Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet (4)

Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet (4)

Nga Gerhard Ludwig Müller, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë

Vlerësime antropologjike dhe teologjike-sakramentore

Në një ambient të shekullarizuar, doktrina rreth pazgjidhshmerisë së martesës shpesh ndesh moskuptime. Aty ku kanë humbur motivet themelore të besimit të krishterë, thjeshtë një përkatësi konvencionale në Kishë nuk është më në gjendje të udhëheqë drejt zgjedhjeve të rëndësishme të jetës dhe nuk është në gjëndje të ofrojë ndonjë lloj mbështetjeje në krizat e jetës martesore – kjo vlen edhe për meshtarinë dhe jetën e kushtuar. Shumëkush pyet: si mundem unë të lidhem për të gjithë jetën me një grua/burrë të vetme / të vetëm? Kush mund të më thotë se si do të jetë pas dhjetë, njëzet, tridhjetë apo katërdhjetë vitesh jetë martesore? Pastaj, a është konkretisht e mundur një lidhje përfundimtare me një përson të vetëm?

Eksperiencat e shumta të jetës martesore që sot thyhen, e përforcojnë skepticizmin tek të rinjtë përballë vendimeve përfundimtare të jetës. Nga ana tjetër, sikurse vënë në dukje kërkimet ë fundit mes të rinjëve, ideali i besnikërisë mes një burri dhe një gruaje, i themeluar në rendin e krijimit, nuk ka humbur asgjë nga bukuria e vet. Pjesa më e madhe e tyre aspiron drejt një mardhënjeje të qëndrueshme e jetëgjatë dhe kjo është në përputhje me natyrën shpirtërore dhe morale të njeriut. Për më tepër duhet kujtuar vlera antropologjike e martesës së pazgjidhshme: ajo i largon bashkëshortët nga vetgjyqësia e nga tirania e ndjenjave dhe e gjendjeve shpirtërore; i ndihmon që të përballojnë veshtirësitë përsonale dhe të tejkalojnë përvojat e dhimbshme; mbron mbi të gjitha fëmijët, të cilët vuajnë vuajtjen më të madhe nga prishja e martesave. Dashuria është diçka më shumë se sa ndjenja dhe instinkti; në thelbin e saj është përkushtim. Në dashurinë bashkëshortore, dy përsona i thonë njëri – tjetrës me vetëdije e me vullnet: vetëm ty – ty përgjithmonë. Fjala e Zotit: «Atë që Zoti bashkoi…» korrispondon me premtimin e çiftit: «Unë po të marr ty si burrin tim (…), unë po të marr ty si gruan time (…). Do të dua e do të nderoj derisa të jem gjallë, derisa vdekja të mos na ndajë». Meshtari bekon besëlidhjen që bashkëshortët kanë nënshkruar mes tyre përpara Zotit. Kushdo që ka dyshime mbi faktin se lidhja martesore ka në vete cilësi ontologjike, mund të udhëzohet nga Fjala e Zotit: «(…) i krijoi mashkull e femër e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm» (Mt 19, 4-6). Për të krishterët vlen fakti që martesa e të pagzuarve, të trupëzuar në Trupin e Krishtit, ka një karakter sakramentorë dhe prandaj përfaqëson një realitet mbinatyrorë. Një ndër problemet më të mëdha baritore qëndron në faktin se sot, të shumtë e vlerësojnë martesën vetëm sipas kritereve të botës e kritereve pragmatike. Kush mendon sipas «shpirtit të botës» (1 Kor 2,12) nuk mundet të kuptojë sakramentaritetin e martesës. Mungesës gjithnjë e në rritje të kuptimit të shenjtërisë së martesës, Kisha nuk mund i përgjigjet më një përshtatje pragmatiste ndaj asaj që duket e pashmangshme, por vetëm me besimin në «Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç’dhurata na ka pajisur Hyji» (1 Kor 2,12). Martesa sakramentore është një dëshmi e fuqisë së hirit që shndërron njeriun dhe përgatit gjithë Kishën për qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, vetë Kishën, e gatshme «si një nuse e stolisur për dhëndrrin e vet» (Zb 21,2). Ungjilli i shenjtërisë së martesës duhet shpallur me besim profetik. Një profet i vakët e kërkon shpëtimin e vet në përshtatjen me shpirtin e kohërave, por jo shpëtimin e botës në Jezus Krishtin. Besnikëria ndaj premtimeve të martesës është një shenjë profetike e shpëtimit që Zoti i dhuron botës: «kush don të kuptojë, le të kuptojë» (Mt 19,12). Dashuria bashkëshortore, pastrohet, përforcohet dhe rritet nga hiri sakramentorë: «Kjo dashuri, e vulosur nga një angazhim i ndërsjelltë e mbi të gjitha e shuguruar nga një sakrament i Krishtit, mbetet pazgjidhshmërisht besnike në fat të mirë e të keq, në nivel trupi e shpirti; për rrjellojë përjashton çdo kurorëshkelje e çdo divorc» (Gaudium et Spes n. 49). Kështu, bashkëshortët, duke marrë pjesë në dashurinë përfundimtare dhe të patjetërsueshme të Hyjit falë sakramentit të martesës, munden të jenë dëshmitarë të dashurisë besnike të Hyjit, duke ushqyer pandërprerje dashurinë e tyre nëpërmjet një jete feje e dashurie.

Sigurisht, ka situata – çdo bari e din – në të cilat bashkëjetesa martesore bëhet praktikisht e pamundur për shkak të motiveve të rënda, si për shembull në rast dhune fisike apo psiqike. Në këto situata të dhimbshme, Kisha ka lejuar gjithmonë që bashkëshortët të mund të ndahen e të mos jetojnë më sëbashku. Megjithatë, duhet saktësuar se lidhja e një martese të kremtuar në mënyrë të vlefshme mbetet e qëndrueshme përpara Hyjit dhe bashkëshortët nuk janë të lirë të lidhin një martesë të re derisa partneri të jetë gjallë.  Barinjtë dhe bashkësitë e krishtera, duhet të angazhohen në promovimin me çdo mënyrë të pajtimit edhe në këto raste ose, kur kjo nuk është e mundur, të ndihmojnë përsonat e përfshirë për të përballuar në fe situatën e tyre të vështirë.

Previous Duke mësuar pritjen bashkë me Marinë
Next Leter Baritore e Imzot Rrok Mirdites

Sugjerime