Zemër nane

Zemër nane

Nje Tregim nga Andrea Skanjeti (1)

Në Katedrale, Mesha e Madhe me predk mbaroi. Roza uli njënin gju në nderim dhe doli pothuejse e mbramja ndër shoqe. Tue i ra kalldramit të Serreqit i shkoi mendja te vekshi që kishte lanë në zjarr nën kujdesin e Kushës, shërbëtores plakë. Rruga iu duk e largët deri në shtëpi. Dronte se mos po e gjente darkën në tym ose pa ujë, siç i kishte ndodhë edhe një herë tjetër. Kushën kanë nisë ta lanë sytë dhe veshët nga pleqnia. Kambët nuk jane te zonjat të ecin aq sa don, për të parën herë ndjeu se brandavekët i randojshin… Në krye të mahallës, disa fëmijë kapë me fjalë po ju kërcënojshin njeni tjetrit si gjela, të cilët formuen menjëherë dy kampe.

-Eja këtu në kjofsh i zoti! -A pse je ma i madh a? -Coftinë! Je bà si me pasë hangër gjanë e kishës! -Skapan! Zgallo!… Zgallo!… Zgallo!… Mos të shtijsha në dorë se nuk do të shpëtojsh gjallë! Nga të dy anët vringlluen gurët. Mosni more mosni –briti Roza. Një burrë duel nga një derë e afert dhe fëmijët u shpërndanë si një tufë harabelash. -Sa të këqij jemi bà! Për nje fjalë goje bahet gjaku, tha Roza dhe ngrejti spagën që të çelte derën e oborrit, por kur po i jepte të shtymën ta mbyllte, ndjeu se dikush në atë çast e hapi në kapak. Një njeri hyni me nxitim në oborr të shtëpise. Roza u shtang. Nga hovi i marrun, njeriu do të shkonte larg, por hasi në mur të shtepisë dhe u kthye mbrapsht. –Pashë hatrin e Zotit-foli me nxitim-pashë Krishtin, më msheh se xhandarët i kam mbrapa e po me kapin. Roza vuni rè se burri ishte i gjatë dhe rreth të 40-ave, veshë e mbath mirë në çakçirë e jelek të ngrimë, një lloj kapadaish që sot nuk shihen mà. Nga nxitimi ishte ndezë në fytyrë, kokordhokët e syve dojshin ti dalin jashtë dhe mezi merrte frymë. Hej ç’taksirat-fshani Roza-Po ç’ke bà more i ngratë? Mos e pyet! Mbylli derën, por nuk e zinte vendi, shikonte përreth si bishë e tërbueme, gati te hidhej nga muri dy metra i naltë. -Kam vra një njeri-tha- he mue më vraftë Zoti! Roza iu drejtue kullës së sanës. Hyn këtu, të plaçin sytë! Mbylli derën nga jashtë dhe çelsin e shtiu në gjì. As vetë nuk dijti si i ngjiti shkallët, veç kur u gjet në dhomë dhe u mundue të lirohet teshash. -Edhe gjaksin pata mangut në shtëpi. Si i bahet djelmve kur ta marrin vesh, mendoi me vete. Me një gulf të ndryem në zemër, e terun në fytyrë, shkoi në odë të zjarmit, befas u ndal të dëgjojë: poterë zanesh. O Zot! Po vijnë ta kapin? Eh se ç’më gjet! Duel në krye të shkallës, ku pau shumë burra në derë të oborrit e hapun në dy kapakë. Fluturim iu afrue një djalë komshijsh dhe ia vuni dorën në krah. Rrezik i madh! Gjergji juej…nuk pati fuqi të vijojë ma gjatë. Roza e ngrime në kambë, iu ba se zemra deri atëherë e ndrydhun n’atë gulf të pashpërthyem, iu là në gjak të ngrohtë. Pa nxjerrë fjalë nga goja i rrotulloi sytë sikur kërkonte të mësonte ma shumë. Dora e djaloshit në krah iu randue, por nuk qe e zonja ta largojë. -Qëndro Rozë, tregohu burrneshë! Katër burra hynë në oborr, të cilët mbartnin një vig me një trup të mbuluem në të. Iu ngjiten shkallëve, me ta ishte edhe Lorja, djali i madh i Rozës që nxitoi ta rrokë t’amën. Nanë, Gjergjin na e vranë, nanë! Loti s’priti lotin në parzëm të nanës. Roza zbuloi trupin e të birit, shenjat e vdekjes në lule të ballit përgjakshin fytyrën 20-vjeçare të Gjergjit. Kukuuuu!