Unë bëhem “nënë” sa herë që një person…nëpërmjet varfërisë time takon Krishtin

Unë bëhem “nënë” sa herë që një person…nëpërmjet varfërisë time takon Krishtin

Interviste me Moter Elda Nikollin e motrave te Dashurisë të Shën Xhovana Antidës

Na thuaj diçka për vendlindjen tënde. Për familjen…

Unë kam lindur në një familje të thjeshtë punëtore, dhe të vuajtur shumë nga rregjimi komunist. Jam  fëmija i pestë nga gjashtë. (kam 4 vëllëzër dhe një motër). Në fshatin, ku kam lindur unë, jeta s’ishte aspak e lehtë, ashtu si në shumë zona malore të Shqipërisë.  Më kujtohet, se jo çdo ditë, mund të shkoja në shkollë, sidomos në pranverë, kur arat duheshin punuar e mihur, sepse në fshat bëhesh shpejt krah punë për familjen, dhe ku të gjithë duhet të japin kontributin personal, edhe thjeshtë duke kullotur bagëtitë. Tani, që mendoj, me vijnë në mend vështirësitë e asaj kohe për mua, dhe të kësaj kohe për të tjerë, por kam patur një fëmijëri të lumtur. Kemi luajtur shumë, deri në darkë vonë, kemi vrapuar nëpër fusha, biles jemi edhe rrëzuar, por ngriheshim menjëherë dhe loja vazhdonte.

Si  për të gjithë ne, në rregjimin komunist, besimi ka qene i ndaluar. Cfarë apo kush ka ngjallur te ti ndjenjat e besimit?

Më kujtohet si një flesh, nuk më kujtohet a e bënte çdo natë apo jo, nëna  kaloi nga dhoma, ku flinim të gjithë fëmijët, dhe bëri një lutje të shkurtër, nuk më kujtohen fjalët, por më kujtohet që i drejtohej Krishtit, dhe ia besonim atë natë Atij. Më kujtohet që në mua lindi një ndjenjë për të Përtejmen, por gjithçka mbaroi aty. Ndoshta isha 5 a 6 vjeçe, ndoshta kur mbaroi komunizmi. Po, në atë periudhë, u lirua dhe gjyshi im që kishte qënë në burg për shumë vite. Ishte hera e parë që e takoja, në 1991, më kujtohet që ai lutej çdo darkë, para se të flinte, por besimi i tij ishte bërë pak personal, nuk na ftonte të luteshim me të, dhe tani që jam rritur mendoj se s’arrinte të ndante me ne besimin, sepse kishin kaluar tashmë gati 26 vjet burg, sikur s’kishte më gjë për të ndarë me asnjërin, jeta i kishte ndarë për shumë vite, dhe vuaj akoma sot, kur e mendoj gjyshin, që ndoshta nuk e kemi kuptuar dhe pritur si duhet, jo që kishim ndonjë problem, por kur e kujtoj pak si të vetmuar, mendoj se s’do te ketë qenë e lehtë për të. Unë kam shumë kujtime të bukura me të, të gjithëve na ka dashur shumë, dhe na e ka treguar gjithmonë, më kujtohet ende kur më thërriste “Elda e gjyshit, ku je?”, sidomos kur merrte pencionin, një dymijlekësh e kishte gjithmonë për mua , por s’e kam dashur për këtë, e kam dashur se ishte gjithmonë për mua. Për tu kthyer tek pyetja se kush e ka ngjallur besimin në mua, besoj se ka qënë e gjitha një klimë familjare, por veçanërisht gjyshja ime, të cilën s’e kam përmendur ende, por ajo më ka mësuar të lutem, më ka mësuar lutjet e para, na mbidhte të gjithëve, çdo darkë, sidomos gjatë muajve veror, dhe lusnim rruzaren, e unë isha e lumtur. Ky ka qënë kontakti i parë me një besim të praktikuar. Por, fatmirësisht, kur unë ende isha fëmijë Kishat u hapen, edhe në fshatin tonë, pavarësisht se banoja mjaft larg kishës shkoja çdo të dielë në meshë, dhe  çdo të premte për aktivitetet e fëmijëve.

Famullia, mesha, motrat? Cfarë domethënie kanë pasur në ecjen tende?

