepse “Prej mënyrës se si do të duani njëri-tjetrin do ta kuptojnë se jeni nxënësit e mi”(Gjn. 13,34-35). Gjithashtu përgjegjësit e baritores lokale duhet të jenë më të hapur ndaj propozimeve të besimtarëve, kryesisht të rinjve.

Propozimi i Dytë: Ta shtrijmë miqësinë përtej kufijve që na kufizojnë!

Kjo pjesë na fton të jemi më të vëmendshem ndaj situatave dhe njerëzve të cilët kanë nevojë për kontributin tonë, sepse “Ç’fardo që e bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt.25,40), thotë Jezusi.

Propozimi i tretë: Të bashkëndajmë dhe të lutemi rregullisht me të tjerët!

Jezusi edhe pse ishte Zot na dëshmoi nepërmjet shembullit të tij se kishte nevojë për lutjen dhe jo vetëm për lutjen në vetmi por edhe atë në bashkësi, le të kujtojmë momentin në malin e ullinjve ku i kërkon apostujve që të rrinë zgjuar e të luten me të!

Propozimi i katërt: Të bëjmë të dukshëm bashkimin mes të gjithë atyre që e duan Krishtin!

Të shkojmë drejt atij që është ndryshe nga ne, tek një famulli, grup lutjeje, bashkësi…. jo për të parë ndryshimet por të përbashkëtat, ti ftojmë në lutje dhe të lejojmë të ftohemi prej tyre, që të ndjehemi me të vërtetë gjymtyrë të të njëjtit trup(Korintasve 12,27).

 

 

Previous Bukuri gjithmonë e re
Next Mendim i papërfunduar

Sugjerime