-briti. Ngriti dorën nga kulla e sanës, por kambët e lëshuen dhe u shemb mbi drrasa. Kur erdhi në vete, Gjergjin e gjet të veshun e të ndrequn midis odës, i rrethuem prej grash me ftyra të mshehuna ndër shamia të zeza që vajtojshin. Deshti t’i lëmojë fytyrën dhe duert e Gjergjit të vet, por kur i ndjeu ashtu të akullueme, erdhi në vete dhe iu kujtue gjithçka. Desh të therrasë, të bërtasë jo fjalë të ambla për loçkën e vet, për të mirin, Gjergjin e nanës që në pranverën e jetës po e mbulonte dheu i zi, por për gjaksin që ajo arriti ta mshehë në shtëpinë e vet dhe ta shpëtojë. Aty para kufomës, midis qirave dhe grave vajtonjëse, e shikon veten sikur ngrihet në kambë, merr alltinë e Loros, përshkon oborrin, nxjerr çelsin nga gjoksi, çelë derën e kullës. Gjaksin, kapadaiun, e gjen mbas do dengash ku dridhej nga frika, nuk e len të çelë gojë, por ia përplasë gjashtë plumba në zemër me një flakë. E shikon kur bie i këputun në një pellg gjaku ku ajo shtrin duert e mbledhuna kupë dhe e merr, ngjitet nalt e i del para të birit të pajetë dhe i thote: Ja, nanë lokja ty ta mori gjakun, ky asht gjaku i vrasësit tand. Pusho në paqë o bir! E rrokë, e shtërngon fort për zemër, por sheh se duert e përgjakuna, në përkdhelje e kanë përlye fytyrën dhe duert e të birit. Përgjaket edhe kryqi i drunjtë që duert e zbehta të Gjergjit e shtërngojnë për të mbramen shpresë. Atëherë, Roza, e mjegullueme edhe mà shumë, pështjellohet nga një të fikët, avull lotësh, rrahje zemre gulfa-gulfa… dhe bie mbi trup të Gjergjit të vet pa frymë. °°° Atë ditë të diele, gjithë mahalla duel ndë dyer të oborreve, burra, gra, femijë dhe pyetnin si kishte ndodhë vrasja e shëmtueme. Një komshi tregoi. Një farë Selman Aga paska qëllue ndenjë mbi një arkë para dyqanit të N.N. e po i merrte erë një limoni, pasi ishte në Ramazan njinueshem (agjerueshëm). Gjergji paska kalue andej pari me cingare në gojë dhe si ndeshet me një shok, ndalet dy hapa larg Selmanit, i cili pa e njoftë i paska bertitë Gjergjit me idhnim që ta hudhin cingaren. Gjergji sikur nuk e ka dëgjue. Selmani ka çue zanin dhe e ka fye dhe Gjergji i asht pergjigjë me fjalë të randa. Selmani ka nxjerrë alltinë, ka shtie në të dhe ka ikë. *** Gjithçka kishte krye. Nanë mjerën, kur erdhi koha ta marrin te vdekunin, mëzi e shkëputën nga trupi i tij. Gjergji në pushimin e mbramë u përcoll me nderime të mëdha. Nata po binte në shtëpinë në jazë si rrasa e randë bie mbi vorr. Roza me krye të varun në skaj të odës lëmonte lehtas teshat e mbetuna te birit. Ngushëllimet e shumta iu bajshin më kot, as dëgjonte dhe as shikonte njeri. Kusha, si përherë, qendronte në heshtje pranë saj. Njatje vonë, kur shtëpia ra në heshtje të plotë dhe në odën e të shuemit nuk ishte kush tjetër veç dy plakave, Roza sikur erdhi ne vete. – Shko në kullë dhe çelja derën –tha-le të ikë. Rueju mos të shohin djelmtë! Mbas pak minutash Kusha u kthye. A shkoi! Shkoi, askush nuk u kujtue-tha Kusha. Atëherë Roza çoi sytë drejt fugures së varun në mur dhe ashtu ndejti gjatë, lotët i shkonin rrkajë. Dikur, mbi teshat e të birit e zuni gjumi. *** Në krye të muejit ranë Pashkët. Farefis, miq e të njohun simbas zakonit erdhën për ngushëllime. Në odën e pritjes janë rreshtue nana Rozë me të vetët. Tryeza në mes të dhomës asht e mbulueme me mbulesë të zezë, asgja sipër. Vezët e kuqe nuk janë ngjye për këto Pashkë e kushedi edhe për sa vjet nuk do të ngjyhen. Oda e mbushun plot me miq asht e heshtun. Në mes të miqve që shkojnë e vijnë ia behë një i panjohun, i cili hyn pa zà. Ka një djalë nja dy vjeç para duersh. Të gjithë e vërejnë të habitun. Roza me kryet ulun e të mbuluem zi, nuk sheh gja. I panjohuni i del para dhe i drejtohet: Asht djali im. Në dorë tande: O merr gjakun e djalit si të përket, ose merrja flokët këtij fëmije. Ishte gjaksi, Selman Aga. Burrat u ngrejtën në kambë njëheri. Roza luejti kryet, e terun në fytyrë, nuk ngurroi aspak, muer djalin prej duerve të gjaksit dhe ia vuni në prehën të birit, Loros, tue thanë: Për hatër të Krishtit!

