Advent – duke pritur shpresën e lume

Advent – duke pritur shpresën e lume

Nga Shtjefën Dodes S.J.

Ne njerëzit mallëngjehemi. Kemi dëshira të zjarrta. Si të krishterë, presim shpresën e lume, ardhjen e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Advent është një kohë e gëzueshme e përgatitjeve për festimin e lindjes së Jezusit. Mirëpo është shumë me rëndësi se me çfarë ndjenja e bëjmë një gjë të tillë. Ne e dimë nga përvoja se kemi pritje të ndryshme.

 Kujt i pëlqen të presë? Kryesisht pritjen e shohim si diçka negative, kur na duhet të presim diçka. Për shembull, pritja në radhë të gjata. Qëndron në rendin e gjatë në postë ose në dyqan. Fillon të kërcasësh me këmbë dhe vazhdimisht e shikon orën. Nuk të pëlqen të presësh kur të të vijë radha. Nga padurimi bëhesh nervoz, ndoshta edhe i inatosur fillon të zhvillosh një humor të keq që sa shkon e rritet. Pritja atëherë veçanërisht na duket e vështirë kur s`ia shohim fundin, kur gjërat mbeten të paqarta dhe të pasigurta. Në një rast tjetër, na pushtojnë mendimet se a do të rezultojë, po e zëmë, kontrollimi mjekësor mirë apo keq. Sa më shumë që presim, aq më shumë shqetësohemi. Ndonjëherë duke pritur lind në ne frika e zhgënjimit: paraprakisht i gëzohemi shumë një gjëje, por lajmërohet edhe mendimi “e çka nëse megjithatë dështon!”

Ndodh që pas një kohe fillon të mendosh: “Oh, unë nuk mund të vazhdoj të pres kaq gjatë!” Shpesh herë, njerëz të tjerë që ndodhen në radhë me ty mendojnë në të njëjtën mënyrë! Askush nuk mendon ose nuk flet për diçka tjetër. Padurimi dhe nervozizmi që e ndien madje mund të vërehen në fytyrën tënde. Një përvojë e tillë e pritjes në radhë mund të duket si të ishe i izoluar, pothuajse i vetmuar.

Mirëpo, në qoftë se ne ende mund të shpresojmë dhe kemi besim të plotë se dëshirat dhe ëndrrat tona mund të realizohen dhe se njerëzit e mbajnë fjalën, e zbatojnë atë që na kanë premtuar, atëherë pritja mund të bëhet një ndjenjë e mrekullueshme gazmendi! Atëherë pritja nuk na bën të biem në depresion, të paralizohemi dhe të bëhemi të pa shpresë. Në të kundërtën! Atëherë nga pritja e thjeshtë pasive bëhet një pritje aktive. Atëherë mundësia e asaj që ka për të ardhur na jep forcën dhe durimin dhe na lejon të gëzojmë çdo pjesë të vogël, që të arrijmë te qëllimi i synuar.

Kjo është ajo pritja tjetër, pritja e lume, që duhet zgjuar në Advent. Imagjinoje kohën kur ke pritur në radhë në një park argëtues, për shembull, për të blerë biletat për të parë ekipin tënd të preferuar të futbollit, apo për të dëgjuar grupin tënd të preferuar, muzikën tënde që të pëlqen. Në këto raste, pritja është shumë e ndryshme. Njerëzit janë të ngazëllyer, ndoshta edhe lëshohen në biseda lidhur me parapëlqimet që i kanë, ndonjë udhëtim që kanë ndërmend ta bëjnë, skuadrën sportive që e duan, ose bendin apo muzikën e tyre që dëgjojnë.

Ky shembulli i dytë është ai lloj pritjeje që jemi të thirrur ta zgjojmë e kultivojmë në kohën e Ardhjes: pritja e shpresës së lume.

Në meshën e shenjtë, pas Lutjes së Zotërisë, dëgjojmë, “…duke pritur shpresën e lume, ardhjen e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.” Kjo lutje na kujton se gjatë Adventit, presim me gëzim, në shpresë, dhe duke marrë pjesë paraprakisht në ngjarjen e mrekullueshme që duam ta përjetojmë – festën e Krishtlindjes, ardhjen e Krishtit në jetën tonë në një mënyrë të re, kthimin e Krishtit në lavdi në fundin e kohës. Si Kishë, në kohën e Ardhjes presim dhe shikojmë përpara për të festuar të vërtetën se Hyji na do aq shumë sa që Ai e dërgoi Birin e vet në botë për të na shpëtuar. Kjo pritje nuk ka fare të bëjë me monotoni, mërzitje, pritje të kotë. Pritja në kohën e Ardhjes është plot shpresë se Hyji e mban premtimin ndërsa përgatitemi për Krishtin për festën e Krishtlindjeve.

“Pritje e gëzueshme” është një fjalë tjetër për këtë shpresë. Pa këtë pritje të gëzueshme ne njerëzve na mungon motivimi, na mungojnë edhe idetë e mira se si ta sajojmë jetën tonë dhe botën tonë.

Pritja është burim i mirë i energjisë në rrugën për te caku, në shtegtimin tonë drejt amshimit!

Në këtë rast, nuk ka pritje të mërzitur, të padurueshme, shkatërruese, por “padurim krijues” që e përdor forcën, zjarrin, guximin, imagjinatën dhe këmbënguljen për të arritur qëllimet tona, që të mund t`i realizojmë dëshirat dhe ëndrrat tona.

Dhe pikërisht kjo është ajo që do të thotë fjala dhe koha “Advent”: pritje e gëzueshme me plot energji të “një bote të re të përshkuar plotësisht nga dashuria”. Kjo “botë e re e dashurisë” e ka ditëlindjen e saj në ditën e lindjes së Krishtit.

Previous Sfidat e një pyetësori mbi familjen: për Ipeshkëvinjtë dhe të gjithë katolikët shqiptarë
Next Kroacia u thotë jo martesave gay

Sugjerime