Duke u dridhur përpara shpresës – Besimi ynë në ringjallje

Duke u dridhur përpara shpresës – Besimi ynë në ringjallje

Dëshira për të jetuar për amshim e shoqëron njeriun e të gjitha kohërave. Përveç me jetën njeriu pashmangshëm ballafaqohet edhe me të vërtetën e vdekjes. Të gjitha religjionet merren me çështjen se çka vjen pas vdekjes. Është një prej çështjeve thelbësore të fesë. Hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët kanë përfytyrime të  ngjashme lidhur me jetën e amshuar.

 

Në një festë familjare ishin ulur rreth tryezës të ftuar të afërm. Po hanin e pinin në një atmosferë të ngrohtë familjare. Papritmas Gjoni katërvjeçar thotë: “A është e vërtetë, oj gjyshe, se ti ke shumë vjet dhe që ke për të vdekur shpejt.” Të tronditur të gjithë të pranishmit mbeten pa gojë – deri në momentin kur gjyshja thotë: “Po, i kam bërë tashmë do vjet, kam përjetuar shumëçka. Dhe unë kam për të vdekur. Kur do të ndodhë kjo saktësisht, këtë s`e di askush, përveç Zotit. Mirëpo deri atëherë gëzohem që jam me ju së bashku, për të festuar dhe buzëqeshur dhe për të parë se si ti Gjon po rritesh dhe po bëhesh i madh.”

Vdekja është një temë e rëndë. Njerëzit e të gjitha kohërave e kanë rrahur me mend çështjen se përse duhet vdekur. Ata janë marrë edhe me pyetjen se cili është fati i atyre që kalojnë nga kjo jetë? A jetojmë tutje në një botë tjetër? A e dinë të ndjerët se si jetojmë në këtë botë? A do t`i shohim ata përsëri?

Disa kanë frikë nga të vdekurit. Jo pak njerëz e ndrydhin çështjen e vdekjes, ose jetës pas vdekjes, dhe thjesht s`mendojnë më në lidhje me të vdekurit.

Në kohën e Jezusit saducenjtë ishin ata që e hidhnin poshtë idenë e ringjalljes prej së vdekuri.Njëherë ia bënë Jezusit një pyetje shumë dinake. E morën një shembull të një gruaje që i kishte pas shtatë burra njërin pas tjetrit, pasi asnjëri prej tyre s`i kishte lënë trashëgimtarë. Tashti e pyetën se në ringjallje gruaja e cilit prej tyre do të jetë ajo. Edhe pse në pyetje dominon çështja e martesës, ajo në fakt është dytësore. Saducenjtë e patën konstruktuar këtë pyetje për të arritur vetëm një qëllim: dëshironin të ishin të sigurt se sa absurde, jashtë logjikes njerëzore është të besosh në jetën pas vdekjes. E pra, realiteti është më shumë se mendja, logjika njerëzore.

Ne njerëzve s`na lë rehat çështja që s`e dimë se si duket saktësisht jeta te Zoti. Jezusi me përgjigjen e tij tërë pyetjen e ngrit në një nivel tjetër. Ai ua tregon pështjellimin në të cilin kishin rënë Saducenjtë për shkak të teologjisë së tyre dhe tenton t`i ngritë ta shikojnë çështjen nga perspektiva kozmike. Jezusi e dëshmon se ekziston jeta pas vdekjes. Ai e mbron shpresën në ngjalljen e të vdekurve dhe çohet kundër dyshimit të kundërshtarëve të vet. Mirëpo e bën të qartë: Jeta, që Zoti do t`ia japë njeriut në ngjallje si dhuratë, s`do të ndodh më në suazat e kësaj bote dhe modeleve të përvojave tona tokësore. Njeriu s`guxon ta paramendojë jetën pas vdekjes si një vazhdim linear i jetës së mëparshme, të kësaj bote. “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra.” Bota e ardhshme është më ndryshe. Në këtë botën e re njerëzit “as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.” (Lk 20, 34-36)

Në botën tjetër personaliteti i të vdekurve s`do të asgjësohet. Përkundrazi: njerëzit bëhen “bijtë dhe bijat e Zotit”. Për shkak se Zoti është Zot i të gjallëve dhe jo i të vdekurve. Në botën e ardhshme s`do të treten as marrëdhëniet midis të ndjerëve; ato do të pastrohen dhe shndërrohen. Nuk do të ketë më xhelozi, smirë, asgjë që mund ta shkatërrojë marrëdhënien.

Nëse është kjo kështu atëherë guxojmë të shpresojmë që në këtë botë të ardhshme ekziston edhe një takim i lumtur.

Kisha katolike beson gjithashtu që, jo vetëm se ekziston një marrëdhënie e gjallë midis të vdekurve, por edhe midis të gjallëve dhe të vdekurve. Këtë e dëshmojmë çdo herë kur e rrëfejmë besimin: “Besoj në shoqërinë e shenjtërve.”

Në besimin e krishterë e kemi një premtim nga Zoti: kur vdesim ne do të ngjallemi, biem në dorën e Zotit. Atëherë pranohemi te Zoti – te ai ndodhet “banesa” jonë. Atëherë jemi “në qiell” – që është një imazh për të treguar vendin e mirë te Zoti. Edhe ne jemi pjesë e asaj gjithësie që i tejkalon hapësirën dhe kohën dhe i përfshin jo vetëm Abrahamin, Izakun dhe Jakobin, por edhe prindërit dhe të parët, paraardhësit tanë, deri në fillim të krijimit. Me ringjallje bëhemi pjesëmarrës të „momentit” të amshuar të Hyjit.

Hyji është përtej të gjitha gjërave që ne mund t`i kërkojmë ose t`i imagjinojmë. Ne mund të shpresojmë në Zotin, sepse Zoti është plotësimi i vërtetë i të gjitha atyre gjërave për të cilat na merr malli ose që i dëshirojmë. Zoti na premton se atë më të mirën pritet ta shohim.

 

P. Shtjefën Dodes SJ

Previous Tajfuni ne Filipine: afersia e Papes Francesku
Next Paralajmërimet apokaliptike si lajm i gëzueshëm?!

Sugjerime