Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet

Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet

Nga Gerhard Ludwig Müller, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë

Do të nisim botimin e një reflektimi të Kardinal Gerhard Ludwig Müller, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi sakramentin e martesës. Temat e trajtuara nga kardinali janë të një rëndësie të madhe dhe u paraprijnë bazave mbi të cilat do të bëhen disktutimet në vazhdim sa i përket temës së Martesës dhe familjes. Müller e ndan rflektimin e tij në gjashtë pjesë e në secilën prej tyre ai trajton një aspekt të temës kryesore me titull Të divorcuarit e martuar rishtazi, pazgjidhshmëria e martesës dhe sakramentet. Në pjesën e parë që botojmë sot për Peregrinus.al, me titull Dëshmia e Shkrimit të Shenjtë, na flitet për themelet e Shkrimit të Shenjtë mbi natyrën sakramentore të martesës së krishterë e vijimësisht të pazgjidhshmërisë së saj.

Dëshmia e Shkrimit Shenjtë (1)

Hyrje

Studimi i problematikës së besimtarëve të cilët kanë lidhur një martesë civile pas një divorci, nuk është diçka e re, madje është marrë me seriozitet të madh nga Kisha me qëllimin për të ndihmuar persona e përfshirë, duke u nisur nga fakti se martesa është një sakrament që prek thellësisht realitetin personal, shoqëror e historik të njeriut. Falë numrit gjithnjë e në rritje të përsonave të përfshirë në këtë fenomen në Vendet me traditë të vjetër të krishterë, bëhet fjalë për një problem baritor të një rëndësie të veçantë. Sot besimtarët, me shumë seriozitet pyesin: a nuk mundet Kisha të lejojë, brenda kushteve të caktuara, marrjen e sakramenteve për besimtarët e divorcuar e të martuar për herë të dytë? Në lidhje me këtë çështje, Kisha i ka duart e lidhura përgjithmonë? A i kanë marrë teologët me të vërtetë në shqyrtim të gjitha implikimet dhe rrjellojat në lidhje me këtë çështje? Çështje të tilla duhet të trajtohen në përputhje me doktrinën katolike mbi martesën. Një baritore plotësisht e përgjegjshme nënkupton një teologji që i dorëzohet Zotit i cili zbulohet, «duke i dhënë nderimin e plotë me intelekt e me vullnetit dhe duke pranuar vullnetarisht Zbulimin që Ai bën» (Koncili i Vatikanit II, Kushtetuta dogmatike “Dei verbum”, n.5). Për ta bërë të kuptueshëm mësimin autentik të Kishës duhet të vazhdojmë duke u nisur nga Fjala e Zotit e cila është e përmbajtur në Shkrimin Shenjtë, e ilustruar në Traditën e Kishës dhe e interpretuar në mënyrë detyruese nga Magjisteri i Kishës.

Dëshmia e Shkrimit Shenjtë

Vendosja e menjëhershme e çështjes sonë në hapësirën e Besëlidhjes së Vjetër nuk paraqitet pa probleme, pasi martesa në atë kohë nuk trajtohej akoma si një sakrament. Megjithatë, Fjala e Zotit në Besëlidhjen e Vjetër është domethënëse në lidhje me martesën edhe për ne, nga momenti që Jezusi vendoset në këtë traditë dhe argumenton duke u nisur prej saj. Në Dhjetë Urdhërimet, gjendet urdhëri “Mos bëj kurorëshkelje” (Dalja 20,14), por tjetër kund divorci konsiderohet i mundshëm. Sipas Ligjit të Përtërirë (24, 1-4), Moisiu sanksionon me ligj që një burrë mund t’i japë gruas një pusullë dëbimi dhe mund ta largojë nga shtëpia e tij nëse kjo nuk gjen më hir para syve të tij. Si rrjedhojë e kësaj, burri dhe gruaja mund të martohen sërisht. Megjithatë, bashkë me lejimin e divorcit, në Besëlidhjen e Vjetër gjindet edhe një farë sikleti ndaj kësaj praktike. Sikur se ideali i monogamisë, po ashtu edhe ideali i pazgjidhshmërisë kuptohet në krahasimin që profetët themelojnë mes besëlidhjes së Jahve me Izraelin  dhe lidhjes martesore. Gjithë këtë, profeti Malaki e shpreh me qartësi: «Askush të mos e tradhtojë gruan e rinisë së vet (…) gruaja e lidhur me ty nga një pakt» (Malakia 2,14-15). Debatet me farizenjtë qenë ato që i dhanë Jezusit rastin për t’u marrë me këtë temë. Ai u distancua shprehimisht nga praktika e divorcit e Besëlidhjes së Vjetër, të cilën Moisiu e kishte lejuar për shkak të “ngurtësisë së zemrës” së njerëzve dhe iu drejtua vullnetit fillestarë të Zotit: « Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër.  Prandaj njeriu do ta lërë babain e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet,  e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’ (…) Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë!” (Mk 10,5-9; shih Mt 19,4-9; Lk 16,18).

