Zgjohet nga gjendja e komes pas 10 vjetesh, por ne RAI TV dikush thote “kjo s’eshte jete”….

Zgjohet nga gjendja e komes pas 10 vjetesh, por ne RAI TV dikush thote “kjo s’eshte jete”….


«RAI të kërkojë falje”, kërkonte dje, përmes gazetës Avvenire, Maks Tresoldi, së bashku me familjen e tij dhe një grup gjithmonë e më të madh qytetarësh të indinjuar, pasi që Alda D’Eusanio, gjatë emisionit “La Vita in Diretta”, i kishte thënë në fytyrë se jeta e tij – përderisa është me aftësi të kufizuara – nuk ishte jetë, se më mirë të vdiste sesa ta kishte “atë shikim të zbrazët”…

 Dhe erdhën edhe kërkesat për falje: “RAI mënjanohet nga deklaratat dhe nga komentet që ka bërë gazetarja Alda D’Eusanio gjatë transmetimit të emisionit “La Vita in Diretta” ndaj Maks Tresoldit, historia e të cilit ka prekur zemrat e miliona telespektatorëve – i ka shkruar drejtorit të gazetës “Avvenire” përgjegjësi i marrëdhënieve me median, Fabricio Kazineli–. RAI i shpreh familjes solidaritetin dhe mirëkuptimin, duke i çmuar vlerat dhe sakrificat e bëra për t’ia mundësuar të riut Max vazhdimin e jetës me bindjen se jeta është “e bukur ashtu siç është” dhe se meriton të jetohet plotësisht”.

 Megjithatë, ky incident nuk ka qenë i kotë, pasi letra mbyllet kështu: “Presidentja dhe drejtori i përgjithshëm iu kanë bërë edhe njëherë ftesë drejtuesve dhe krerëve të rrjeteve që t’i kushtojnë vëmendjen më të lartë temave që kanë të bëjnë me ndërgjegjet dhe gjithsesi të përdorin gjithmonë gjuhën e shërbimit publik”. Në fund, “Presidentja i ka telefonuar nënës së Maks Tresoldit për ta siguruar për solidaritetin e të gjithë agjencisë që ajo drejton dhe solidaritetin e saj personal”, siç ka bërë të ditur edhe vetë zonja Tresoldi, që sot pasdite do të jetë në emisionin “La Vita in Diretta” për një seri të re, kësaj here së bashku me ekspertë si neurologia Matilde Leonardi. Ajo tha se “Presidentja Ana Maria Tarantola ishte shumë e sjellshme. I kishte ardhur shumë keq. Më tha se edhe ajo është nënë dhe se, nëse djalit të saj do t’i ishin drejtuar me fjalë të tilla, edhe ajo do të kishte reaguar si unë”.

 

 “A e meritojmë vërtet një televizion kështu? Me të vërtetë telekomanda është e vetmja zgjedhje që na ka mbetur për ta ndërruar kanalin apo ndoshta për ta fikur përfundimisht televizorin?”. Kjo është protesta e Forumit të Familjeve. “Jam për të satën herë i indinjuar nga televizioni pas episodit tejet të rëndë të ditës së hënë, me monologun/përçartjen e Alda D’Eusanio përballë Maks Tresoldit, që u zgjua pas 10 vjetësh në koma dhe i gatshëm për të dëshmuar “drejtpërdrejt” se jeta është e bukur”, shkruan presidenti Françesk Beleti, që përfaqëson 50 shoqatat, ku janë anëtarësuar 3 milion familje. “Nuk mund të mos heq një paralele me ngjarjen e kohëve të fundit ku e përjashtuan profesor Çerrelin nga emisioni “Domenica In” (gjithmonë RAI), ku redaksia, kur u trajtua tema e homoseksualitetit, zgjodhi që ta përjashtonte mendimin e ekspertit”.

 

 “Mesa duket, nuk mjafton as Konventa e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara për të garantuar një minimum të respektit për këta njerëz”, shkruan Adriano Pesina, drejtor i Qendrës së Bioetikës në Universitetin Katolik, duke shprehur solidaritet për Maksin, “i cili dhunshëm e pa asnjë faj është fyer nga gazetarja Alda D’Eusanio në një kanal të televizionit publik”. Maksi është “një njeri që ka rimarrë në mënyrë të pjesshme dhe me dhimbje disa funksione edhe falë kujdesit të palodhshëm të familjes së tij dhe që sot udhëton në tërë Italinë duke dëshmuar rëndësinë e kujdesit dhe të shpresës. Ky është një njeri, të cilit, në transmetim të drejtpërdrejtë, i është thënë se jeta e tij nuk është një jetë e denjë për t’u jetuar”. Qendra e Bioetikës, e cila prej vitesh mban me familjen Tresoldi “marrëdhënie bashkëpunimi dhe bashkëndan të njëjtat mendime mbi temat e aftësisë së kufizuar dhe drejtësisë”, kërkon marrjen e masave të duhura: “Urojmë që Urdhri i Gazetarëve, e që gazetarja D’Eusanio t’i përkasë atij, të marrë një pozicion të qartë mënjanimi për sa ka ndodhur”.

Komuna e Pavisë: solidaritet ndaj bashkëqytetarit tonë të nderit

 

Në një komunikatë për shtyp, Komuna e Pavisë shpreh “solidaritet ndaj bashkëqytetarit të nderit Maksimilian Tresoldi dhe familjes së tij për fjalët fyese që i janë drejtuar gjatë transmetimit të emisionit “La Vita in Diretta””. “Të pohosh se jeta e një njeriu me aftësi të kufizuar “nuk është jetë”, se shikimi i Maksimilianit është një “shikim i zbrazët” dhe se nëna e tij ka gabuar se i ka ndenjur pranë për ta ndihmuar daljen e tij nga gjendja vegjetative – lexohet në komunikatë – e lëndon dinjitetin e familjes Tresoldi dhe angazhimin e përditshëm të shumë familjeve që kujdesen për njerëzit që vuajnë në trup dhe në shpirt”. Komuna e Pavisë “shpreh sërish, si në kohën kur asaj iu dha qytetaria e nderit, stimën e saj dhe vlerësimin për familjen Tresoldi, si një shembull i admirueshëm dhe simbol i të gjitha familjeve që bashkëndajnë të njëjtat vështirësi dhe sfidën e gëzueshme për një pranim të plotë të jetës në çdo fazë dhe rrethanë të saj”.

(Marre nga Avvenire – perktheu Kimete Klenja)

Previous Shenim nga Dom Gjergj Meta: Armet kimike ne Shqiperi?
Next Redaksionale: vdekjet e bardha!

Sugjerime