Reforma e Kishes: vazhdojne konsultimet

Reforma e Kishes: vazhdojne konsultimet

Këshilli i tetë Kardinalëve merret me shqyrtmin e Kuries romake dhe të Kongregatës për Kultin

 

Papa Françesku ka marrë pjesë gjithë ditën sot në mbledhjen e dytë të Këshillit të tetë kardinalëve. Në rendin e ditës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Vatikanit Atë Federico Lombardi,  është “një shqyrtim i thelluar i Kuries romake, që ka nisur drejtëpërdrejtë me një reflektim mbi dikasteret”. Papa dhe Kardinalët, ka shtuar Lombardi, “kanë filluar punën duke u ballafaquar me njëri –tjetrin rreth Kongregatës për Kultin hyjnor dhe disiplinën e Sakramenteve”. “Është mirë të thuhet – ka shtuar për këtë gjë zëdhënësi –  se ajo çka ka nisur nuk është vetëm një punë kozmetike: ekziston vullneti për të shkuar thellë. Nuk mendohet për përmirësime anësore, por për një rishikim të fortë të Kushtetutës Apostolike mbi Kurien Romane, drejt një Kushtetute të re”.

 

Për sa i përket Kuries romake sipas përkufizimit të së drejtës kanonike ajo është një organizëm i Vatikanit i cili merret me çështje që kanë të bëjnë me tërë Kishën dhe në emër e me autoritetin e Papës përmbush funksionin e saj për të mirën dhe në shërbim të Kishës. Pjesët përbërëse të Kuries Romake janë Sekretaria e Shtetit, Këshilli për çështjet ekonomike të Kishës, Kongregatat e ndryshme, Gjykatat dhe organizma të tjerë. Në të drejtën kanonike për Kurien romake janë vetëm dy nene, pasi funksionimi i saj është i përcaktuar sipas një të drejte të veçantë të përpiluar e të miratuar nga vetë Papa. Aktualisht Kuria romake udhëhiqet sipas normave të vendosura nga Gjon Pali II me Kushtetutën Apostolike Pastor bonus të vitit 1988. Papa Françesku dëshiron me ndihmën e tetë kardinalëve që ka thirrur pak pas fillimit të Pontifikimit të tij, të ndryshojë këto norma duke bërë një Kushtetutë të re.

Por jo vetëm, sigruisht priten edhe reforma të tjera sidomos ato që kanë të bëjnë me marrëdhënien e Kishës së Romës me Kishat e tjera, por edhe në ccështje të tjera të karakterit baritor sikurse mund të nuhasim qoftë nga dokumenti i tij i fundit Evagelii gaudium dhe nga pyetësori mbi familjen.

Interesi i Papës është i madh për këto mbedhje të kardinalëve. Në fakt ai vetë u prin këtyre mbledhjeve. sikurse ka thënë sot edhe zëdhënësi i Vatikanit “ Në mbledhjet e këtyre ditëve që mbahen në shtëpinë Shën Marta, në një sallë të vogël afër Kishëzës, ku tetë kardinalët kremtojnë meshën çdo mëngjes me Françeskun,…Papa është i pranishëm prej fillimit të takimeve që mbahen çdo mëngjes nga ora 9 deri në orën 12.30 dhe pasdite nga ora 16.00 deri në 19.00. Të mërkurën papa do të mungojë vetëm për tre orë për shkak të Udiencës së Përgjithshme”. “Pjesmarrja e tij – thotë Atë Lombardi është e vazhdueshme dhe e fuqishme”.  

Previous Nga “Letrat” e shën Françesk Ksaverit, meshtar, drejtuar shën Ignjacit
Next Dhembshuria e Zotit për nevojat e njerëzve

Sugjerime