Pranimi i të tjerëve dhe kthimi: vijat udhëheqëse të dokumentit të ri të Papës Françesku

Pranimi i të tjerëve dhe kthimi: vijat udhëheqëse të dokumentit të ri të Papës Françesku

“Evangelii gaudium”. D.m.th. “gëzimi i Ungjillit mbush zemrën dhe tërë jetën e atyre që takojnë Jezusin”. Gjendet qysh në rreshtat e parë kuptimi i Porosisë apostolike të papës Françesku që është publikuar në këto ditë. Një dokument me një frymëmarrje të gjërë, në një farë mënyre “programatik” në të cilin Bergoglio nënvizon dhe thellon vijat udhëheqëse të këtij fillim pontifikati. Ja atëherë “shndërrimi misionar i Kishës” që për një besimtar do të thotë “dalje nga rehatia e tij dhe guxim për të shkuar drejt rrethinave që kanë nevojë për dritën e Ungjillit”.

 E akoma grishja për t’iu gjendur sa më afër formave bashkohore të varfërisë dhe brishtësisë, nga ata që janë pa një kulm mbi krye deri tek të varurit nga lëndët narkotike, nga refugjatët te popujt indigjen, deri tek të moshuarit gjithnjë e më të vetmuar dhe të braktisur e te migrantët. Një prani kjo e fundit që për Françeskun “bari i një kishe pa kufij” paraqet “një sfidë të veçantë”. Prandaj shkruan Papa “i porosis vendet e ndryshme që të hapen me bujari, në vend që t’i tremben shkatërrimit të identiteteve lokale të jenë të aftë të krijojnë një sintezë të re kulturore”. Por grishja për të mos u mbyllur në vetevete, por me dalë jashtë ka të bëjë më së pari me bashkësinë e krishterë në tërësinë e saj e përmbledhur në shëmbëllimin e Kishës “me dyer të hapura”. Të gjithë munden në një farë mënyre të jenë pjesë e jetës së bashkësisë. E kjo vlen edhe për sakramentet duke ia nisur nga pagëzimi. Dhe Eukaristia “edhe pse përbën plotësinë e jetës sakramentore nuk është një çmim për të përsosurit, por një ilaç dhe ushqim për të dobëtit”

Një nënvizim, një reflektim në shenjën e pranimit, që përshkon tërë dokumentin ashtu sikurse edhe grishja “për të rekuperuar freskinë e Ungjillit” nëpërmjet “një kthimi baritor dhe misionar që nuk mund t’i lërë gjërat ashtu siç janë”. Ja atëherë që mendimi prek edhe vetë papatin dhe një “kthim” të mundshëm të tijin që të “jetë më besnik ndaj domethënies që Jezusi ka dashur t’i japë atij dhe nevojës aktuale të ungjillizimit”. Dhe në të njëjtën mënyrë, grishja për ta bërë më konkret kolegjialitetin që mbetet një nga dëshirat kurrë plotësisht e përmbushur e Konçilit. Një shndërrim që kalon nëpërmjet asaj që papa e quan “një decentralizim i shëndetshëm” dhe një përfshirje më e madhe e Konferencave Ipeshkvore që duhet të konceptohen “ si subjekte me kompetenca konkrete duke përfshirë edhe ndonjë autoritet autentik doktrinor”

Por nevoja e kthimit ka të bëjë me të gjitha fushat dhe sektorët, nga rreziku i klerikalizmit te lufta kundër mondanitetit shpirtëror, nga promovimi i rolit të femrës te detyra që të synohet, në predikim, shkurtësia, duke iu shmangur “një predikimi tërësisht moralist dhe indoktrinues” për t’i lënë hapësirë shëmbëllimeve, shprehive, të afta për të ofruar gjithmonë shpresë. Më mirë, thekson Françesku “një Kishë e aksidentuar, me plagë, e zhyer, sepse ka dalë rrugëve, se sa një Kishë e sëmurë për mbylljen dhe rehatinë e kapjes pas sigurive të veta”.

Thënë ndryshe Jezusi thërret bashkësinë në tërësinë e saj dhe çdo besimtar që të takojë tjetrin dhe t’i ofrojë Fjalën e tij, në gëzim. Një veprimtari ungjillizuese që ka si model Virgjërën Mari. “Pasi çdo herë që shikojmë Marinë fillojmë të besojmë te forca revolucionare e butësisë dhe e dashurisë”.

(Riccardo Maccioni www.avvenire.it)

Previous Reflektim në bazë të ungjillit (Lk 21, 1-4)
Next Unë bëhem "nënë" sa herë që një person...nëpërmjet varfërisë time takon Krishtin

Sugjerime