Oh, famullia për mua është familja, unë aty e kam ndjerë veten në shtëpi, besimi im është pjekur në famulli, aty kam zbuluar një familje që shkon përtej lidhjes së gjakut, biles, është më e fortë se lidhja e gjakut, sepse na bashkon Gjaku i Krishtit. Pavarësisht, se nuk isha një nga frekuentuesit më besnik të famullisë, dhe as frekuentuesja më e rregullt e aktiviteteve, që motrat organizonin, unë e ndjeja famullinë si shtëpinë ku kam lindur. Më kujtohet, kur isha e vogël, sa herë që shkoja në meshë, nuk kuptoja shumë, por një gjë e kutpoja, se ai rit i përjavshëm, ishte një mister i madh për mua, por që më jepte një gëzim që askund s’e gjeja. Vetëm për një gjë doja të isha djalë,  kur isha e vogël, të bëhesha prift, mbaj mend se e kam menduar për kohë të gjatë këtë, sepse për mua mesha ishte kulmi i besimit, maskimumi, s’mund të kishte dhuratë më të madhe se kjo, që i Gjithpushtetshmi besohej në duart e një mëkatari, dhe unë doja të isha ai mëkatar, deri vonë nuk kam menduar, se mund të bëhesha motër, por që do bëhesha prift e kam menduar që herët. Motrat kanë qënë ajo prania e vazhdueshme në fshatin tonë, çdo ditë ato ishin aty, dhe për mua ka qenë një shtytje e madhe prania e tyre, më ka nxitur shembulli i tyre, të pyes veten kush është Zoti për mua, çfarë roli ka në jetën time, pse këto gra kanë lënë familjet e tyre, kanë lënë edhe një mirëqënie me siguri më të madhe se ajo që kishim ne, dhe jetojnë këtu, përse? Me siguri kanë qenë një shembull që më ka nxitur, sidomos vitet e adoleshencës, të mendoja mirë për jetën time.

E pastaj thirrja per t’iu kushtuar krejtësisht Hyjit, në Insitutin e Motrave të Shën Xhovana Antidës…pse pikerisht aty?

Duhet të kemë qenë pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjet vjeçe, kur kam përjetuar një përvojë, që mendoj i ka dhënë një kthesë jetës sime. Gjatë verës së atij viti, vendosa të mos shkoja më në kishë, ose më mirë, vendosa të kuptoja se ç’domethënie kishte në jetën time praktika e besimit, nëse ishte i rëndësishëm Zoti për mua, apo dhe ç’rol kishte në jetën time. Atëherë, vendosa që për një periudhë kohe, të mos shkoja më në kishë, mendoj se gjatë atyre muajve  kam shkuar  shumë pak herë. Ishte një periudhë e qetë, në shtëpi isha vetëm me vëllain e vogël (dy vjet me i vogël se unë) dhe me prindërit, motra ishte martuar dhe vëllezrit e tjerë ishin nisur për mërgim. Për mua ishte një përiudhë shumë e qetë, me pridërit gjithçka shkonte mirë, përveç kumbullave që kishim shumë për të mbledhur, por gjithçka shkonte mirë, një jetë e qetë fshati, por unë gjatë atyre muajve pashë se ndihesah bosh, e kuptova që unë që kisha përjetuar domethënien e lutjes, kisha kuptuar rëndësinë e meshës për jetën time, kuptova që nuk mund të jetoja pa to, kuptova që ishin esenca e jetës sime. Që aty, ka nisur në mua një shqyrtim i jetës, një kërkim i vazhdueshëm. Thirrja për një jetë të kushtuar, mendoj thirrja për një jetë të krishterë, është një ecje, çdo ditë zbulohet nga pak, por gjatë këtyre ditëve disa janë më të veçanta. Kur unë isha në vitin e fundit të shkollës së mesme, më  kërkuan mundësinë të jepja katekizëm dhe pranova me shumë qejf. Më qe besuar klasa e parë, mendoj se kam patur gjithmonë një farë përkujdesi për më të varfërit, të mënjanuarit e shoqërisë, por aty a kam parë veten se i doja shumë, me dhimbte zemra, kur shikoja, që disa liheshin me një anë, sepse ishin më të varfër, apo jo aq të zgjuar sa disa të tjerë. Kjo ka qenë edhe shtytja më vonë për zgjedhjen e kësaj kongregate, sepse kam parë që në përshpirtërinë e saj ishte kjo gjë që unë jetoja, dashuria për më të menjanuarit, për me të vëgjlit, e kam gjendur veten. Kam patur edhe një përvojë tjëtër,  që për mua është më domethënsia, lutja. Nga mosha 17-18 vjeçare lutesha çdo mëngjes e çdo darkë, dhe për mua ka qenë përvoja më e fortë e besimit, kjo i ka dhënë kuptim çdo përvoje të mëpasme. Pas një kohe të gjatë që e kam menduar në vetën time, atëherë kam folur më dikë, që të më drejtonte, dhe ja ku jam.

