Shenja e pranisë së Hyjit janë të dobëtit dhe nevojtarët e kësaj bote. Nëse duam të gjejmë Hyjin, nuk mund t’i harrojmë ata.

Shenja e pranisë së Hyjit janë të dobëtit dhe nevojtarët e kësaj bote. Nëse duam të gjejmë Hyjin, nuk mund t’i harrojmë ata.

Mesazhi i Imzot Rrok Mirditës për Krishtlindje 2013!

Natën e Krishtlindjeve përkujtojmë atë natë, në të cilën engjëjt, në afërsi të Betlehemit, u thanë barinjve: “Do të gjeni një foshnje të mbështjellë në shpërgënj e të vënë në grazhd” (Lk 2,12). Lindja e foshnjës së Betlehemit është zanafilla e historisë së re të njerëzimit, sepse në jetën, mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e tij, u realizuan premtimet e Isaisë profet: “Na lindi një foshnje, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, princ i paqes” (Is 9,5).

 

Krishti është këshilltari i mrekullueshëm i çdo njeriu, sepse ai është Hyji i bërë njeri. Ai e njeh njeriun që nga ngjizja e gjer në vdekje. Njeh secilin prej nesh, me dhimbjet dhe me shpresat tona, me mëkatet dhe me dëshirën tonë për të mirën. Këshilla e tij nuk është këshilla morale  e dikujt që të kujton çfarë duhet të bësh, e dikujt që të kujton ligjin, por është këshilla e dashurisë, e cila, në fillim sjell faljen dhe ëmbëlsinë e Hyjit, e pastaj jep forcën për të kryer vullnetin e tij, gjer në kryq. Hyji vjen në botë, për ta shoqëruar njeriun, si njeri, në aventurën e mrekullueshme të jetës.

Krishti është Hyji i fortë. Shëmbëllimi i foshnjës së mbështjellë në shpërgënj e të vënë në grazhd nuk është shëmbëllimi i forcës, por i vogëlsisë dhe i dobësisë. Pikërisht këtu gjendet përmbysja e konceptit të forcës, që realizon Krishti me lindjen dhe me vdekjen e tij. Forca e vërtetë dhe e shenjtë është forca e dashurisë, ajo që na bën të bëhemi të vegjël e të dobët, ajo që na shtyn të zëmë vendin e fundit dhe të zbulojmë bukurinë e shërbimit. Në këto Krishtlindje duhet ta kërkojmë Hyjin e fortë tek njerëzit që, sipas logjikës së botës, janë të dobët: tek të sëmurët, tek të miturit e pambrojtur, tek të burgosurit, tek të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne. “Ja shenja!”, thonë engjëjt. Shenja e pranisë së Hyjit janë të dobëtit dhe nevojtarët e kësaj bote. Nëse duam të gjejmë Hyjin, nuk mund t’i harrojmë ata.

Krishti është Atë i amshueshëm. Po, Hyji është lidhur me njeriun në mënyrë përfundimtare, ai është bërë njeri në Krishtin. Në fytyrën e foshnjës që lind sonte, shohim fytyrën e Atit të amshueshëm: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” – thotë Jezusi në Ungjillin sipas Gjonit. Hyji na e ka treguar fytyrën e tij në Krishtin dhe, falë misterit të mishërimit, na e tregon fytyrën e vet tek çdo njeri.

Dhe Krishti është princi i paqes. Ai hap brenda shpirtit të njeriut gurrën e paqes. Është paqja e besimit në dashurinë shpëtimtare të Hyjit. “Paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë!”, këndojnë engjëjt. Paqe të gjithë juve, të dashur vëllezër e motra shqiptare, kudo që jeni. Për shumë mot!

Previous Zoti i bërë njeri – ADN-ja jonë hyjnore
Next Papa Francesku: për Krishtlindje, t’i bëjmë vend Jezusit, në vend të shpenzimeve e të zhurmave

Sugjerime