Kush e kërkon dritën e Hyjit, duhet të dalë përjashta, në errësirën e natës së njerëzve.

Kush e kërkon dritën e Hyjit, duhet të dalë përjashta, në errësirën e natës së njerëzve.

Nga Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Arkdioqezës Metropolitane, Tiranë-Durrës

Predikimi i Meshës së mesnatës për Krishtlindje

Shumë të dashur vëllezër e motra, 

Leximi i parë i liturgjisë së kësaj nate flet për popullin që ecte në errësirë. Isaia ka në mendje sigurisht popullin e Izraelit, i cili e dinte se Hyji kishte gati një të ardhme për të, por, meqë populli nuk e njihte këtë të ardhme me qartësi e siguri, ecte drejt saj si në errësirë. Populli për të cilin flet Isaia është, në të vërtetë, mbarë njerëzimi. Njeriu ecën drejt së ardhmes si në errësirë. Edhe kur e shestojmë të ardhmen deri në hollësitë më të vogla, edhe kur kujdesemi me vëmendje e përkushtim, që gjithçka të shkojë sipas shestimit tonë, asgjë nuk është e sigurt para nesh. Ne vijmë nga e kaluara dhe njohim, deri diku, vetëm të kaluarën. Edhe ajo është e mbështjellë me errësirë, në shumë përmasa të saj.

 

Profeti është lajmëtari i dritës. Ai është mes popullit, mes errësirës, që mbështjell ekzistencën e njeriut të shenjuar nga e keqja, dhe shikon dritën. E shikon me popullin dhe për popullin, prandaj edhe flet e thotë: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe”. 

Drita, për të cilën flet profeti, vjen nga e ardhmja. Jo nga e ardhmje e shestuar prej nesh, por nga e ardhmja e përgatitur për ne nga vetë Hyji, qysh në amshim. Njeriu e ka kërkuar gjithmonë dritën brenda historisë. Është orvatur të mbledhë urtinë, e cila është pjekur gjatë përvojës së stërlashtë, nga brezi në brez. Ka hulumtuar natyrën dhe shpirtin e vet, si dhe ka zhvilluar shkencën. Ka arritur, nëpërmjet njohjes dhe mençurisë, nëpërmjet dijes së zbatuar, zhvillimin e sotëm të teknikës, që na mahnit, kur nuk na shqetëson. Njeriu është rrekur ta gjejë dritën brenda horizontit të kësaj bote, por ka gjetur vetëm fragmente të saj, të cilët nuk ndriçojnë çdo cep të ekzistencës së tij. 

Shpesh herë dritëzat e kësaj bote na mahnisin dhe na habisin, na zënë gjithë vëmendjen dhe nuk na lejojnë të ngremë kokën, për të parë dritën që vjen nga larg. Ndodh kështu me arritjet në fushën e shkencës, të filozofisë, të ekonomisë, të arteve e të gjithçkaje që shohim si arritje njerëzore, si shkëlqim i zhenisë së mendjes sonë. Jemi xhelozë për dritata tona njerëzore dhe i mbajmë fort, sepse i shohim të dobëta dhe kemi frikë nga errësira, kemi frikë se na fiken, po të habitemi duke kërkuar, apo duke pritur ndonjë dritë tjetër, që nuk vjen prej nesh. 

Epoka moderne, bijtë e së cilës jemi në këtë botë, është hapur si epoka e dritave. Është quajtur kështu, sepse filozofia dhe shkenca vendosën ta quanin errësirë fenë e besimin në Zotin, dhe të ndiznin dritat e dijes njerëzore. Është e vërtetë se e ashtuquajtura epoka e dritave ka shijuar frytet e dijes njerëzore, sidomos në fushën e mjekësisë, por është e vërtetë edhe se epoka që vendosi të shuante dritën e Hyjit mbi jetën e njerëzve dhe të shoqërisë, ka prodhuar kobet më të tmerrshme që ka shënuar historia. Nuk flasim vetëm për dy luftrat botërore, por edhe për llojin e rendeve shoqërore që lindën pas tyre. 