Sot, në kohën që jetojmë, ku modelet e jetës duket se shkojnë kundër asaj çka ti ke zgjedhur, çfarë do të thotë të jesh murgeshë?

Mendoj, se bota ka nevojë për modele, për shembuj për të ndjekuar, jo vetëm për mësues, sidomos Kisha ka nevojë për persona që jetojnë krishtërimin në një mënyrë më rrënjësore, për t’i kujtuar pjesës tjetër, se jeta nuk është karrierë, nuk është vetëm para, apo çdo gjë tjetër, që bota mund të na ofrojë. Këtë s’e them se unë ndihem shembull për të tjerët, por jeta ime po. Relativizmi është një kancer keq, ose sëmundje e keqe, siç shpesh e quajmë ne, sepse s’kemi guxim ta thërrasim për emër. Të relativizosh gjithçka duket sikur e kemi ne situatën në dorë, por në realitet është “fati” që po na prin, dhe unë nuk jam më pagane, por kam njohur Njeriun që ka vdekur dhe është ringjallur për mua, dhe kjo s’është relative, kjo është absolute. Atëhere, unë ndihem e thirrur të përçoj këtë të vërtetë, jo me shume fjalë, por me jetën time. Kam filluar të frekuentoj universitetin per gjuhën angleze, dhe një ditë një vajzë më pyeti “Nëse ky profesori të ngel se s’ke paguar, ku do i marrësh lekët për të kaluar provimin?”, dhe unë i përgjigjem me plot bindje se s’do paguaja kurrë për të blerë një provim. Ajo mbeti e habitur pozitivisht. E marr këtë si shembull për të thënë se sa vlen dëshmia nuk vlen asgjë. Këtë normalisht që mund ta dëshmojnë të gjithë të krishterët, dhe të gjithë ata me ndërgjegje të pastër, por unë e dëshmoj haptaz besimin tim, edhe kur nuk flas. Shpesh herë ndihem dhe e tallur në ambientet që frekuentoj, jo nga veshja apo ku ta di unë, por e di që është thjeshtë padija, dhe nuk i jap rëndësi. Për mua të qenurit e kushtuar Zotit, ka shumë rëndësi prania, mënyra se si krijoj marrëdhënie, me të pasurin a me të varfërin, cilesia e jetës, veprat e mira duhet të jenë fryti i kushtimit tim, por jo esenca, sepse një laik i përkushtuar, apo një asistent social, një i pasur bujar, mund të bëjë më shumë se unë dhe më mirë, por e imja nuk është filantropi, është dashuria e Zotit që konkretizohet në jëtën time. E ndjej, që është një detyrë e ëmbël dëshmia, sepse vetëm ajo tregon të vërtetën.

Si e perjeton brenda jetës tënde, si murgeshë, istiktin e natyrshem që ka çdo femër për të qenë nënë dhe bashkëshorte?

Mendoj, se familja është një dhuratë e madhe, dhe unë nuk kam hequr dorë, jo se nuk e mendoj të tillë, por kam hequr dorë,  sepse kam takuar një dashuri që tejkalon çdo dashuri të mundshme të një bashkëshorti apo një familjeje. Kjo nuk do të thotë, se një herë që vendos nuk e ndjenë më nevojën, por do të thotë se kam një qëllim, kam Dikë që e ka mbushur jetën time në një mënyrë që askush s’mund ta bënte. Tani e kam rradhën unë t’i jem besnike kësaj dashurie. “Instiktin e natyrshëm”, ky aspekt është pjesë e natyrës njerëzore, dhe nuk është e lehtë të hiqet dorë prej tij, mendoj se të heqësh dorë prej ketij instikti nuk është fryt i një sforcimi për një ideal, por është dhuratë e një dashurie vertet të madhe që unë e kam përjetuar. Të takosh dashurinë e Hyjit na atë mënyrë sa të bën të heqësh dorë nga: instikti seksual, nga dëshira për të zotëruar ,  kjo mund të bëhet vetëm për dashuri, dhe dashuria nuk është shterp, përndryshe nuk do të ishte dashuri. Atëherë si e jetoj unë këtë “instikt”? e jetoj sinjë instikt, që nuk e ndjek, por e drejtoj sipas gjendjes së jetës sime, që nuk jam e thirrur të kënaq këtë instikt, por i hap zemrën Zotit të më mbushë me dashurinë e Tij, dhe e vetmja gjë që i kërkoj është hiri që unë t’i jem besnike kësaj dashurie.

