Mësimi i fikut

Mësimi i fikut

Nga Shtjefen Dodes S.J.

 

Disa mendime mbi pasazhin Lk 21, 29-33 të Shkrimit Shenjt

Jezusi vazhdon qortimet e tij rreth gatishmërisë për të ardhmen. Kryesore është që të shikojmë shenjat domethënëse, që duan të na çojnë përtej të dukshmes. Ashtu sikurse te fiku ose ndonjë pemë tjetër, bulëzimet e gjelbra në zhvillim e sipër tregojnë se vera po vjen. Kur gjërat që Jezusi i përmend se janë duke ndodhur, të tmerrshme siç duken të jenë disa prej tyre, ato në fakt janë shenja të verës. “Mbretëria e Hyjit është afër.” Në raste të tjera, Jezusi pat thënë se Mbretëria tashmë është e pranishme, por Mbretëria mund të shihet në mënyra të ndryshme. Mbretëria është e pranishme kudo ku vlerat e Ungjillit janë duke u jetuar, por ajo nuk do të realizohet plotësisht deri në fund kur të gjithë të jenë mbledhur në Të.

 “Nuk do të kalojë kjo brezni derisa të ndodhin të gjitha.” Kur Jezusi thotë se “kjo brezni e tanishme” nuk do të kalojë derisa të ndodhin të gjitha, kjo nuk do të thotë se ardhja e fundit e Jezusit do të ndodhë gjatë jetës së dëgjuesve të tij, siç e kishin imagjinuar disa, por me vuajtjen dhe vdekjen e tij, do të fillojë pajtimi i ri dhe i amshuar të cilin ai e inauguron me Mbretërinë. Për ironi, përmbushja e profecisë së Jezusit është përuruar me shkatërrimin e Jerusalemit dhe fundin e Tempullit. Ajo përuron një prani të re të Hyjit në botë, një prani “në shpirt dhe në të vërtetën”.

 Megjithatë, fjalët e Jezusit mund të thonë gjithashtu se populli hebre si racë (këtu referuar si “kjo brezni”) do të vazhdojë së ekzistuari deri në fund të kohës, në ardhjen finale të Jezusit. Së fundi, bota në të cilën jetojmë do të zhduket një ditë, por fjalët e Jezusit, fjalët e së vërtetës dhe të jetës do të qëndrojnë përgjithmonë të vlefshme, sepse ato përfaqësojnë një vizion të jetës dhe ato vlera të përjetshme që i kuptojmë se burojnë nga Hyji dhe për të cilat çdo qenie veç e veç njerëzore është e thirrur t`i përvetësojë.

 Ndërsa i afrohemi fundit të vitit liturgjik është koha që të marrim vendim nëse duam të bëhemi pjesë e mbretërisë që Jezusi po e përuron. Jo vetëm t`i takojmë asaj, por edhe të bëjmë që ajo Mbretëri të përhapet jetën tonë të përditshme, në fjalët dhe veprat tona. Pastaj, pa marrë parasysh se kur të vijë të na thërrasë, ne jemi gati.

 

 

 

 

Previous Ungjilli i ditës: Jezusi paralajmëron rrënimin e Tempullit dhe ardhjen e Birit të njeriut
Next Është radha jonë!

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore