Papa në audiencën e përgjithshme: Kisha rritet vetëm në se hyn në gëzimin e në dhimbjen e të tjerëve

Papa në audiencën e përgjithshme: Kisha rritet vetëm në se hyn në gëzimin e në dhimbjen e të tjerëve

Dashuria e anasjelltë e mban në këmbë Kishën dhe i bën të krishterët “sakrament”, i dashurisë së Hyjit në botë. Papa Françesku e pohoi kë audiencën e sotme të përgjithshme, kryesuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 80 mijë besimtarëve e shtegtarëve nga anë e anës. Reflektoi për bashkësinë e ‘pasurive shpirtërore’, domethënë, për Sakramentet, karizmat dhe bamirësinë, Papa, që e përfundoi audiencën duke i kërkuar turmës lutje për shëndetin e një vogëlusheje të sëmurë nga një lëngatë shumë e rëndë, me të cilën u takua në Shtëpinë e Shën Martës, para se të vinte në Sheshin e Shën Pjetrit.

Dielli i ngrohtë e rrezëllues i ditëve të para të nëntorit e ndriçonte fort Sheshin e Shën Pjetrit, duke të krijuar përshtypjen e një dite vere. E kjo e bëri edhe më dinamik takimin e së mërkurës. Argumenti i ditës ishte bashkësia e gjërave të shenjta, pasurive të Shpirtit Shenjt, që ndërtojnë unitetin e Kishës. Pasuritë e para, shpjegoi Papa, janë Sakramentet, që ‘e bëjnë’ Kishën, në të njëjtën kohë kur Kisha ‘i bën’, i mbarështon:
Sakramentet nuk janë pamje, nuk janë rite; Sakramentet janë forca e Krishtit, është vetë Jezu Krishti në Sakramente. Kur kremtojmë Meshën, në Eukaristi është Krishti i gjallë, pikërisht Ai, i gjallë, që na mbledh rreth vetes, na bën bashkësi, na bën ta adhurojmë Atin”.
Sakramentet, pohoi Papa Françesku, na nxisin të kumtojmë, na mahnisin me mrekullitë e Zotit. Janë pritë. Ledh i pathyeshëm kundër idhujve të botës:
E prandaj ka shumë rëndësi të bëhet bashkësia; ka rëndësi që fëmijët të pagëzohen shpejt; rëndësi, që të krezmohen. Pse? Sepse kjo është prani e Jezu Krishtit në ne. Prani, që na ndihmon. Ka shumë rëndësi që, kur e ndjejmë veten mëkatarë, të shkojmë në rrëfyestore, tek Sakramenti i pajtimit. ‘Por, o Atë! Kam frikë se prifti do të kapë shkopin!’. Jo, nuk do ta kapë shkopin prifti! A e di kë do të takosh në Sakramentin e rrëfimit? Jezusin. Jezusin, që të fal. Të pret Jezusi në rrëfyestore, e ky është Sakrament. Sakrament, që e bën gjithë Kishën të rritur, të madhe”.
Me fjalë të tjera, pohoi Papa Françesku, karizmat e ndihmojnë Kishën dhe misionin e saj. Duhen mirëpritur, prandaj, porositi, pa e shuar veprimin e Shpirtit Shenjt. E kjo na prin kah aspekti i tretë, bashkësia e dashurisë së krishterë, përmes së cilës këto dhanti të Zotit bëhen mjete për t’u rritur në këtë dashuri, më e madhja e karizmave:
Pa dashuri, asnjë dhuratë nuk i shërben Kishës, sepse ku nuk ka dashuri, ka zbraztësi; zbraztësi, që vjen e mbushet nga egoizmi. E unë po ju pyes: nëse të gjithë ne jemi egoistë, dashuronjës të vetvetes, thua mund të rrojmë në paqe në bashkësi? A mund të jetohet në paqe, nëse secili nga ne i shërben vetëm interesave të veta? Mundemi a nuk mundemi? [njerëzit përgjgjen ‘jo]. Nuk mundemi! Prandaj duhet dashuria, që bashkon; dashuria e krishterë. Edhe më i vogli nga gjestet tona të dashurisë, ndikon mrekullisht mbi të gjithë”.
E këto gjeste, për Papën Françesku, nuk kanë të bëjnë fare me dashurinë sa për sy e faqe, që mund ta shkëmbejmë njëri me tjetrin veç për t’u dukur. Është diçka shumë më e thellë, është bashkim, që na aftëson për të hyrë në gëzimin e në mjerimin e tjetrit e për t’i bërë sinqerisht tonat. Por, për fat të keq, vijoi Ati i Shenjtë, jemi mjaft të akullt, tejet indiferentë, tepër të zvjerdhur e, në vend që të krijojmë atmosferë vëllazërie, krijojmë atmosferë zymtie. E në këtë çast, mësuesi i fesë e mori për dore Sheshin e, me emocion të thellë, e bëri ta jetojë, çka kishte dëgjuar nga goja e tij:
“Para se të vija në Shesh, shkova për të takuar një vogëlushe me moshë krejt të njomë, një vit e gjysëm, me një sëmundje tejet të rëndë. E ëma dhe i ati luten e i lypin Zotit shëndetin e kësaj krijese të bukur, të brishtë. Quhet Noemi. Qeshte, e varfëra. Të bëjmë një vepër dashurie të krishterë. Ne nuk e njohim, por është ferishte e pagëzuar, e krishterë, një nga ne. Ta bëjmë një vepër dashurie për të. T’i lutemi në heshtje Zotit ta ndihmojë në këtë çast të vështirë e t’i japë shëndet. Në heshtje. Një çast të vetëm, e pastaj të themi së bashku Falemi Marinë”.
Falemi Maria, e thënë në gjuhë të ndryshme të botës, ishte preludi i përshëndetjeve të Papës Françesku, drejtuar dhjetra mijëra njerëzve, ardhur nga mbarë bota.
Për t’u kujtuar edhe se, para audiencës, Papa ndezi Pishtarin e Universiadës dimërore të Torinos (11-21 dhjetor).

Teksti vjen nga faqja e internetit e Radio Vatikanit shqip

Previous Papa që pranon gabimin… (përshtypjet e një interviste) - Nga Gjergj Meta
Next Sfidat baritore mbi familjen në kontekstin e ungjillizimit - Dokument përgatitës

Sugjerime