Kujdesi sesi dëgjon

Kujdesi sesi dëgjon

Disa mendime mbi pasazhin Mt 11, 16-19 të Shkrimit Shenjt

Pasazhi i sotëm i ungjillit bën fjalë për mënyrën sesi dëgjojmë atë që është duke na thënë Zoti. Kjo çështje vijon të trajtohet menjëherë pas pasazhit rreth Gjon Pagëzuesit, njeriut që përgatit rrugën për ardhjen e Mesisë. Pasazhi përfundon me fjalët, “Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë.”
Jezusi i qorton njerëzit për shkak se nuk e dëgjonin. Ai i krahason ata me fëmijë në treg të cilët ankohen për bashkëlojtarët e tyre: ” Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’.”

 

Kështu, kur Gjoni erdhi me rreptësi të madhe, as nuk hante, as nuk pinte, agjëronte dhe veshte rroba prej leshi të devesë, populli thoshte se ishte i pushtuar nga shpirti i keq. Në anën tjetër, kur Jezusi erdhi, ky “hante e pinte”, ata thoshin: “Ja, grykësi e pijaneci! Miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!”

Në qoftë se nuk duam të dëgjojmë atë që është duke na thënë Hyji nëpërmjet njerëzve dhe situatave në jetën tonë, mund të ndodhë që aq lehtë të racionalizojmë dhe të refuzojmë brishtësinë e bartësit dhe në proces të refuzojmë edhe Ungjillin, – që në fakt është mjaft i palogjikshëm. “Një prift më ka bërtitur në rrëfim kështu që unë nuk shkoj më në kishë.” Kjo do të ishte si të refuzoj demokracinë për shkak të korrupsionit të një zyrtari të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ne kemi nevojë për të dalluar shumë qartë mes vizionin qendror të Mbretërisë të cilën Jezusi na ka lënë dhe mënyrave në të cilat ai vizion është jetuar nëpër shekuj. Ishte Pali i cili pat thënë shumë kohë më parë se ne të krishterët e mbartim mesazhin e Ungjillit në enë argjile, që thyhet lehtë, që shpesh herë rrjedh. Është e rëndësishme për ne që të kuptojmë se Hyji mund dhe flet me ne nëpërmjet shumë mediume dhe ndërmjetësues të papritur. Është ndoshta e vërtetë të thuhet se disa nga shenjtërit më të mëdhenj kanë pasur dobësi serioze. Në fakt, shumë prej tyre u bënë shenjtër për shkak të dobësive të tyre dhe nëpërmjet dobësive të tyre (krh. 2 Kor 12, 7-10, ku Pali falënderon Hyjin që është duke vepruar nëpërmjet dobësive të tij).

Është e rëndësishme, meqë Jezusi na nxit, që me të vërtetë të përpiqemi ta dëgjojmë thelbin e asaj që Jezusi na ka lënë, vizionin e tij të Mbretërisë. Shumë pak prej nesh e dëgjojmë mesazhin pa ndonjë formë filtrimi për shkak të historisë sonë apo veçantive tona personale. Si predikues, shpesh them se kur predikoj për 20 persona, 20 mesazhe të ndryshme dëgjohen. Dhe nuk ka asgjë të keqe këtu me kusht që secili prej nesh vërtetë të përpiqet të dëgjojë atë që Hyji është duke thënë për mua dhe jo menjëherë ta largojmë prej vetes diçka që mua nuk më pëlqen të dëgjoj.

Pasazhi përmbledhet bukur në frazën e fundit: “Dija (urtësia) përligjet nga veprat e veta!” Jezusi është mishërim i Urtësisë së Hyjit. Jezusi nuk ka nevojë për justifikim për rezultatet e jetës së tij të shfaqura në të gjitha ato që ka thënë dhe bërë, sidomos me manifestimin përfundimtar të dashurisë së treguar në kryq. Dhe e njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për secilin prej nesh.

 

(livingspace.sacredspace.ie; Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ)

Previous Mesia dhe pritshmëritë tona
Next Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet (5)

Sugjerime