“Po”-ja që ndryshoi botën

“Po”-ja që ndryshoi botën

Disa mendime mbi pasazhin Lk 1,26-38 të Shkrimit Shenjt

 

Për ne të krishterët, zemra e pasazhit të Ungjillit sipas Lukës 1,26-38, është një pikë kthese në historinë e botës. Siç është edhe për ata që s`e njohin Krishtin ose që refuzojnë të besojnë në origjinën e tij.

Siç e thotë historia sipas Lukës, Maria duhet të ketë qenë me të vërtetë e shqetësuar nga fjalët e vizitorit të saj të papritur. Kushërira e saj Elizabeta tani është shtatzënë gjashtë muaj. Ngjarja është duke u zhvilluar në Nazaret, jo pikërisht në qendër të tokës, por as të Palestinës.

Një dishepull i ardhshëm i Jezusit do të dëgjohet duke thënë me një cinizëm “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?” Në të vërtetë në sytë e më të sofistikuarve ishte diçka si një vend i prapambetur. Megjithatë, ky është vendi që Hyji e zgjedh për të hyrë në botën tonë – jo Roma, jo Athina, as Aleksandria e as ndonjë nga qendrat e tjera të mëdha të pushtetit, të kulturës dhe mësimeve në botën e kohës.

“Të falem, o Hirplote, Zoti me ty!” Është përshëndetja e engjëllit Gabriel, i njëjti ai që i kishte folur Zakarisë. Si reagoi Maria në një përshëndetje të tillë të jashtëzakonshme? Ungjilli thotë se ajo “u shqetësua”. E si mos të shqetësohej, edhe shumë madje. Si një vajzë e re në një qytet të panjohur çfarë kuptimi do të mund të kishin ato fjalë? `Hirplote` në të vërtetë do të thotë se ajo ishte duke u resit me favore, (të mira, hire) të veçanta të Hyjit. Është më shumë diçka që po i ndodh asaj sesa diçka që ajo tashmë e ka. Natyra e këtij hiri (favori) shprehet në atë që vijon – ajo do të bëhet nënë e një Biri të cilin ajo ka për ta thirrur Jezus (që do të thotë “Hyji shpëton”) dhe që do të jetë një mbret “mbretëria e të cilit s`do të ketë kurrë mbarim”.

Çfarë e pengon me të vërtetë Marinë është se, edhe pse është e fejuar tashmë me Jozefin, ajo nuk është ende e martuar me të. Me fjalë të tjera ajo nuk është duke fjetur me të si gruaja e tij. Si mund të bëhet atëherë nënë? Kjo do të ndodhë për shkak se ngjizja do të jetë vepër e Hyjit,  e “hijes së Shpirtit Shenjt”, në mënyrën që fëmija i lindur do të jetë, në një kuptim shumë të veçantë, Biri i Hyjit. Ai, natyrisht, do të jetë gjithashtu i biri i Marisë. Në këtë mënyrë kemi misterin e thellë të Mishërimit të shprehur në gjuhën e një historie. Jezusi do të jetë në të njëjtën kohë dikush që është plotësisht hyjnor dhe plotësisht njerëzor. Jezusi do të jetë urë unike midis Hyjit dhe krijimit të tij. Ai do të jetë njeri “si ne në gjithçka, përveç mëkatit”. Ai gjithashtu, me anë të gjithë jetës së vet, të gjitha fjalëve dhe veprave të veta, do të jetë “shkëlqimi i Atit”.

Duke bërë një hap të madh besimi, duke i zënë besë mesazhit të engjëllit, Maria thotë ‘Po’ . “Ja, unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë siç the ti.” Për ne të krishterët, momenti i ‘Po’-s është një pikë kthese në historinë e botës. Siç është edhe për ata që s`e njohin Krishtin ose që refuzojnë të besojnë në prejardhjen e tij. Është momenti i Mishërimit, kur Fjala u bë mish dhe filloi të jetojë mes nesh si njëri prej nesh. Bota kurrë nuk do të jetë e njëjta. Në njëfarë mënyre, ky është një moment më i rëndësishëm se Krishtlindja, por është e kuptueshme që ne priremi për të festuar më shumë praninë e dukshme të Hyjit në Jezusin në Betlehem.

Maria do të mësojë ende se çfarë përfshinte ‘ Po’-ja, por këtë e kishte bërë pa kushte dhe ajo kurrë nuk u tërhoq. Duke kaluar një jete ngashënjimesh dhe vështirësish, që ne mund t`i dimë me siguri vetëm një pjesë të tyre, deri në ato momente të tmerrshme kur ajo rrinte poshtë Kryqit dhe e pa të Birin e vetëm duke vdekur në agoni dhe me turp si kriminel publik, ajo kurrë nuk e tërhoqi ‘Po’-në.

Këtu ndodhet një mesazh i qartë për ne. Edhe ne jemi të thirrur në mënyrën e tonë të veçantë për të lindur Jezusin në jetën tonë dhe në mjedisin tonë. Edhe ne jemi të thirrur për të thënë `Po`, një `Po` pa kushte për të ndjekur Jezusin. Tani është koha për ne për të ripërtërirë këtë premtim me ndihmën dhe shembullin e Marisë.

 

(“livingspace.sacredspace.ie”; Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ)

Previous Çmimi “At Zef Pllumi” për tre shkrimtarë, një gazetar e prift katolik
Next Europa e “krishterë” dhe Shqipëria “myslimane”

Sugjerime