Hylli i Dritës dhe lëngata e kulturës katolike

Hylli i Dritës dhe lëngata e kulturës katolike

Nga Gjergj Meta

Hylli i Dritës nuk është një organ shtypi, është një ngjarje! Si ngjarje ajo nuk përkujtohet, por kremtohet, çka do të thotë se vetëm një lloj “liturgjie” kult-urore është e denjë për atë revistë. Liturgjia kulturore, më lejoni ta kaloj këtë term, ndodh kur ajo çka kremton ndodh edhe në atë moment, në atë çast e ka vlerë edhe për të ardhmen.

Në Shqipëri sikurse kemi dy ditë festa çlirimi, tre festa të Lëvizjes së Dhjetorit, po ashtu kemi disa kremtime të “Hyllit të Dritës” e kjo, jo sepse ngjarja me emrin “Hylli i Dritës” nuk mund të mbyllet brenda një kremtimi të vetëm, por sepse ne zakonisht nuk biem dakort. Në fakt, sikurse thonte në mos gaboj Ardian Ndreca, Hylli i Dritës mbeti i vetmi organ shtypi që vazhdoi ekzistencën e tij në krahasim me simotrat e saj të viteve tridhjetë falë edhe Patër Zef Pllumit. Hylli i Dritës është vetëm një mjet që duhet të përcjellë diçka tjetër që po lëngon thellë në Shqipëri: kultura katolike.

Lëngimi i kësaj të fundit sjell edhe copëzimin e frymës që sjell fenomeni kulturor katolik i cili kërkon të kacavjerret në lavdinë e dikurshme, të shartohet aty, por po dështon në mënyrë të përsëritur, pasi trungu mbetet i mirë e dega që shartohet është në palcë e prishur. Unë besoj që vetëm të rinjtë mund të bëjnë diçka që këto momente “liturgjike” mos të vdesin me kremtuesit e tyre inatçorë e monopolistë, por të ripërtërihen e rigjallërohen.

Françeskanëve shqiptarë, edhe pse ende në shpërgenj sa i përket staturës së tyre kultrore, ju përket detyra e kryesimit të kësaj “ngjarje”. Ky është privilegj dhe përgjegjësi. Nuk e di nëse ata janë të gatshëm të mos fryhen vetëm nga privilegjet e të kërrusen nga pesha e përgjegjësisë, por ama ata e kanë për detyrë ta çojnë përpara atë frymë nëmos të hapin shteg.

Megjithatë kultura nuk është ekskluzive. Ajo kur bëhet e tillë nuk është më kulturë. Ndoshta këtë kanë pasur parasysh edhe autoritetet e Universitetit të Shkodrës dhe Insituti i Studimeve albanologjike me financimin e Konsullatës austriake që kanë organizuar një tjetër event pas atij të Franceskanëve në Gjuhadol në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Megjithëse më duket diçka shumë e çuditshme që ky Jubile nuk qe një ngjarje e gjithmbarshme, përsëri përgëzoj ata e këta për kremtimin e këtij Jubileu duke shtruar së fundmi ndonjë pyetje vetes e shumë të tjerëve.

Këto kremtime (më shumë përkujtime se kremtime) a përkojnë edhe me ri-ngjalljen e një vizioni kulturor për të ardhmen? Pasi kemi kremtuar një përvjetor a jemi rritur më shumë në mendimin e lirë që vjen nga shpirti i Hyjit (sikurse është shkruar në ballinë të Revistës)?  Njëqind vjetori i “Hyllit të Dritës” a thua do të mbetet si tavolina e restauruar e Mjedës në të cilën kemi vështirë të gjejmë një Mjedë ta ulim?

 

Previous Time magazine: Papa Françesku njeriu i vitit
Next Duke mësuar pritjen bashkë me Marinë

Sugjerime