Jo vetëm Kisha në fakt, po e gjithë shoqëria duhet të priret nga rivlerësimi i rolit të gruas dhe jo katapultimi i saj.

Jo vetëm Kisha në fakt, po e gjithë shoqëria duhet të priret nga rivlerësimi i rolit të gruas dhe jo katapultimi i saj.

Po sjellim në vëmendjen e lexuesve të Peregrinus.al intervsitën me një grua për të cilën besimi përbën thelbin e jetës së saj dhe të familjes së saj, Znj Rafaela Marteta. Sëbashku me bashkëshortin e saj Albert Nikollën, po japin një kontribut të madh në përçimin e mendimit katolik dhe të vizonit të krishterë të realitetit e shoqërisë, një nga qëllimet që i ka vëne vetes edhe website ynë. 

 

 

Së pari faleminderit që pranove ftesën për këtë intervistë.

 

Veç kënaqësi.

 

Na trego pak për veten dhe për vendlindjen tënde e sa ka ndikuar kjo e fundit në formimin tënd si njeri e si besmitare katolike.

Kam lindur në Shkodër, jo vetëm kam lindur në Shkodër, por jam shkodrane me të gjitha efektet. Megjithatë, fakti që kam lindur në Shkodër, nuk besoj të ketë lidhje të drejpërdrejtë me formimin tim, por fakti që kam lindur në një familje siç është e imja e origjinës, po që ka ndikuar. Prindër të përkushtuar në çdo aktivitet të së përditshmes, por mbi të gjitha të përkushtuar ndaj fëmijëve të tyre, unë kam një motër. Jemi edukuar nëpërmjet shembullit dhe jo nëpërmjet fjalëve. Fatmirësisht shembujt kanë qenë të mirë dhe të krishterë. Sa i përket Shkodrës, vonë, kur kam dalë nga familja dhe nga Shkodra kam kuptuar që ky qytet ka ne ajër diçka që nuk e kane qytetet e tjera dhe që nuk më jepnin dot qytetet e tjera, përjashto Padovën, ku jam diplomuar. Padova dhe Shkodra kanë shumë të përbashkëta,  shto këtu biçikletat.

 Sot je ndër gratë që po spikat në fushën e publicistikës. Sa të mikolon apo të vendos para përgjegjësisë ky fakt?

Më vjen mirë nëse mënyra ime e komunikimit mirëpritet, të falënderoj shumë për pohimin e mësipërm. Sa më miklon? Po, ndoshta disi po… është njerëzore të kërkojmë mirënjohje për punë që mendojmë se i kemi bërë mirë. Unë shkruaj kur kam dicka për të thënë, falënderoj Mapo-n për mikpritjen, gazetën dhe revistën. Sa i përket përgjegjësisë… ka lidhje sidomos me mesazhin që bartin shkrimet e mia: me pëlqen që mesazhet të jenë pozitive, ose më mirë njerëzit të ndihen të përfaqësuar nga mesazhi. Sigurisht kjo prirje drejt pozitivitetit nuk duhet ta prekë kurrë të vërtetën.

Duke i shkuar pak më tej pyetjes së parë. Je një grua që ka një besim, ai i krishterë katolik që për ty, sikurse ke thënë edhe në emisionin e fundit ku ishim bashkë, përbën thelbin e jetës. Cfarë do të thotë konkretisht ky thelb për ty?

Të qenit e krishterë përbën vërtetë thelbin e jetës time. Një thelb për të cilin jam edukuar që e vogël dhe fatmirësisht është mbruajtur mirë që në fillim. Po për fillimet, një fëmijë ka shumë pak kontribut, ndaj falëndëroj Zotin që më dhuroi në një familje si e imja. Pastaj vjen një moment kur ti duhet të vazhdosh në mënyrë autonome “punën e nisur” dhe zbulon që bazat janë të forta, ato të duhurat dhe të krishtera dhe pavarësisht ndonjë dyshimi të vogël, që është thelbi i kërkimit, e gjen veten aty ku je caktuar. Unë e kam konfirmuar me bindje të plotë e ndërgjegje përkatësinë time katolike pas të njëzetave, kur edhe kam filluar të vetëpyetem për disa cështje shumë të mëdha në jetën e një të riu. Isha pagëzuar dhe krezmuar nën komunizëm dhe në fshehtësi të plotë, bashkë me pjesën tjetër të familjes. Mbaj mend momentin, ishte magjik atëhere, ngaqë ishte diçka e fshehtë në të cilën po merrnin pjesë edhe prindërit e mi. Nuk kishte pasur kurrë të fshehta në familjen tonë. E dija se diçka po ndodhte, por më vonë në kohë e kam kuptuar rëndësinë e së gjithës. Ky është thelbi i jetës, kur ti konfirmon vazhdimësinë e një rrugëtimi të nisur qëkur, në po të njëjtët binarë.