Kisha Katolike, në mësimin dhe praktikën e saj, është bazuar papushim tek fjalët e Jezusit mbi pazgjidhshmërinë e martesës. Pakti që bashkon dy bashkëshortët në mënyrë intime e reciproke është i themeluar nga vetë Zoti. Pra, bëhet fjalë për një realitet që vjen nga Zoti dhe nuk mbetet më në duart e njerëzve. Sot, disa ekzegjetë (studjues të Biblës) pohojnë se këto thënje të Zotit kanë ndeshur një farë lëkundshmërie në aplikim që në kohët apostolike: e më saktë, në rastin e pornèia (fëlligështisë, shih Mt 5,32; 19,9) dhe në rastin e ndarjes mes një partneri të krishterë dhe një jo të krishteri (shih 1Kor 7,12-15). Klauzolat mbi fëlligështinë kanë qënë objekt kundërshtimesh në fushën e ekzegjezës që në fillim. Shumë janë të bindur që nuk bëhet fjalë për përjashtime në lidhje me pazgjidhshmërinë e martesës, por për lidhje martesore të pavlefshme. Gjithsesi, Kisha nuk mund të bazojë doktrinën dhe praktikën e saj mbi hipoteza ekzegjeze kundërshtuese. Ajo duhet t’i përmbahet mësimit të qartë të Krishtit.

Pali fikson që moslejimi i divorcit është një vullnet i shprehur i Krishtit: «Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet prej burrit ‑ por, po ndodhi që të ndahet, të mos martohet më ose të pajtohet me burrin ‑ e burri të mos e lërë gruan» (1 Kor 7,10-11). Në të njëjtën kohë, bazuar mbi autoritetin e vet, Pali lejon që një jo i krishterë të mund të ndahet nga partneri i vet i bërë i krishterë. Në këtë rast, i krishteri nuk është më nën skllavëri, domethënë nuk është më i detyruar të qëndrojë jo-i martuar (1 Kor 7,12-16). Nisur nga ky qëndrim, Kisha ka njohur që vetëm martesa midis një burri dhe një gruaje të pagëzuar (që të dy) është sakrament në kuptimin e plotë dhe vetëm për këta vlen pazgjidhshmëria e pakushtëzuar. Martesa e të papagëzuarve është në fakt në rendin e pazgjidhshmërisë, por sidoqoftë mund të zgjidhet në rrethana të caktuara – për shkak të një të mire më të madhe (privilegium Paulinum). Pra, nuk kemi të vëjmë me një përjashtim ndaj thënjes së Zotit: pazgjidhshmëria e martesës sakramentore, të martesës në gjirin e misterit të Krishtit, mbetet. 

Letra e Efesianëve ka një domethënie të madhe për themelin biblik të kuptimit sakramentorë të martesës, ku thuhet: «Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të » (Ef 5, 25). E pak më tej, Apostulli shkruan: «Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën » (Ef 5, 31-32).

Martesa e krishterë është një shenjë vepruese e besëlidhjes së Krishtit me Kishën. Martesa mes të pagëzuarve është një sakrament, sepse shënon dhe ndërmjetson hirin e këtij pakti.

 

 

Previous Kontribut me rëndësi për historinë kishtare të Arqipeshkvisë së Durrësit.
Next Mandela: Njeriu që ndryshoi fytyrën e Afrikës së Jugut

Sugjerime