Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet (2)

Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet (2)

Nga Gerhard Ludwig Müller, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë

 

Dëshmia e Traditës së Kishës

Etërit e Kishës dhe Koncilet përbëjnë në vazhdimësi një dëshmi të rëndësishme për zhvillimin e pozicionit kishtarë. Sipas Etërve, udhëzimet biblike janë detyruese. Ata refuzojnë ligjet civile mbi divorcin duke i vlerësuar si të papërputhshme me kërkesën e Jezusit. Kisha e Etërve, në bindje ndaj Ungjillit, e ka refuzuar divorcin dhe martesën e dytë; në lidhje me këtë çështje, dëshmia e Etërve është e qartë. Në epokën e Etërve, besimtarët e ndarë, të cilët kishin lidhur një martesë të dytë civile, nuk pranoheshin në sakramente as pas një periudhe pendimi. Disa prej teksteve të Etërve lënë të kuptohet që shkeljet jo gjithmonë refuzoheshin me përpikmëri dhe ndonjëherë janë kërkuar zgjidhje baritore për raste të rralla të veçanta.

 

Më vonë, në disa zona, mbi të gjitha për shkak të vartësisë së ndërsjelltë gjithnjë e në rritje mes Kishës dhe Shtetit, u përfundua në kompromise më të mëdha. Në Lindje, ky zhvillim ka vazhduar ecjen e tij dhe ka çuar, veçanërisht pas ndarjes nga katedra e Pjetrit, në një praktikë gjithmonë e më liberale. Sot, në Kishat Ortodokse, ekziston një shumëllojshmëri shkaqesh për divorcin, të cilat zakonisht janë të justifikuara duke iu referuar oikonomì-së, përdëllimi baritorë për rastet më vete të vështira, dhe hapin rrugën për martesën e dytë apo të tretë me karakter pendestarë. Kjo praktikë nuk është koherente me vullnetin e Zotit, i shprehur qartë nga fjalët e Jezusit mbi pazgjidhshmërinë e martesës dhe e gjithë kjo, përfaqëson me siguri një çështje ekumenike që nuk duhet nënvlerësuar.

Në perëndim, reforma gregoriane ka kundërshtuar tendenzat e liberalizimit dhe ka propozuar rishtazi konceptin fillestar të Shkrimeve e të Etërve. Kisha Katolike e ka mbrojtur pazgjidhshmërinë absolute të martesës edhe me çmimin e sakrificave e vuajtjeve të mëdha. Skizma e Kishës së Anglisë, e ndarë nga pasardhësi i Pjetrit, ka ndodhur jo për dallime doktrinore por sepse Papa, duke iu bindur fjalës së Jezusit, nuk mundej të përkrahte kërkesën e mbretit Henriku VIII në lidhje me zgjidhjen e martesës së tij.

Koncili i Trento-s e ka përforcuar doktrinën e pazgjidhshmërisë së martesës sakramentore dhe ka sqaruar që kjo përputhet me mësimin e Ungjillit (shih Denzinger-Hünermann, 1807). Nganjëherë thuhet se Kisha faktikisht ka toleruar praktikën orientale, por kjo nuk i përmbahet të vërtetës. Kanonistët kanë folur gjithmonë për një praktikë abuzive dhe gjinden dëshmi rreth disa grupeve të krishtera ortodokse të cilëve, pasi u bënë katolikë, iu kërkua të firmosnin një shpallje feje, ku shprehimisht bëhej fjalë për pamundësinë e kremtimit të një martese të dytë apo të tretë. 

Koncili Vatikani II ka paraqitur sërisht një doktrinë të martesës, të thellë nga pikëpamja teologjike e shpirtërore, në kushtetutën baritore “Gaudium et Spes” mbi Kishën në botën bashkohore, duke shfaqur me qartësi edhe parimin e pazgjidhshmërisë së saj.

Martesa është e menduar si një bashkim i tërësishëm trupor e shpirtëror jete e dashurie mes burrit e gruas, të cilët i dhurohen dhe pranojnë njëri-tjetrën në sajë të të qënurit përsona. Nëpërmjet aktit përsonal e të lirë të konsensusit reciprok, themelohet për të drejtë hyjnore një institucion i qëndrueshëm, i cili është në rendin e të mirës së bashkëshortëve dhe të bijëve, dhe nuk varet prej vetëdashjes së njeriut: «Ky bashkim intim, duke qënë një dhurim i ndërsjelltë i dy personave, e po ashtu edhe e mira e bijëve, e ka të domosdoshme besnikërinë e plotë të bashkëshortëve dhe kerkojnë me ngulm bashkimin e pazgjidhshëm» (n.48).

Falë sakramentit, Zoti u jep bashkëshortëve një hir të veçantë: «Në fakt, ashtu sikurse një kohë Hyji ka ndërmarrë nismën e një besëlidhjeje dashurie e besnikërie me popullin e tij, kështu tani Shpëtimtari i njerëzve e Dhëndrri i Kishës i takon bashkëshortët e krishterë nëpërmjet sakramentit të martesës. Për më tëpër, qëndron me ta që, sikur Ai vetë ka dashur Kishën dhe ka dhënë veten për të, po ashtu edhe bashkëshortët të mund të duan njëri-tjetër besnikërisht, përgjithmonë, me përkushtim të ndërsjelltë» (n.48).

Falë sakramentit, pazgjidhshmëria e martesës përmban një domethënje të re më të thellë: ajo bëhet shëmbëllim i dashurisë së Hyjit për popullin e tij dhe i besnikërisë së pakthyeshme të Krishtit ndaj Kishës së Tij. Martesa mund të kuptohet dhe jetohet si sakrament vetëm në gjirin e misterit të Krishtit.  Nëse martesa shekullarizohet apo nëse trajtohet thjeshtë si realitet natyror, pengohet hyrja në sakramentalitetin e saj. Martesa sakramentore i përket rendit të hirit dhe vendoset brenda bashkimit përfundimtar të dashurisë së Krishtit me Kishën e Tij.

Të krishterët janë të thirrur që ta jetojnë martesës e tyre në horizontin eskatologjik të ardhjes së Mretërisë së Zotit në Jezus Krishtin, Fjala e Hyjit e mishëruar.

Previous Mandela: Njeriu që ndryshoi fytyrën e Afrikës së Jugut
Next Pritja e shenjtë

Sugjerime