Paralajmërimet apokaliptike si lajm i gëzueshëm?!

Paralajmërimet apokaliptike si lajm i gëzueshëm?!

Ngjarjet për të cilat flasin tekstet liturgjike të kësaj të diele kanë diçka të ngjashme me sulmet terroriste të 11 shtatorit në ShBA. Ato bëjnë pjesë në të ashtuquajturën literaturë apokaliptike. Në kohët e hershme të krishterimit ky zhanër ishte i përhapur dhe kishte gjetur simpatizuesit e vet. Meqenëse kjo përzierje vizionesh, profetizimesh, imazhesh të zeza të paramenduara dhe ndodhish reale ishte përhapur mjaft edhe ndër të interesuarit për fe dhe shumë njerëz i shqetësonte, ky lloj literature hyri edhe në shkrimet e shenjta. Ajo i ka sfiduar të krishterët e shekullit të parë për të gjetur përgjigje nga besimi ndërlidhur me këto pyetje. Çfarë kanë ngjarjet e tmerrshme dhe përvojat reale me Lajmin e gëzueshëm? Edhe ne dëgjojmë nga të tjerët ose vetë kemi menduar si apostujt për mbarimin e botës. Jezusi përgjigjet por nuk përmend as vit as muaj të caktuar. Me këtë dëshiron të na thotë se ekziston diçka më e rëndësishme se të dihet data e Ardhjes së tij. Edhe po ta dinim kohën dhe çastin s`do të kishte dobi, sepse për ta përjetuar ardhjen e tij duhet të përgatitemi. Këtu s`kemi të bëjmë me një dituri të një fakti, të një orari të nisjes së udhëtimit të tij. Në vend të kësaj Jezusi flet për kohën e ngashënjimeve, ofrimeve të shpëtimit nga profetë të rrejshëm, për përndjekje, tërmete, luftëra, ngushtica të mëdha. Por shton: Shikoni këto, por mos t`ju lëshojë zemra. Pra, këto gjëra duhet njëherë t`i perceptojmë, t`i shohim dhe t`i interpretojmë në dritën e tij. Njohës i madh i natyrës njerëzore, Jezu Krishti, e di që njeriu sapo vëren se është i rrethuar me halle, kur diçka s`përshtatet me mendësinë e vet, menjëherë e kap paniku. Përballë rrezikut njeriu bëhet si i paralizuar, turbullohet, nuk di më çka duhet të bëjë… Kështu sillemi ne njerëzit, por jo Jezusi. Ai sillet ndryshe në situata të ngushticës së madhe. Prandaj thotë: shikoni por mos u trembni. Kjo do të thotë se Jezu Krishti ka një pikëpamje të ngjarjeve më ndryshe nga ajo që kemi ne. Nëse jeta jonë është në Të, nëse jemi të bashkuar me jetën e Tij, atëherë mundemi të kalojmë edhe nëpër situata dramatike, dhe përkundër këtyre mund të jetojmë në paqe. Jezusi na bën me dije që të gjitha këto duhen ndodhur. Ngjarjet që i përshkruan janë vërtetë dramatike, kanë dimensione globale. Për shkak se dora e padrejtësisë do të zë hapësirë në jetët e njerëzve atëherë edhe dashuria do të ftohet. Por kjo do të na japë rast të japim dëshmi. Ai që do të mund t`i durojë këto tensione, kundërshti, do të shpëtojë. Jezusi ngjarjet tronditëse i krahason me dhembjet e lindjes. Është me rëndësi për ne që ta përvetësojmë pikëpamjen e tij. Sepse mënyra se si i shikojmë/perceptojmë rrethanat e përcakton edhe mënyrën se si veprojmë dhe si i interpretojmë ngjarjet. Nuk janë rrethanat vetë ato që na shkaktojnë dhembje por mënyra se si u qasemi ne atyre, si i shikojmë dhe i sistemojmë. Këto u ngjajnë dhembjeve të lindjes. Dhe ato janë të pakëndshme, vijnë në intervale të ndryshme, duke e rritur intensitetin dhe shpeshtësinë e tyre. Me rëndësi është të shihet se dhembjet e kanë një qëllim. Qëllimi i dhembjeve është lindja e një bote të re. Nëse nuk e kemi pikëpamjen e Zotit tonë Jezu Krishtit atëherë edhe ngjarjet e zakonshme apo më pak të zakonshme anojmë t`i dramatizojmë apo t`i shpallim fillim të mbarimit të botës. Kështu ndodh që disa persona bien në një paqartësi, nganjëherë në dëshpërim, në një udhë të pashpresë. Në tollovinë e ngjarjeve të vështira dikush është i prirë të pranojë zgjidhje të lehta, që kushtojnë lirë, t`i bien trup, duke dëgjuar premtime të rrejshme. Fillojnë t`u besojnë atyre që premtojnë kënaqjen e menjëhershme të nevojave të tyre të ndryshme, madje që premtojnë një parajsë në tokë. Të tjerët, sidomos sekte të ndryshme, nga ana tjetër përhapin frikë dhe panik duke paralajmëruar një mbarim të shpejtë të botës. Ç` është më e keqja njeriu në këtë tollovi fillon të marrë edhe vendime të gabuara, sepse reagon gabimisht ndaj asaj që percepton. Prandaj është me rëndësi që këto gjëra të mësojmë t`i shikojmë me sytë e Jezu Krishtit që thotë se këto janë dhembje që paralajmërojnë (ri)lindjen e një bote të re. Edhe Jezu Krishti në çaste të vështira gjithmonë e ka rikujtuar qëllimin: për të kryer, o Zot, vullnesën tënde. Kjo i ka dhënë fuqi për t`i përballuar çastet e hidhura të jetës: gjatë tradhtisë, arrestimit, frushkullimit, udhës së kryqit, në prag të vdekjes. Dhe rezultati i qëndresës së tij është ringjallja. Jezusi dhuron paqen në kaosin tonë. Me paralajmërimin e ngjarjeve tronditëse dëshiron të na porositë se e keqja nuk është diçka që ndodhë vetëm në kokat e njerëzve, ajo është një e vërtetë reale. Ky ungjill bëhet Lajm i vërtetë i gëzueshëm, sepse porosit që përkundër të keqes, nëse qëndrojmë së bashku me të do ta fitojmë jetën. Krishti e ka mundur të keqen, është ringjallur. Ai është me ne të gjitha ditët e jetës me Shpirtin e tij të shenjtë. Kjo shpresë i ka ushqyer të krishterët si në fillim ashtu edhe gjatë shekujve. Perceptimi dhe interpretimi i ngjarjeve nga pikëpamja e Jezu Krishtit, besimi se ai e ka mundur urrejtjen, mëkatin, vdekjen, i shoqëron dhe i mban gjallë edhe sot e kësaj dite besimtarët e krishterë.

Previous Duke u dridhur përpara shpresës – Besimi ynë në ringjallje
Next Deklarata per shtyp e Konferences Ipeshkvore: Pro dinjitetit te personave homoseksuale, por jo marteses ndermjet personave me te njejten gjini. Jo shkaterrimit te armeve kimike ne Shqiperi!

Sugjerime

Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore
Jeta Shpirtërore