Rreziku i humbjes së Traditës

Rreziku i humbjes së Traditës

Nga Nesti Gjeluci

“Bregu përfaqësonte Zotin, drejtimi për tek bregu ishte tradita, dhe rremat përfaqësonin lirinë që më ishte dhënë mua të vozisja drejt këtij bregu dhe të bija në krahët e Zotit.” Leon Tolstoi

Ndërsa retë mbytëse sa vinin e nxinin horizontin e Shqipërisë në vitet e regjimit komunist, e balta e llumi mbyste çdo fidan të ri që guxonte të dilte mbi dhé e të kërkonte dritën diellit, thellë nën tokë, aty ku ujërat rrjedhnin të pastra, vazhdonte të zinte rrënjë një traditë e shëndoshë e cila bëri të mundur mbijetesën e një identiteti të mirëfilltë shqiptar, pikërisht në atë kohë kur shpresa e këtij identiteti ishte pothuajse krejtësisht e humbur.

Ishte lufta mes të mirës dhe të keqes, dhe tradita fetare dhe kultura u bënë armët më të fuqishme në duart e një populli të vuajtur.  Rrënjët e traditës malësore, përqafuan rrënjët e traditës qytetare e fshatare, rrënjët e traditës Katolike dhe Ortodokse u lidhën nyje me traditën e familjeve Muslimane, dhe mbi këto rrënjë të thella e të shëndosha tradite, mbijetoi fidani që më në fund gjeti rrezet e shpresës të fshehura mes reve e hijeve ogurzeza.

Ato stuhi kanë kaluar tashmë, por errësira të tjera kërcënojnë të ardhmen e vendit.  Nëse një popull i kthen shpinën asaj tradite që e solli në bregun e shpresës, do ishte po aq tragjike për të, sa është për një individ i cili humb kujtesën nga sëmundja e amnezisë. Në të dyja rastet, si shoqëria ashtu edhe individi humbin identitetin e tyre.

Jemi në mes festash të cilat sjellin ndër mend mënyrën e thjeshtë dhe klandestine të kremtimit të tyre në vitet e komunizmit.  Shumë shqiptarëve duhet t’u kujtohet tragji-komedia e mënyrës se si i përkujtonim festat fetare si Krishtlindjet, Pashkët e Bajramin në ato vite të errëta.  Nuk dua ta ftoj lexuesin në një udhëtim nostalgjik të së kaluarës; dua të tregoj se si shoqëria shqiptare mbijetoi dhe bashkëjetoi me dashni nën presionin përçarës të regjimit duke u mbajtur fort tek rrënjët e traditës. 

Mbaj mend afrimin e festave fetare të Krishtlindjeve apo të Pashkëve në shtëpitë katolike në Shkodër, kur u mbyllnin kapaket e dritareve, e tregohej kujdes para se t’i hapej dera mysafirëve, për të parë nëse ato ishin të besueshëm.  Bëhej gati antena e posaçme për të kapur kanalin Italian që do transmetonte meshën e mesnatës direkt nga Vatikani.  Mesha dhe këngët e fëmijëve krijonin atë atmosferë që mbetet në mendjen e të riut dhe vetvetiu, fshehurazi, hedh rrënjët e asaj që më vonë kthehet nëtraditë.  Ndërkohë fillonte gatimi karakteristik, kuzhina e zhurmshme dhe me pak tym; sidoqoftë, aromat e gatimit i mbytnin peripecitë e vogla qe dilnin përpara. Për në fund, u linte pjekja e laknorit, apo krapit e ngjalës, sidomos në rastet e Krishtlindjeve. Krapi dhe ngjala nuk u gjendte kollaj.  Qeveria merrte masat e duhura dhe e hiqte nga tregu para ardhjes së festave.  Populli e dinte dhe merrte masat e veta: gjente peshkun para festave dhe e thante e ruante për natën e Krishtlindjeve. Furra e lagjes rrinte hapur deri natën vonë për të pritur familjet katolike Shkodrane që do shkonin, fshehurazi për të pjekur tavat tradicionale të Krishtlindjeve.  Furrtari, shpesh herë mysliman, priste klientat e natës; duke vënë kokën në rrezik ai vendoste një gurë themeli në traditën e popullit të vet.  Në këtë histori jo shumë të largët, me dashni e sakrificë krijohej dhe mbahej e gjallë tradita.  Ato familje që ngulnin këmbë në gatimin tradicional, mbanin gjallë besimin e tyre fetar dhe ia kalonin brezave të tjerë duke sakrifikuar dhe rrezikuar veten e tyre.  Ato familje muslimane që vinin për vizita fshehurazi në orët e vona për t’i uruar vëllezërve të tyre “Për Shumë Mot Krishtlindjet!” apo për të marrë dhuratë vezët e ngjyrosura të Pashkëve, rrezikonin veten dhe familjet e tyre me këto orvatje. 