Drita njerëzore, të dashur vëllezër e motra, sado e fortë të jetë, nuk mund ta pushtojë tërë errësirën e ekzistencës njerëzore. Vetëm atij që e ka shikimin të shkurtër mund t’i mjaftojë drita njerëzore. Por, nëse e shohim në thellësi jetën tonë, nuk arrijmë të gjejmë përgjigjet për pyetjet e lashta sa vetë njerëzimi: Përse vuajmë shpirtërish? Përse urrejmë? Përse vdesim? E sa përse të tjerë, që nuk do të marrin kurrë një përgjigje as nga shkenca, as nga filozofitë.

Këto “përse?” janë errësira në të cilën ecën populli. Përgjigja nuk mund të vijë nga vetë njerëzit. Duhet të vijë nga Hyji. 

Dhe Hyji i është përgjigjur njeriut: “Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe” – thotë Isaia – , “një foshnje lindi për ne, na na u dha një bir”. Përgjigja përfundimtare e Hyjit për njeriun nuk është një teori shkencore, as një sistem filozofik, as një projekt politik ose ekonomik. Përgjigjja e Hyjit është Krishti. Ai që lindi nga një grua në Betlehemin e Judesë: “një foshnje lindi për ne, na u dha një bir”.

Kush kërkon një përgjigje për pyetjet e mëdha të ekzistencës, duhet t’i bëjë vend, në thellësinë e shpirtit të vet, foshnjes që Ati na ka dërguar nga qielli. Duhet ta pranojë Krishtin ferishte, të vogël. 

Krishti ka lindur për ne. Duhet të kujdesemi, që të rritet brenda nesh. Jeta e tij, që nga lindja gjer në misterin e kryqit dhe të ringjalljes, është rrëfimi i madh i dashurisë së Hyjit, që e mbush me dritë jetën tonë. Ai vjen dhe e përqafon vuajtjen tonë, për ta shndërruar në hare; ai vjen dhe hyn brenda urrejtjes sonë, për ta shndërruar në ëmbëlsinë e dashurisë dhe në forcën e faljes; ai vjen dhe hyn brenda vdekjes sonë, për të na thirrur nga vdekja në jetë, me pushtetin e ringjalljes. Ai vjen, në natën e botës, si drita e amshuar e Hyjit.

Në këtë natë, që është edhe e jona, enden pas grigjave të tyre barinjtë e Betlehemit. “Atyre iu shfaq një engjëll i Zotit dhe i mbështolli me dritë”. Drita, që i mbëshjell barinjtë, është drita e lajmit engjëllor: “Mos kini frikë! Ja, po ju kumtoj një gëzim të madh, që është për tërë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zot. Kjo është shenja për ju: do të gjeni një foshnje, të mbështjellë në shpërgënj e të vendosur në grazhd”.

Duke kremtuar Krishtlindjen, Kisha, trupi i Krishtit në botë, u shpall sonte të gjithë njerëzve të njëjtin lajm që u shpallën engjëjt barinjve: “Sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju një shpëtimtar!” Në këtë mënyrë, Kisha e mbështjell botën me dritën e lajmit të mirë dhe ndez në shpirtrat e njerëzve dëshirën për ta njohur bujtësin e vogël hyjnor. 

Kush është ky bujtës, që na mblodhi sonte në këtë kremtim të hareshëm? Nga vjen Ai e çfarë ka për të na thënë?

Ai është Fjala e mishëruar. Fjala që Hyji ka për secilin prej nesh. Fjala që e shpërndan errësirën, që e shëron dhimbjen, që e shuan urrejtjen, që hyn brenda zbrazëtisë së vdekjes dhe e mbush me jetë të amshuar. Fjala që kemi pritur gjithmonë dhe askush nuk ka mundur të na e japë, përveç Hyjit vetë. 

Ajo vjen si foshnje, sepse ne nuk jemi në gjendje ta pranojmë, që në fillim, si fjalë të gozhduar në kryq. Është Fjalë e duruar, Fjala e mishëruar. Vjen në botë dhe sjell menjëherë harenë që ngjall në shpirt një jetë e re. Rritet mes njerëzve, duke iu nënshtruar ligjit të kohës, me durimin që i nevojitet përkundrejt ngadalësisë sonë për ta kuptuar. E pastaj, dalë ngadalë, bën të kumbojnë brenda kohës sonë jehonat e mashimit. Thyhet për ne në copëza të vogla, që, duke u ushqyer me të pak nga pak, të mund ta pranojmë si të tërë. Fjala e mishëruar, na thotë fjalë që ndezin, brenda errësirës sonë, dritën e Hyjit.