 Je pranë dhe bashkë me një burrë, Alberti i cili ka një emër dhe një pozicion në jetën mediatike dhe kulturore shqiptare përgjithësisht i njohur si një mendimtar me frymëzim katolik. A duket ndonjëherë që elementi i frymëzimit katolik mund të kthehet në një pengesë në qasjen ndaj realitetit ndoshta në disa raste paragjykues, apo në ambicen e mundshme për të qenë pjesë e politkës?

Zoti ka dashur që unë të kem përkrah Albertin dhe të jem përherë në krah të tij. Në dhjetor bëhen 15 vite që njihemi dhe jemi bashkë. Dhe pas 15 viteve rigjej gjithmonë njeriun që kam njohur atëherë. Pavarësisht rrugëtimit, Alberti nuk ka humbur rrugës as edhe një vlerë nga ato që i quajmë të paprekshme. Të gjitha këto kanë të bëjnë edhe me të qenit katolik, them “edhe”, sepse përkatësia fetare, ndonëse nuk i bën a priori njerëzit më të mirë thotë shumëçka për filozofinë e tyre të jetës. Sa i përket angazhimeve të Albertit katolik në jetën kulturore, do të thoja se është qasja e një njeriu autentik, i cili në shfaqjet e tij qoftë publicistike, qoftë mediatike, nuk kërkon të paraqesë një vete të dytë. Ndonëse Alberti mund të përfshihet në personat publikë, ndryshe prej shumë të tjerëve, parësor ka mesazhin dhe jo imazhin. Nuk kërkon që të tjerët ta duan se thotë gjëra populiste, por i pëlqen kur të tjerët mirënjohin kurajon për të thënë disa gjëra. Dhe janë të shumtë ata që e simpatizojnë mënyrën e tij të drejtëpërdrejtë, por gjithmonë të njerëzishme. Nga ana tjetër kjo qasje, mendoj unë, nuk përputhet shumë me ambicien për të qenë pjesë e politikës në këtë vend, në vendin tonë. Por në rastin e Albertit, më shumë se për ambicie, bëhet fjalë për një dëshirë dhe njëkohësiht dyshimi të tijin të përhershëm për të qenë pjesë e vendimarrjes. Po ndoshta duhet pyetur Alberti… 

Rafaela jemi në një kohë kur duket që besimi në Zotin për ne të krishterët ka nevojë për një rithemelim, që për mendimin tim duhet të nisë nga familja. Si mendon që familja duhet ungjillizuar dhe në të njëtën kohë të jetë një faktor ungjillizues?

Ka gjithmonë nevojë për të riparë disa gjëra, sidomos kur bëhet fjalë për të mira të mëdha. Asgjë nuk jepet njëherë e përgjithmonë: po nuk na ndihmoi familja asgjë nuk do të mund të bëjmë kurrë. Edhe familja, nga ana e saj ka nevojë për dëshmi, për shembuj, për familje që ngjajnë mes tyre, jo vetëm në ditë të mira, por edhe të vështira. Familjet duhet të bëhen bashkë, të shohin mënyrën e tyre të jetës në raport me familjet e tjera. Të takohen, të flasin, të zbulojnë se nuk janë vetëm, në asnjë rast. Takimet periodike mes familjeve mund të ndihmojën në bashkëndarjen e përvojave, në dëbimin e izolimit. Kjo është diçka që Kisha mund ta bëjë më mirë së kushdo. Kjo është një mundësi për të krijuar një frymë të përbashkët. E rëndësishme që njerëzit të mos ndihen vetëm dhe të vetmit – ky do të ishte një LAJM I MIRË.

Një pyetje të fundit:  si mendon që Kisha katolike në Shqipëri, duhet t’u krijojë hapësirë grave në angazhimin e tyre në jetën e Kishës? A mendoni se është ende shumë patriakaliste dhe e mbyllur ndaj kontributit të grave?

Angazhim në jetën e Kishës. Është një pyetje e cila kërkon një përgjigje më të specializuar dhe unë kam frikë se nuk mund ta jap. Papa Francesku, një pyetjeje me të njëjtin thelb iu përgjigj: Kisha, gratë duhet t’i vlerësojë dhe jo ti klerikalizojë! Jam e të njëjtit mendim. Jo vetëm Kisha në fakt, po e gjithë shoqëria duhet të priret nga rivlerësimi i rolit të gruas dhe jo katapultimi i saj. 

 Faleminderit dhe per shumë vjet Gezuar! Një urim të veçantë lexuesve të blogut.

 

 

Previous Jeta jote e çmuar
Next Krishtlindja – Fjala jetëdhënëse

Sugjerime