_______________________________________________

(1) Andrea Skanjeti Lindur e vdekur ne Shkoder (20.08.1906 – 29.11.1992) Dekoruar Artist i Popullit me 28 Nentor 1992 Regjisor i Operas se Pare Shqiptare “MRIKA” Kompozitor Prenke Jakova, Libreti Llazar Siliçi Veprimtaria e pergjitheshme artistike e A. Skanjetit ka nje shtrirje ne kohe gati gjysem shekullore dhe permblidhet: 1.KRIJIMTARIA TEATRALE a) 22 drama, komedi, melodrama, skeçe estrade e tj. b) 27 pjese teatrale te perkthyera e te adaptuara. c) 8 pjese per teater kukullash. 2. REGJISURE a) Rreth 75 pjese teatrale shqiptare dhe te huaja te vena ne skene, nga te cilat 20 me aktoret e Teatrit “Migjeni” te Shkodres. b) 20 platforma regjisoriale. c) 30 pjese teatrale me grupe diletante te klubeve dhe shoqerive te ndryshme, te Shtepise se Kultures Shkoder, qendrat e punes, Shtepine e Pionierit, shkollat etj. 3. KRIJIMTARIA NE PROZE a) rreth 45 tregime dhe novela, shumica te botuara ne revistat e kohes, kryesisht para dhe gjate luftes. ( Tregimi ” Nje dhurate e papritur” eshte perkthyer ne gjermanisht nga albanologu i shquar Maksimilian Lamberc) 4. Libri ” 100 vjet teater ne Shkoder, Kujtime, 1879-1979, botuar ne vitin 2002. 5. Libri ” 4000 vjet nga urtesia boterore” Anekdota, botuar ne vitin 2006. 6. Fjalori Italisht-Shqip ( i pabotuar) Filatelist ( Koleksionin e pullave shqiptare e ka pothuajse te plote )

Previous Unë bëhem "nënë" sa herë që një person...nëpërmjet varfërisë time takon Krishtin
Next Një shembull të rinjsh që punojnë për komunitetin

Sugjerime