Ja si i flet njeriut, Fjala që sonte u bë njeri: “Unë jam buka e zbritur nga qielli. Kush ha nga kjo bukë, nuk ka më uri”; “Mbretëria e Hyjit është afër”; “Feja jote të ka shpëtuar”; “Lazër, dil përjashta!”; “Të janë falur mëkatet”; “Fali, o atë, se nuk dinë çfarë bëjnë”; “Mos kini frikë, unë do të jem me ju deri në të sosur të botës”; “Ku dy apo tre janë të mbledhur në emrin tim, unë jam aty, mes tyre”; “Kush bën vulnetin e Hyjit, ai është vëllai im, nëna ime, motra ime”, ;“Unë jam Bariu i Mirë. … Unë jap jetën për delet e mia e askush nuk mund të m’i marrë nga dora”. E shumë fjalë të tjera, që i gjejmë në Ungjill, në lajmin e mirë të dashurisë së Hyjit në Krishtin. 

Ungjilli na tregon se njerëzit, kur e dëgjonin Krishtin duke folur, thoshin: “Ky flitka si dikush që ka autoritet”. Po, ai vjen në botë me plotësinë e autoritetit hyjnor, sepse ai është Hyj i vërtetë. 

Në një vend tjetër Ungjilli thotë se, kur u tha nxënësve se ishin të lirë të largoheshin prej tij, nëse u dukej shumë i vështirë, Pjetri iu përgjigj: “Ku të shkojmë, o Zot? Ti ke fjalët e jetës së pasosur!”. Po, foshnja që u lind sonte, ka fjalët e jetës ë pasosur. Madje më shumë, ajo vetë është Fjala e jetës së pasosur. Fjala e bërë njeri.

Ungjilli, që sapo kemi dëgjuar, na thotë se Krishti lindi përjashta, sepse nuk kishte vend për të në bujtinë. Nëse, nga njëra anë, ky fakt tregon mungesën e mikpritjes njerëzore ndaj Hyjit, që troket në derën tonë si nevojtar, nga ana tjetër na kujton se Hyji lind përjashta, me qëllim që të gjithë të mund ta ftojnë në jetën e tyre. 

Kush e kërkon dritën e Hyjit, duhet të dalë përjashta, në errësirën e natës së njerëzve. Për këtë arsye, nuk mund të lëmë në harresë sonte ata që gjenden në errësirë. Nuk mund të lëmë në harresë miliona njerëz që vuajnë urinë, në një kohë që miliona të tjerë e shpërdorojnë ushqimin; nuk mund të lëmë në harresë miliona njerëz, që janë të goditur nga luftrat, ndërsa miliona të tjerë përfitojnë nga armët e shitura për të mbjellë dhunë e për të derdhur gjak; nuk mund të lëmë në harresë të vuajturit e çdo lloji, të sëmurët, të burgosurit, të vetmuarit, ata që pësojnë padrejtësi. Krishti ka lindur brenda natës së tyre. Për ta takuar, duhet të hyjmë edhe ne në atë natë. Nuk mund ta gjejmë foshnjen hyjnore në siguritë e kësaj bote, të mbyllur brenda nevojave tona vetjake, atje ku e zëvëndësojmë dritën e tij me dritat e rreme të projekteve të jetës sonë pa Zotin. Duhet të dalim përjashta si për ta takuar Krishtin, ashtu edhe për të kumtuar ardhjen e tij, sepse vetëm përjashta ka veshë që duan të dëgjojnë e sy që duan të shikojnë.

Përjashta, në mesin e natës së kësaj bote, Kisha u kumton të gjithë njerëzve lajmin e hareshëm: “Mos kini frikë! Ja, po ju kumtoj një gëzim të madh, që është për tërë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti Zot. Kjo është shenja për ju: do të gjeni një foshnje, të mbështjellë në shpërgënj e të vendosur në grazhd”.

Zoti ju dhashtë të gjithëve hirin të rrini pranë foshnjes hyjnore sonte e gjatë gjithë jetës suaj, bashkë me Marinë e Jozefin, e të merrni prej tij dritën që mund çdo errësirë. Amen.

 

 

Previous Krishtlindja – Fjala jetëdhënëse
Next Krishti na e ka dhënë shkallën e dashurisë, nëpërmjet së cilës çdo i krishterë mund të arrijë në qiell

Sugjerime