Dashuria ndaj të humburve

Dashuria ndaj të humburve

Nga Shtjefën Dodes s.j.

Disa mendime mbi pasazhin Mt 18,12-14 të Shkrimit Shenjt

Në kapitullin 18 të ungjillit sipas Mateut ndodhen një nga pesë ligjërimet e gjata të Jezusit. Ato merren me çështje të ndryshme që ndërlidhen me marrëdhëniet në bashkësitë e krishtera, dhe sidomos kur këto marrëdhënie prishen.

Pak para shëmbëlltyrës mbi delen e humbur Jezusi flet për përbuzjet dhe skandalet e shkaktuara nga veprimet e të krishterëve. Është gjë mjaft e keqe të shkosh vetë kundër vullnetit të Zotit, por të bësh të bie një tjetër në mëkat është shumë më keq. Jezusi thotë se personi që shkandullon të vegjlit, është më mirë të mbytej vetë në det. Kur thuhet “të vegjlit”, kjo nuk do të thotë ekskluzivisht fëmijët – edhe pse ata qartë që nuk përjashtohen – por ata që janë të dobët dhe të papjekur në besimin e tyre të krishterë dhe kështu që lehtë mund të mashtrohen.

 

Pas kësaj Jezusi fillon të tregojë shëmbëlltyrën e bariut. Bariu që e ka humbur një dele të vetme, prej njëqind që ishin. Ai i lë të gjitha ato  “të mirat” dhe shkon në kërkim të asaj të humburës. Në shëmbëlltyrë nuk thuhet se pse ka humbur ajo dele. Ajo që ka rëndësi është se ajo ka humbur dhe është ndarë nga bariu i saj. Dhe, kur e gjen dhe e kthen, është më i lumtur për këtë dele të humbur sesa për nëntëdhjetë e nëntat që kurrë nuk janë larguar. Kjo mënyrë e të rrëfyerit të shëmbëlltyrës këtu ndoshta pak është ekzagjeruar, sepse, natyrisht, Bariu i vërtetë i do të gjitha delet e tij në mënyrë të barabartë. Por ajo çfarë ka dashur të thotë është arritur: që Hyji ynë na do pa kushte dhe jo vetëm që është i gatshëm të na kthejë në grigjë, por për këtë është edhe shumë i gëzuar.

Kjo shëmbëlltyrë mund të aplikohet edhe për ata “të vegjël” që kanë lejuar të ngashënjehen dhe të shkojnë rrugëve të gabuara, ose për ata që kanë bërë gjëra të tmerrshme duke i mashtruar të tjerët. Të dy palët do të jenë të mirëpritura të kthehen, dhe kësaj Bariu i gëzohet barazi.

Ndërsa po i afrohemi Krishtlindjes dhe lindjes së atij Bariut të dashur (sa e përshtatshme është që të parët që e përshëndetën ardhjen e tij ishin barinj!), na jepet një mundësi e mirë të reflektojmë se me çfarë sy i shikojmë ata që kanë shkuar rrugëve të këqija, që janë të humbur moralisht ose ata që mund të kenë qenë shkaku kyç që i ka shtyrë të tjerët të sillen në mënyrë të pamoralshme. A gjykojmë? Dhe sa të gatshëm jemi t`i pranojmë të kthehen keqbërësit, dhe këtë ta bëjmë jo vetëm mrrolshëm, por gëzueshëm që kthehen?

Fjalët e Jezusit na u gdhendshin thellë në zemrat tona në këtë kohë të Ardhjes: “Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjlit.”

Previous Papa Françesku përballë skandalit të urisë së një milliard njerëzve
Next Dashuria e Krishtit për ne. Dhe dashuria jonë për Të.

Sugjerime