E di çfarë mendoj me të vërtetë? Se unë që e kam takuar dashurinë e Zotit nuk mund të gjej kurrë më lumturi tjetër, sepse çdo marrëdhënie është tëpër e varfër në krahasim, kështu që jam e lumtur që Zoti më ka thirrur të bëj një zgjidhje të tillë dhe shpresoj të mos e humbas kurrë, sepse të jesh i krishterë është një ecje që zgjat deri në takimin përfundimtar me Të, prandaj duhet të rrimë zgjuar vërtet.

Thirrja për të qënë nënë është edhe e imja, por fakti që nuk do bëhem nënë fizikisht,  nuk do të thotë që s’mund të realizoj këtë thirrje. Kjo nuk është e lehtë, as për tu shpjeguar dhe as për tu jetuar. E di që s’jam e thirrur për t’i dhënë jetën një fëmije, por di edhe që jam e thirrur të jem nënë për të gjithë ata që takoj, qofshin të vegjël a të mëdhenj, të vafrër apo të pasur, sepse unë bëhem “nënë” sa herë që një person beson sepse unë kam besuar, kur dikush e do Zotin sepse unë e dua, kur nëpërmjet varfërisë sime dikush takon Krishtin.

Sot, një motër, si mund të jetë në sherbim të shoqërisë, e sidomos të familjes?

Familja është pika e dobët e imja, do të thotë se besoj fortsisht, se aty nis gjithçka, përvojat e para të një jete nisin aty dhe do t’i mbartë gjithë jetën, prandaj sa herë që kam rast mundohem të nxisë prindërit të krijojnë një ambient të ngrohtë, ku komunikimi nuk mungon, dhe ku është e mundur të gjenden momente për tu lutur sëbashku. Unë mund të jem në shërbim të shoqërisë duke dhënë kontributin tim, në shkollë (mësimdhënie) ku shërbimi nuk kryhet në mënyrë autoritare, ku nuk është i rëndësishëm roli mbi të gjitha, por vetëm per edukim. Kam hasur këto kohet e fundit me disa shembuj të autoritarizmit që të fut frikën, dhe këtu në Shqipëri është mjaf i zakontë, prandaj, jo vetëm unë si motër, por i gjithë brezi ynë, duhet të japim një kthesë mënyrës së edukimit, që është ajo që krijon një ambient besimi ku fëmija, studenti, i pashkolli apo i dituri, të mund të japin maksimumin e tyre. E thashë me lart, se është i rëndësishëm shembulli, por jam e bindur edhe se duhet edhe njëfarë përgatitje për t’u përballuar me dinamika dhe problematika që shoqërisë së sotme.

Të varfërit janë një sfidë e përditshme në jetën tonë. Cfarë lloj varfërish jeton sot njeriu shqiptar, që kërkojnë një përgjegje prej nesh?

 Të varfërit që kanë nevojë për kushtet minimale për jetesë janë ende shumë, dhe sidomos në dyert tona nuk mungojnë asnjëherë. Por, varfëria më e madhe, mendoj ,se është mungesa e një etike, (nuk dua të përgjithësoj) të gjesh një punë duhet paguar, të kërkosh të drejtën tënde duhet paguar, të hapësh ndonjë liçensë duhet të pagaush nën dorë, përveç kostos së shërbimit, të shkosh në spital duhet paguar. Dhe këtu nuk dua t’ia lë fajin sistemit apo politikanit të rradhës, por mendësisë së sëmurë, mendësisë se paraja është më e rëndësishmja. Ne nuk kemi shumë faj, se kemi jetuar pa bukë, dhe tani duam të krijojmë çdo siguri të mundshme, por kemi shumë pëegjegjësi, se si po i fitojmë këto para, nuk mund të mbizotërojë ligji i xhunglës, dhe nuk mund të jetë i mirë fitimi duke shfrytëzuar dobësinë e një tjetri. Unë jam rritur në një familje, ku drejtësia ka qënë vlera mbi vlerat dhe nuk mund të justifikoj një padrejtësi. Prandaj, mendoj se sfida jonë është një luftë kundër pradrejtësive, një luftë që kërkon guxim për të qënë nga ana e më të dobtëve, e atyre që vuajnë padrejtësi, dhe njëkohësisht të jetojmë koherencën që drejtësia kërkon.  Ndoshta,  ne nuk do zgjedhim problemet e varfërisë në Shqipëri, por nuk duhet të humbasin rastin të jemi me të varfërit. 

 

Previous Pranimi i të tjerëve dhe kthimi: vijat udhëheqëse të dokumentit të ri të Papës Françesku
Next Zemër nane

Sugjerime