Të jemi të qartë për një gjë: ai furrtari në Shkodër nuk e mbante furrën e hapur sepse toleronte vëllezrit e tij të Krishterë; ai e mbante hapur, sepse i donte aq shumë të afërmit e tij, sa që ishte gati të rrezikonte dhe sakrifikonte për ta.  Familjet myslimane nuk vinin për vizitë për Pashkë për të treguar tolerancë dhe zemërgjerësi ndaj vëllerzërve të tyre katolik; vizitat e tyre në shtëpitë tona ishin dëshmi sakrifice dhe dashnie për të afërmin.  Me këtë dashni dhe sakrificë u hodhën rrënjët e traditës gjatë viteve më skëterrë që përjetoi Shqipëria. Ishte e vetmja arsye që orvatjeve të organizmit shtetëror komunist për të përçarë popullin në vija fetare apo gjeografike, i hasi sharra në gozhdë. 

Më duket se ka ardhur koha të rizgjohet kujtesa e ngjarjeve të disa kohërave jo shumë të largëta.  Jo për t’i treguar brezave të rinj, apo komshive tanë Europian, se sa tolerant jemi ne Shqiptarët.  Brezi i ri që po rritet dhe Europa që na rrethon, nuk ka nevojë të mësojë tolerancë prej nesh, sepse ka me bollëk dhe me tepri.  Në fakt toleranca e tepruar e ka hedhur Europën në krizën e vet të identitetit. Brezat tanë dhe komshijtë duhet të dinë mirë se me çfarë sakrifice u mbajt gjallë tradita. Të harrojmë këtë traditë është të njollosim sakrificën dhe martirizimin e brezave që kanë kaluar errësirën e shekullit të kaluar.

Shqipëria ka shumë t’u mësojë brezave të rinj dhe Europës plakë. Mesazhi që dashnia dhe sakrifica për tjetrin përçon çdo errësirë sado të thellë, është mesazh që duhet të dëgjohet sot nga brezat që po rriten në Shqipëri, si dhe ato të rinjë që kthehen nga vende Europiane për të festuar me familjet e tyre në Shqipëri. 

Çfarë ndodh kur harron traditën? Përfundon me një brez që duke rifilluar gjithçka nga e para, pretendon që di gjithçka dhe sipas këtij pretendimi, po ia kundërshtove idetë e tyre, të quan fanatik, ndërsa quan veten tolerant.  Le t’ua ofrojmë brezave të rinj të kaluarën tonë si mësim për të ardhmen e tyre.  Shtytja për të renë,  apo progresin është kthyer në kult dhe tradita po përbuzet.  Nëse këto rrënjë tradite kalben, trungu i shoqërisë do të çahet dhe ajo që nuk mundi të arrijë regjimi komunist, do e bëjmë me dorën tonë në emër të lirisë së shthurur.

Previous Urimet ma të mira për Vitin e Ri 2014!
Next Korrupsioni dhe krimi i organizuar kundërshtojnë vëllazërimin

Sugjerime